Shkrimtari brazilian, Paulo Coelho kërkoi falje pas fyerjeve dhe deklaratave aspak diplomatike kundër Francës nga presidenti i tij, Jair Bolsonaro në kuadër të krizës rreth zjarreve në Amazonë.

“Më falni, më falni një mijë herë”, është shprehur ai  në rrjetin social “Twitter”.

“ U kërkoj falje miqve të mi francezë për krizën, do të thoja për histerizmin e Bolsonaros në raport me Francën, me presidentin e Francës, bashkëshorten e presidentit të Francës”, shkruante Paulo Coelho

Coelho, i lindur në vitin 1947 në Rio de Janeiro është një prej autorëve më të njohur në botë, me disa dhjetra milionë kopje të shitura të romanit “Alkimisti”.

“Ndërkohë që Amazona digjet, ata nuk kanë asnjë argument përveçse fyerjet, nuk kanë asgjë për të thënë për të shmangur marrjen përsipër të përgjegjësive të tyre”, shtoi shkrimtari duke iu referuar drejtuesve brazilianë.

Deklaratat fyese të presidentit brazilian kundër Zonjës së Parë franceze, Brigitte Macron kanë detyruar presidentin francez të shprehë hapur, para kamerave të mbarë botës, se populli brazilian kishte nevojë sa më shpejt për një president që sillet në lartësinë e duhur.

Bolsonaro komentoi një postim në Facebook mbi bashkëshorten 66-vjeçare të udhëheqësit francez. Një mbështetës i Bolsonaros postoi një “meme” duke krahasuar pamjen e jashtme të partneres së Macronit me atë të gruas 37-vjeçare të Bolsonaros, ku shkruhej: “A e kuptoni tani se përse Macroni i bie në qafë Bolsonaros?”

Presidenti 64-vjeçar i Brazilit komentoi duke iu referuar Macronit: “Mos e tall tjetrin”.

j.l./ dita

Flash Lajme

Më të lexuarat