Entela Resuli

Prej një jave jemi njohur me një rast abuzimi seksual nga roja i një shkolle në periferi të Tiranës ndaj një minoreneje.  Ajo çka është mësuar këto ditë është se abuzimi ka filluar tre vite më parë  dhe vajza e ka patur të vështirë të flas me prindërit apo mësuesit për këtë situatë të pazakontë për një fëmijë.

E mitura është përballur me një torturë psikologjike dhe fizike për vite me radhë. Sikur të mos mjaftonte, 65-vjeçari e ka kërcënuar vazhdimisht me një video intime që i kishte bërë vajzës.

Një javë më parë vajza mori guximin ta denoncojë këtë rast dhe sot, roja është në burg. Familja e saj 15- vjeçares në qendër të vëmendjes. E mitura vetë në një shok psikologjik, ndërsa reagimet në rrjetet sociale kanë qenë të shumta.

Madje kjo ngjarje ka bërë që dy ditë më parë të mblidhet edhe aleanca e grave deputete, ku mes të tjerash ka shkaktuar reagime të forta tek mësuesit fjala e deputetes Mimi Kodheli.

“Sot zysha tona e kanë mendjen për të bërë të tjera punë, nuk të del koha të jesh edhe zyshë të bësh ditarin tërë ditën, të lyesh edhe flokët, sytë buzët, vetulla me funde e minifunde”- është shprehur Kodheli në fjalën e saj.

Për të folur për këtë temë dhe për situatën e krijuar Dita ka biseduar me një nga mësueset më aktive, e cila është aty sa herë që cenohen të drejtat e njeriut dhe sidomos ata të fëmijëve. Ajo është mësuese prej 27 vitesh. Sot jep mësim në gjimnazin “Andon Zako Çajupi” në kryeqytet.

Më poshtë një intervistë me Ina Kasimatin.

-Zyshe, Ina, besoj e keni ndjekur rastin e rojes që ka abuzuar me nxënësen në Babrru. Ju jeni mësuese prej shumë vitesh. Si ju bën të ndiheni ky fakt?

Jam e tronditur, e mbledhur në heshtje me veten dhe dhimbjen pa fund që ndjej për vajzën e përdhunuar dhe abuzuar seksualisht. Pyes veten si ndjehet ajo  vajzë, si do e vazhdojë jetën e saj me ketë plagë të thellë dhe në këtë vend ku çdo institucion ka dështuar në mbrojtjen e fëmijëve  ?

Ndjej një shpërthim ulëritës brenda vetes: Ah ta kisha përballë monstrën përdhunuese, ta pështyja, ta përbuzja , t’i kërkoja policëve ta rrihnin në publik para te gjithëve  këtë pedofil monstër dhe në fund gjykata t’i jepte  dënimin maksimal që përcakton ligji dhe pa të drejtë amnistie.

-Mendoni se është një problem i mbartur, një problem që ka qenë aty dhe tani u shfaq?

Edhe unë si shumë qytetarë të tjerë jam njohur nëpërmjet medias me këtë histori tronditëse dhe shpresoj të ketë një hetim të plotë dhe të bëhet publik. Por nuk besoj se është  një ngjarje e shfaqur tani. Dhe jam pa fjalë se si mundet që policia komunitare nuk kishte asnjë sinjalizim, ndërkohë që videoja qarkullonte nëpër telefona. Po  prindërit a ishin ankuar ndonjëherë për rojen? Sa dhimbje , kur flitet pasi i është shkatërruar jeta një vajze, ende minorene.

-Kjo ngjarje ka patur një reagim të gjerë në rrjetet sociale, mendoni se kjo mjafton?

Jo nuk mjafton vetëm protesta në rrjetet sociale. Unë jam e idesë që protesta duhet të zhvillohet në zonën/ komunitetin ku ndodh ngjarja. Unë mendoj që nuk të dhunon, abuzon, përdhunon dhe vret  vetëm një mashkull, por edhe indiferenca, mentaliteti, paragjykimi i shoqërisë, paaftësia e gjithë strukturave shtetërore që kanë pikërisht si qëllim punë evidentimin, trajtimin dhe marrjen e masave për të goditur në kohë fenomene të tilla të rënda dhe mbrojtur, mbështetur me profesionalizëm, denoncuesit e rasteve të tilla, viktimat, aq më shumë kur janë minorenë.

Shoqëria civile mund ta ngrejë si kauzë për Parlamentin, Qeverinë, Pushtetin Vendor. Policinë  nëpërmjet protestave, artikulimeve konkrete për ndryshime ligjore, rritje të  buxheteve për arsimin, edukimin formal dhe joformal,  fuqizimin e  vajzave dhe djemve, mbrojtjen dhe mbështetjen sociale , rritjen e rolit të prindërve në shkollë, efektivitetin e policisë komunitare etj.

