Rusia dhe Ukraina po shkëmbejnë të burgosur në masë. Të shtunën disa autobusë transferuan disa persona nga burgu Lefortovo i Moskës ndërsa një aeroplan ukrainas u ul në aeroportin Vnukovo në kryeqytetin rus të shtunën në mëngjes.

Numri i saktë, lista me emrat e të burgosurve apo koha e shkëmbimit të tyre nuk janë bërë ende publike. Por udhëheqësit e të dy vendeve kanë bërë të ditur më parë se shkëmbimi i të burgosurve do të ndodhë shpejt dhe është i pashmangshëm.

Të enjten një gjykatë në Kiev urdhëroi lirimin e Volodymyr Tsemakh-ut, një ish-komandant i separatistëve të mbështetur nga Rusia që operojnë në lindje të Ukrainës.

Shërbimet e sigurimit ukrainas e kanë identifikuar Tsemakh-un si dëshmitarin kryesor lidhur me incidentin e rrëzimit të Malaysian Airlines MH17 në lindje të Ukrainës në korrik të 2014, ku si pasojë u vranë 298 persona.

Prokurorët holandezë që po hetojnë çështjen i kanë kërkuar qeverisë ukrainase që të parandalonte ekstradimin e Tsemakh-ut, si “një person me interes” në hetimet që ata po zhvillojnë.

Presidenti i Ukrainës i zgjedhur së fundmi Volodimir Zelenskiy erdhi në pushtet duke premtuar se do të sillte në atdhe të burgosurit ukrainas dhe t’i jepte fund konfliktit në lindje të vendit.

VOA

Flash Lajme

Më të lexuarat