Ndërsa parqet e argëtimit janë rihapur në Japoni, një rregull i ri ka bërë që vizitorët të mbeten gojëhapur.

Nuk lejohen ulërimat në trenat e frikshëm dhe të shpejtë.

Kjo mund të duket si një kërkesë e çuditshme kur njerëzit ngjiten dhe zbresin në pikiatë, kthehen me kokë poshtë apo anash me shpejtësi maksimale. Por, ulërimat e larta mendohet se lëshojnë spërkla që mund të përhapin koronavirusin.

Një konsorcium parqesh argëtimi në Japoni, dolën me rregullin në kuadër të përpjekjeve për rihapje pas muajsh mbyllur për shkak të pandemisë. Sidoqoftë, siç raportonte “The Wall Street Journal”, vizitorët në parqet e argëtimit e kanë të vështirë ta respektojnë këtë rregull. E si përgjigje, dy drejtues të një parku argëtimi, u shfaqën në një video katërminutëshe, në trenin e shpejtë të parkut Fujujama, plotësisht të heshtur.

“Ju lutem, ulërisni në mendjen tuaj”, këshillonte videoja në përfundim.

Parqet e argëtimit, ashtu si pjesa tjetër e bizneseve e ekonomive po rifillojnë të hapen në shumë vende. Në SHBA, po ashtu. Por atje, nuk janë dhënë udhëzime për ndalimin e ulërimave në lojërat marramendëse. Atje kërkohet distancim social, kontrolle temperature dhe maska mbrojtëse. Walt Disney World, rihapet të shtunën, universal Orlando është hapur në fillim të qershorit. Disneyland duhej të hapej më 17 korrik, por kjo datë është shtyrë tashmë për shkak të rritjes së rasteve të koronavirusit në Kaliforni.

dardania.com

Flash Lajme

Më të lexuarat