Dhe protesta duhen bërë jo vetëm në Tiranë, por në të gjitha qytetet, zonat e vendit me vajza, gra, djem, burra. Të kërkohet marrja e përgjegjësive të institucioneve shtetërore, politikbërëse dhe vendimmarrëse

Më duket  e drejtë thirrja e deputetes ,Vasilika Hysi, ku të paktën pranon dështimin  për mbrojtjen e fëmijëve, dhe kërkon bërjen e një nisme konkrete. Uroj të realizohet !

-Çfarë duhet bërë për këta njerëz që abuzojnë me fëmijët?

Dënime maksimale pa të drejtë amnistie, turpërim publik, shkrimi i emrave dhe vendosja e fotografive të tyre në një regjistër kombëtar, publik.

-Sipas jush, cili është roli i shkollës, po i familjes?

Në këtë kohë dhe vend që jetojmë,  mendoj se roli i parë më i rëndësishëm është i familjes. Prindërit duhet ta mbrojnë fort fëmijën e tyre. Të gjejnë të gjitha mundësitë me institucione, OJF për të denoncuar, reaguar përpara se të jetë vonë. Prindërit duhet të jenë vigjilentë  për fëmijët e tyre, pasi ata janë familja, gjithçka kanë dhe askush si ata nuk mund të bëjë më të mirën për ta.

Ah, shkolla… Ka një rol shumë të madh në zhvillimin social të fëmijës. Nëpërmjet edukimit formal dhe jo formal nxënësit mund të informohen, ndërgjegjësohen,  zhvillojnë aftësitë e tyre jo vetëm akademike , por edhe praktike për të rritur vetëvlerësimin, mbrojtjen e vetes ndaj keqbërësve, marrjen e përgjegjësive nëpërmjet të drejtave dhe detyrave.  Gjithashtu shkolla është institucioni ku mjaft hallka me detyra dhe kompetenca, të gjithë sëbashku për t’ju garantuar nxënësve edukim cilësor, të sigurt.  Me rastet e denoncuara, apo anketat dhe studimet kryera rezulton që ka mjaft problematika si me mënyrën si realizohet i gjithë procesi mësimor edukativ në shkollë, po aq edhe menaxhimin e burimeve njerëzore, deri edhe tek rojet e shkollës, përgjegjësitë, realizimin e analizave të  vetëvlerësimit të shkollës ku duhet të përfshihen analizat dhe raportime nëpërmjet  komunikimeve, mbledhjeve, anketimeve me nxënësit, prindërit, mësuesit, punonjësit e tjerë të shkollës .

-Nga ana tjetër, dy ditë më parë një grup deputetesh reaguan për këtë ngjarje, Mimi Kodheli u shpreh se mësuesit nuk e kanë bërë siç duhet detyrën e tyre, si u ndjetë nga fjalët e saj,

Deputetja Mimi Kodheli, ndryshe nga kolegia e saj, zonja Hysi, nuk i adresoi përgjegjësitë tek vetja dhe deputetët , por në mënyrë të turpshme, diskriminuese, denigruese, shpifëse, arrogante ajo ua hodhi fajin mësueseve ( duke i vënë edhe theksimin gjinor ).Videon e deklaratës së saj e kam parë disa herë, sepse nuk mund ta besoja që një deputete dhe politikane me përvojë të fliste në mënyrën më të keqe

Unë punoj me përkushtim prej 27 vitesh në arsim dhe si unë dhjetëra mijëra kolegë.

Ndjehemi  të  fyera, të revoltuara  dhe kurrsesi nuk mund ta pranojmë këtë  baltosje që na ka bërë në një mbledhje të komisionit parlamentar. Sa e turpshme deklarata e kësaj deputeteje!

Unë do t’i kërkoja publikisht të na paraqiste  ndonjë studim apo anketim në lidhje me çfarë ajo ka deklaruar në komisionin parlamentar!  Nëse nuk e bënë, atëherë  SHPIF !  Ndjesa publike është më e pakta që mund të bëjë !

Nuk di nëse ndjen  përgjegjshmëri  dhe i flet ndërgjegjes: Çfarë kam bërë unë /ne si deputete për mësuesit ? Po për sigurinë e fëmijëve ?

Ndoshta nuk e ka  idenë që gjithë problematikat e shoqërisë tonë përplasen tek ne, që duhet të bëhemi mësuese, prind, psikologë, sekretarë, informaticienë, marangozë, pastruesë, bojaxhesha, police, mjekë, infermierë, punonjës sociale, mësuesë, ndihmesë, juriste, vullnetarë në komunitet, çentralistë, koordinatore lokalë, kombëtarë, nderkombëtarë, rrobaqepëse, bamirësë, ektriçistë, animatorë…

Dhe të gjitha punët i kryejmë në shkolla pa infrastrukturën e duhur, me buxhete qesharake për rrogat, kualifikimet, trajnimet, laboratorët, në mjaft raste me drejtues militantë partie të paaftë, sepse kështu ka miratuar Parlamenti  me atë buxhetin qesharak as 3% të GDP-se.

Në çdo dhunë, abuzim, përdhunim ndaj të miturve, vajzave,  mësuesit ndjejnë  dhimbje, por edhe  peshën e përgjegjësisë që mund të kishim bërë më mirë punën tonë .

