Entela Resuli

E keni menduar ndonjëherë se si kanë udhëtuar të parët tanë, për ditë të tëra, në këmbë dhe me karvanë nga një cep i Shqipërisë në tjetrin?!

Në datën 25 korrik, më shumë se 100 vrapues, të pasionuar pas natyrës, por edhe njerëz që duan të zbulojnë vendin me këmbët e tyre do të nisen nga Tirana për në Dibër të Madhe.

Nën udhëheqjen e Dashamir Çalit, kryetar i shoqatës “Maraton Albania”, do të ecet përgjatë rrugës së vjetër të Arbërit.

Çali, prej disa muajsh, së bashku me miq dhe banorë të zonës ka zbuluar gjurmët e kësaj rruge, që nis në Tiranë dhe përfundon në Dibër të Madhe.

Dashamiri, i cili është një dashamirës i natyrës dhe jetës së shëndetshme, na siguron se pamja që do t’i ofrohet atyre që do të marrin pjesë në këtë maratonë do të jetë spektakolare. Eksperienca do të jetë e paharrueshme. Sipas tij, do të udhëtohet në kohë, jo vetëm nëpërmjet rrugës, por edhe duke njohur fshatra të tërë të cilat dikur kanë qenë të populluar e rruga që kalonte nëpër to e gjallëronte edhe më shumë jetën.

Sot, s’ka mbetur gjë tjetër veç natyrës së bukur, të pazbuluar e të pashkelur dhe disa banorëve të cilët nuk u shijon jeta askund tjetër më shumë se sa në vendin e të parëve të tyre.

Tashmë gjithçka është gati dhe grupi organizues po pret me padurim nisjen e kësaj maratone që para e këtyre përmasave në vendin tonë.

Sipas organizatorëve, qëllimi është njohja dhe promovimi i fshatit, i zonave të thella, të cilat janë të pasura me bukuri natyre, por edhe me mikpritjen e banorëve të cilët kanë mall të shohin njerëz të rinj e të presim miq në banesat dhe oborret e tyre plot gjelbërim.

Jeta në qytet është shumë stresuese për ta kaluar gjithë kohën nën afshin e avujve të betonit me të cilat je rrethuar. Një shkëputje do t’i bënte mirë kujtdo…

Dashamir Çali na ka zbuluar disa detaje të këtij organizimi dhe se çfarë na ofron kjo rrugë e vjetër e Arbërit që dikur të parët tanë e kanë mbushur plot jetë për shkak të lëvizjeve të shumta që kishte në të.

-Pse zgjodhët itinerarin Tiranë- Dibër për organizimin e kësaj maratone?

Unë kam kohë që merrem më ushtrimin në mal, dhe duke kaluar njëherë mbrapa Dajtit, shkova nga Tujan në fshatin Zall Dajt, aty hasa një rrugë të vjetër me kalldrëm. Përgjatë kësaj rrugë pyeta njerëz, në moshë, të cilët kanë jetuar gjithë jetën në ato anë dhe më shpjeguan se bëhej fjalë për rrugën e vjetër të Arbrit.  Më pas u bëra kureshtar dhe iu futa kërkimeve. Mora disa harta të ushtrisë të viteve ’60-’70 dhe atje ishte e shënuar rruga e Arbërit, si rrugë këmbësore dhe me karvanë. Kalonte nga fshati Brar, Tujan, Zall-Dajt, Shupal, Zall-Bastar, Murrizë, Guri i Bardhë, Ura e Vashës, Plan i Bardhë, Fushë-Bulqizë, Lepurake, Valikardhë, Zerqan, Sopot, Strikçan, Gjoricë, Blladë, Dibër e Madhe, e deri në Gostivar, Tetovë e Shkup.

-Kur e zbuluat këtë rrugë?

Vjeshtën e kaluar dhe që nga ajo kohë e kam bërë vetë disa herë për ta parë e studiuar dhe kjo gjë më ka mësuar shumë, pasi herë pas here, rruga i humbet gjurmët e veta. Më ndihmën e banorëve të këtyre zonave kemi arritur të vendosim shenjat ku ka kaluar kjo rrugë, pasi faktori kohë e ka dëmtuar atë.

-Është itinerar i vështirë, mund të bëhet nga kushdo?

Jo, ne e fusim te niveli i dytë apo i tretë si maratonë. Me ndalesa mund të bëhet nga kushdo.

-Çfarë keni mësuar nga kjo rrugë ku do të zhvillohet maratona dhe çfarë do të shohin ata që do i bashkohen organizimit tuaj?

