Gjykata Penale e Shkupit ka vendosur këtë të mërkurë në lidhje me Tomor Morinën, ish-anëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykata vendosi që shtetasi kosovar Tomor Morina të mos ekstradohet në Serbi.

Gjykata Penale e dha këtë vendim duke theksuar se kushtet për ekstradimin e Morinës nuk janë përmbushur.  Por vendimi, dokumentacioni i përfshirë në dosje si edhe kërkesa e shtetit serb për ekstradimin e tij janë dërguar për shqyrtim të mëtejshëm në Gjykatën Supreme të Maqedonisë së Veriut.

Në njoftimin e bërë publik nga mediat e shtetit fqinj shkruhet: “Këshilli Penal pranë Gjykatës Penale në Shkup pasi ka shqyrtuar kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut, si dhe duke marrë për bazë praktikën e vendosur gjyqësore dhe të drejtën ndërkombëtare, ka marrë vendimin se nuk janë përmbushur kushtet e ekstradimit në Republikën e Serbisë si palë që ka paraqitur kërkesën për ekstradim”.

Gjykatat Penale, gjithashtu, vendosi lënien në fuqi të masës së paraburgimit deri në përfundimin e gjithë procedurës. Ai po mbahet në burgun e Shkupit prej 2 javësh.

Tomor Morina u arrestua nga policia e Maqedonisë së Veriut më 24 korrik, bazuar në një flet-arrest të INTERPOL-it, i cili ishte lëshuar me kërkesë të Serbisë.

Ish-anëtari i UÇK-së, që ka edhe shtetësi britanike, kërkohet nga ana e autoriteteve të Serbisë me akuzën, se para 20 vjetëve, ka kryer krime kundër popullatës civile në Kosovë.

e.ll./dita

Flash Lajme

Më të lexuarat