Nuk ka ndodhur ndonjë herë në histori që në një moment të përcaktuar, të gjithë shtetet e planetit së bashku të mendojnë se si do të ndryshojë jeta e tyre pas një eventi të përbashkët.

Nuk ka ndodhur as në Luftën e dytë Botërore, as në rastin e pandemive të tjera që nuk përballeshin me një shoqëri të globalizuar dhe ndërthurur si kjo e jona.

Ndoshta do të duhen muaj të tërë për të filluar një “bashkëjetesë” me koronavirusin, që gjithsesi do të ndryshojë mënyrën e jetesës për një kohë ende më të gjatë. Por ndërkohë, logjika ekonomike e një shteti nuk mund të presë kaq gjatë, dhe skenarët e mundshme të një rimëkëmbje të prodhimtarisë dhe shërbimeve po përllogariten në çdo kryeqytet të botës.

Por kush do të jetë më i avantazhuar, dhe kush do të vuajmë shumë pasojat e pandemisë, në terma socio-ekonomike? Na vjen në ndihmë një renditje e kryer nga britanikja BBC e bazuar në indeksin e “Global Resilience” për vitin 2019, e përpiluar nga gjiganti i sigurimeve FM Global dhe që përfshin 130 vende.

Norvegjia është në krye të renditjes. Në foto, kryeqyteti Oslo.

Rezilienca është fjalë tashmë në modë, që nënkupton kapacitetin për t’u shëruar nga vështirësitë e ndryshme. Rezilienca e shteteve të ndryshme në këtë rast është matur nga disa pika referimi si gjendja e ekonomisë, cilësia e riskut dhe zinxhiri furnizues.

Në vend të parë në këtë renditje vjen Norvegjia, e pasuar nga Danimarka, Zvicra, Gjermania, Finlanda, Suedia, Luksemburgu, Austria, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, edhe pse këto dy shtetet e fundit po shndërrohen në epiqendra të pandemisë dhe të presionit ndaj sistemit shëndetësor.

Për Shtetet e Bashkuara, në veçanti, edhe pse në javët në vijim parashikohet një impakt negativ i paprecedentë, po aq domethënës mendohet se do të jetë ngritja ekonomike, për hir të disa faktorëve si stimujt financiarë të qeverisë, stabiliteti i industrisë, por edhe një popullsi e re që nuk e ka problem të lëvizë brenda vendit për të gjetur punë.

Gjendja e “reziliencës” në Ballkan

Vështirësitë nuk do të mungojnë, edhe për vendet më të përparuara në këtë pikë. Edhe Danimarka, që renditet e dyta, mendohet se do të paguajë me 13% të prodhimit të brendshëm bruto, në një vend ku të papunëve nga koronavirusi  do t’ i sigurohet 75% e rrogës në muajt në vazhdim.

Po Shqipëria? Raporti nuk beson te kapaciteti i shtetit tonë për t’ u rimëkëmbur vetë nga kjo situatë e paimagjinueshme, që vjen pas një tjetër tragjedie si ajo e tërmetit të 26 nëntorit.

Shqipëria renditet në vendin e 95 në 130 vende, pranë shumë vendeve të Afrikës dhe Amerikës Latine, dhe larg nga fqinjët tanë ballkanas. Serbia ndodhet në vendin e 63-të, Bosnja e ndarë etnikisht në të 70-të, Mali i Zi në të 82-të.

Pozicioni i Shqipërisë në botë

Ndërkohë që të dhënat për Kosovën nuk bëhen të ditura, i vetmi vend më në vështirësi në Ballkan është Maqedonia e Veriut, në vend të 100-të, jo shumë larg grupit të fundit ku përfshihen Nikaragua, Bangladeshi dhe Uganda, ndërkohë që vendi më i rrezikuar nga kriza është Haiti.

e.k. / dita

Flash Lajme

Më të lexuarat