Kjo rrugë ka kaluar nëpër fshatra që i ka lidhur ato me njeri-tjetrin. Dhe njerëzit kur vinin nga Tirana në Dibër apo anasjelltas, kanë përdorur shtëpitë e këtyre zonave për të fjetur, pasi nuk arrinin ta bënin brenda ditës dhe këtë e faktojnë edhe banorët e zonave të cilët tregojnë se si në banesat e tyre kanë ndalur për të bujtur natën, udhëtar nga Dibra. Qarkullonin shumë me karvanë.

Këtë gjë do të bëjmë edhe ne, do të ndalojmë të flemë nëpër fshatra. Kjo është një maratonë që i troket fshatit në derë, që e bën atë të gjallë dhe për më tepër na bënë të gjithëve ne ta njohim, pasi dihet, tashmë këto zona janë braktisur masivisht, kanë mbetur shumë pak banorë.

-Jeni organizuar me banorët e zonës ku do të kaloni natën?

Po, patjetër. Kemi piketuar dy fshatra ku do të flemë. Një natë do e kalojmë në fshatin Valikardhë, në një kullë 200-vjeçare. Asaj i thonë kulla e Skënderbeut. Sipas historisë në fushën e Valikardhit janë bërë dy beteja të mëdha dhe të dyja i ka fituar Skënderbeu.

-Si është gjendja e fshatrave përgjatë kësaj rrugë dhe a mund të zhvillohet turizëm në to?

Po, është një zonë me atraksione të mëdha. Jam i sigurt që nëse dikush shkel në ato anë, do të na kërkoj gjithmonë ta bëjmë atë rrugë. Janë fshatra të jashtëzakonshme, me natyrë, histori por edhe produkte ushqimore plotë shije. Nëse kjo rrugë ofrohet si paketë turistike do të ishte një mundësi shumë e mirë për të zhvilluar zonën, për ta njohur atë, për t’i dhënë jetë këtyre fshatrave, por pse jo, për të njohur edhe një Shqipëri tjetër, që po e humbasim çdo ditë për shkak të indiferentizmit tonë.

Ka shumë histori për të treguar përgjatë rrugës dhe një prej tyre është edhe Ura e Vashave, për të cilën gojëdhënat thonë se është ndërtuar për t’i ardhur në ndihmë vajzave të një shtëpie atje, të cilat për shkak të fatkeqësive kishin humbur burrat e shtëpisë dhe jeta u ishte bërë e vështirë pa një urë nëpër të cilën duhet të kalonin bagëtitë. Arkitektura e asaj ure është e jashtëzakonshme. Duhet të jetë më shumë se sa 800-vjeçare dhe është end funksionale dhe shumë piktoreske.

-Deri më tani sa persona i janë bashkuar maratonës suaj?

Deri më tani janë rreth 100 persona që do e bëjnë këtë rrugë.

-Ata që vijnë duhet të paguajnë?

Po, vetëm koston e rrugës. Ose dikush që mund të vij mund të ketë dëshirë që t’i bëj vetë këto shpenzime. Ne kemi ndërtuar një program ku kemi caktuar ndalesat, vendet ku mund të konsumojmë drekën, darkën dhe ku do të flemë. Qëllimi ynë nuk është fitimi por promovimi i këtyre fshatrave, nëpër të cilat do të kalojmë, nga Tirana deri në Dibër të Madhe.

-Megjithatë ky është organizimi juaj i parë i këtyre përmasave, ndërsa nga ana tjetër ju jeni vazhdimisht aktiv si shoqatë, apo jo?

Po patjetër. Ne kemi motot tona, “Sporti për të gjithë” dhe “sporti për shëndetin”. Ne çdo fundjavë udhëtojmë, nuk e njohim makinën, kur na thonë që rruga është 50-60 km na duket një gjë normale. Secili nga ne ka profesionet e tyre ku impenjohet gjatë javës. Ecja në natyrë në fundjave na shërben si një re-start për trupin dhe trurin. Ecim, njohim vendin tonë dhe shijojmë bukuritë e tij. Duhet ta bëj kushdo, nëse do të ndihet mirë, fizikisht dhe mendërisht. Nëse e nisni këtë rutinë në jetën tuaj, do e shihni që nuk keni për t’ju ndarë më kurrë.

-A kanë filluar njerëzit të kalojnë më shumë kohë në natyrë?

Po, është e vërtet, përpara disa vitesh njerëzit as nuk e njihnin këtë lloj sporti, ndërsa tani grupet tona mbushen plotë.

Flash Lajme

Më të lexuarat