Këtë të dielë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje. Albin Kurti ndodhet në Tiranë për të festuar me aktivistët e qendrës së kësaj lëvizjeje në Shqipëri.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse në këtë organizim festiv, Kurti u shpreh se Shqipëria e Kosova duhet ta zgjerojnë bashkëpunimin, duke vënë theksin se këto dy vende duhet të jenë të vëmendshme ndaj Serbisë.

Ai shtoi se sipas tij, mos’hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ishte e padrejtë.

Kurti u shpreh: “Dua t’i falënderoj të gjitha aktivistët që nga Tiranë erdhën dhe na e mundësuan fitoren e përbashkët në Kosovë. Tash duhet të kremtojmë dy herë, në Prishtinë dhe Tiranë, duke qenë se të dyja kontribuojnë dhe të dyja përfitojnë nga fitorja e Lëvizjes sonë”.

Ai shtoi: “Me siguri që Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkëpunojnë më shumë. Çështja në Ballkan mes vendeve të paintegruara në BE është se Kosova nuk ka liberalizim të vizave. Vendet e tjera e kanë.

Unë mendoj që është bërë padrejtësi që Shqipëria dhe RMV nuk po fillojnë negociatat. Iu takon dhe e kanë merituar një gjë të tillë.

Mendoj se duhet të kemi kujdes sa i takon raporteve me Serbinë duke qenë se dihet se çfarë u ka bërë shqiptarëve në njërën anë dhe dihet që para 3 viteve tentoi një puç në Maqedoninë e Veriut. I dështoi. Është në interesin e Serbisë të duket sa më normale duke qenë se nuk është”.

Kreu i LVV-së tha se i takon qendrës së Vetëvendosjes në Tiranë të vendosë për të hyrë në zgjedhje në Shqipëri, ose jo. Kurti, gjithashtu, paralajmëroi një takim me kryeministrin Rama së shpejti, duke theksuar: “Unë jam këtu me ftesë të LVV në Republikën e Shqipërisë dhe këta e kanë autonominë e qëndrimeve dhe veprimeve. Nuk është se unë ose LVV në Kosovë e dikton një gjë të tillë. Do kthehem sonte në Kosovë por sigurisht që do ta takoj së shpejti kryeministrin e Shqipërisë. Është çështje ditësh dhe jo javësh”.

e.ll./dita

Flash Lajme

Më të lexuarat