Beni ligje edhe për të mbrojtur fëmijët, mësuesit apo saktësuar detyrat e tyre, kodin e etikes gjatë orarit të punës në shkollë, e drejta e informimit vs privatësisë të të dhënave,jetës së fëmijës.

Një mësues nuk mund të  bëjë gjithçka në shkollë. Mësuesit/ët kanë problematikat e tyre, por nuk mund të baltosen kështu nga ligjvënësit, politikanët  tanë!

-Nëse Kodheli thotë se mësuesit  e kanë mendjen te buzëkuqi, çfarë mund të themi për deputetet….?

Unë jam e indinjuar  me  deputetet që heshtën kur në një mbledhje të Komisionit të sigurisë,  Drejtori i Policisë së  Shtetit, Ardi Veliu, denigrojë  një grua, një nënë, të cilën 5 policë një javë më parë i kishin dhunuar, rrahur djalin e saj minoren në shkelje flagrante me ligjin.  Dhe zonjat deputete, midis tyre edhe me përvojë në politikë, nuk bënë asnjë reagim, prononcim për ta dënuar deklaratën e këtij zyrtari të lartë shtetëror.  Një javë më pas, deputetja Mimi Kodheli, foli , por fatkeqësisht duke përdhosur mësueset. Ky për mua është jo vetëm turp, por edhe mungesë e dinjitetit për të qënë grua politikane!

-Keni një mesazh në këtë ditë, për politikën, shkollën, prindërit…?

Reflektoni , reagoni, mos heshtni, veproni shpejt  të paktën të bëjmë një gjë të mirë: edukim dhe siguri për fëmijët tanë !

-Ju prej sa vitesh jeni në arsim dhe si ka ndryshuar puna juaj me kalimin e viteve, si kanë ndryshuar marrëdhëniet me nxënësit, prindërit e tyre…?

Gjatë 27 viteve të punës time si mësuese, mendoj shumë gjëra kane ndryshuar. Në vitet e vështira të 97′-98′ mund të hynin në oborrin e shkollës  makinat me njerëz të rrezikshëm. Dhe të gjithë të gjithë ne , mësuesit kemi qënë në mbrojtje të fëmijëve, edhe me jetën tonë. Nuk ka patur shërbim psikosocial, oficer sigurie, polici komunitare. Sot  i kemi të gjitha këto burime njerëzore, edhe Borde, edhe Këshilla të Prindërve. Qeveri të nxënësve. Edhe ligje, edhe kod etike, Siguria dhe edukimi i fëmijëve, respektimi I të drejtave të tyre duhet të ishte më i mirë. Por realiteti flet ndryshe.

Unë vazhdoj të punoj çdo ditë me të njëjtin pasion dhe dëshirë . Sigurisht  çfarë unë mendoj se duhet t’u përgjigjet standardeve të shkollës europiane, respektimit të të drejtave dhe detyrave  të fëmijëve, prindërve,mësuesve është kodi i etikës, ligji për arsimin parauniversitar, trajtimet efektive të  tyre  pikërisht edhe sesi mund t’i rrisim fëmijët me vetëbesim, siguri , si mund t’i mbështesim në situate të tilla .

Sot është e pafalshme t’i dhunosh fizikisht fëmijët në sistemin e edukimit.  Sot duhet kuptuar që dhuna, frika, indiferenca, mungesa e besimit tek institucionet do na bëjnë të mendojmë se kush nesër do ta këtë radhën.

box

Çfarë u tha!

Kodheli: Mësueset e kanë mendjen te minifundi e buzëkuqi

Rasti i rëndë i përdhunimit të një vajze 15 vjeçe në periferi të Tiranës është bërë motiv për një debat me tone të forta në mbledhjen e aleancës së grave deputete dy ditë më parë. Mimi Kodheli, Vasilika Hysi, Elona Gjebrea, por edhe zv.ministrja, Romina Kuko, që ishte e pranishme në këtë mbledhje, ngritën zërin për këtë fenomen shqetësues që po zhbën shumë nga vlerat e shoqërisë shqiptare.

Mimi Kodheli, pasi apeloi për nisjen e punës për të hartuar një paketë të plotë ligjore kundër dhunës në familje dhe këtyre fenomeneve të shëmtuara, bëri edhe një krahasim me kohën kur ajo kishte qenë nxënëse, duke vënë theksin te roli që duhet të luajnë mësuesit.

Dikur ne mësuesit i konsideronim si prindërit tanë të dytë, të ka marrë në telefon prindi, të paktën unë i takoj asaj gjenerate, dhe mësuesja merrte në telefon dhe thoshte se pse ka munguar fëmija. Por sot zysha tona e kanë mendjen për të bërë të tjera punë, nuk të del koha të jesh edhe zyshë të bësh ditarin tërë ditën, të lyesh edhe flokët, sytë buzët, vetulla me funde e minifunde. Zysha tona kanë qenë të pamartuara dikur por sot s’merret vesh se kush është bërë zyshë. Do ta marrim këtë situatë në dorë apo do flasim”, ka thënë Kodheli.

Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All