Përshtati në shqip: Arlinda Rexhmati

Ka shumë arsye se pse të gjithë ne duhet të mendojmë se çfarë duhet të bëjmë për një gjumë më të mirë dhe të rehatshëm.

Por, një studim i ri ka treguar për një lidhje mes gjumit dhe dietës, sidomos tek femrat.

Në një studim të fundit të grave nga 20 deri në 75 vjeç, studiuesit e Qendrës Mjekësore të Universitetit të Kolumbisë, zbuluan se, ashtu si dhe në studime të mëparshme, gjumi jo i mirë mund të çojë në dieta të kompromentuara tek femrat.

Në konsiderimin e cilësisë së gjumit, studiuesit regjistruan kohëzgjatjen e gjumit si dhe sa kohë u duhej grave që të binin në gjumë, dhe insomninë. Gratë raportuan gjithashtu edhe për zakonet e tyre të dietës ushqimore.

Studimi zbuloi se gratë që përjetonin insomni më të rëndë konsumonin më shumë ushqim në përgjithësi, dhe më pak yndyrna të pangopura, se sa gratë e tjera. Ato që kishin probleme me rënien në gjumë merrnin një sasi më të madhe të kalorive.

“Gjumi jo i mirë mund të çojë në teprim të konsumimit të ushqimit dhe kalorive duke stimuluar sinjale urie apo duke anashkaluar sinjalet e ngopjes,” u shpreh Faris Zuraikat, një nga autorët e studimit.

Zakonet e këqija në dietën ushqimore kontribuojnë në mënyrë të dukshme në sëmundje si obeziteti, diabeti i tipit 2 dhe sëmundjet e zemrës.

Nëse po vrisni mendjen se pse gratë në veçanti duhet të jenë të vetëdijshme rreth impaktit që zakonet e gjumit kanë në dietën e tyre ushqimore, kjo ka të bëjë fillimisht me gjumin që bëjnë gratë.

“Gratë janë veçanërisht të predispozuara për të pasur shqetësime me gjumin gjatë jetës së tyre, sepse ato shpesh kanë shumë përgjegjësi, si kujdesi për fëmijët dhe familjen e më vonë për shkak të hormoneve menopauzale,” tha Brooke Aggarwal, autorja kryesore e studimit.

Kështu, në mënyrë që të eleminohen këto probleme, studiuesit rekomandojnë që të bëni disa ndryshime në stilin tuaj të jetësës, në mënyrë që të flini më mirë, duke bërë që dhe dieta juaj ushqimore të jetë më e shëndetshme.

Burimi: mbghealth

Flash Lajme

Më të lexuarat