Rreth 400 milionë europianë nga 28 vende të Bashkimit Europian do të shkojnë në votime më 23-26 për të zgjedhur ligjvënësit që do t’i përfaqësojnë në Parlamentin Europian për pesë vitet e ardhshme.

Maratona e votimit në Europë fillon më 23 maj në Hollandë dhe në Mbretërinë e Bashkuar, nëse kjo e fundit do jetë akoma në BE deri atëherë. Votuesit në Irlandë do të votojnë më 24 maj. Ata në Republikën Çeke, Letoni, Maltë dhe Sllovaki, votojnë më 25 maj dhe 21 vendet e tjera të BE votojnë më 26 maj.

Votuesit në çdo vend të BE zgjedhin disa prej 751 ligjvënësve në Parlamentin Europian me seli në Brukesel dhe Strasburg. Ky numër do të reduktohet në 705 vende, nëse Mbretëria e Bashkuar miraton marrëveshjen e Brexit para fillimit të zgjedhjeve.

Vendet në Parlamentin Europian ndahen bazuar në popullsinë e një shteti. Qipro, Luksemburgu dhe Malta kanë më pak vende, me 6 secila, ndërsa Gjermania zë 96 vende.

Rezultatet e çdo shteti do të dalin më 26 maj, pasi qendrat e votimit të fundit në kontinent të jenë mbyllur. Mandati aktual i Parlamentit Europian do të përfundojë në muajin korrik.

Në sesionin e parë plenar, eurodeputetët do të duhet të zgjedhin presidentin e Parlamentit Europian, 14 zëvendës – presidentë, si dhe përbërjen e komisioneve, ndërsa në mes të korrikut dhe tetorit, do të votohet kandidati i propozuar për Presidentin e Komisionit të BE-së.

v.l/ Dita

Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All