Edhe pse arsyet që kanë njerëzit për t’u stërvitur janë të ndryshme, në fund të fundit të gjithë kërkojnë të njëjtën gjë: Të arrijnë rezultate.

Dikush kërkon të ketë një zemër të shëndetshme,  një tjetër kërkon të dobësohet, dikush do të shtojë masën muskulare, të formojë pllakëzat në bark, të ketë vithe të rrumbullakosura;  dhe ka nga ata që po stërviten për një garë.

Dobësimi dhe rritja e masës muskulare kërkojnë që të ndryshoni strukturën (përbërjen) e trupit tuaj.

Dhe nëse janë pikërisht këto të dyja që po kërkoni dhe nuk po shihni rezultate, dijeni se në lojë futen shumë faktorë, siç janë gjumi, stresi, gjendja shëndetësore, gjenetika, regjimi ushqimor si dhe mënyra e stërvitjes.

Por është gjithashtu e rëndësishme që synimet tuaja të jenë të arritshme dhe realiste bazuar në kohën dhe energjinë që i dedikoni stërvitjes.

“Ajo që funksionon për dikë tjetër, nuk funksionon për ty”

Stërvitja nuk është një detyrë e thjeshtë, ne jemi të gjithë të ndryshëm dhe ajo që funksionon për dikë nuk funksionon për dikë tjetër.

“Njerëzit ndjekin rrjetet sociale dhe shohin programe të ndryshme ushtrimesh, por jo çdo gjë që shihet aty mund të kopjohet. Që të arrihen rezultatet duhet të ndiqet një program i mirëffilltë stërvitor duke marrë parasysh disa komponentë si mosha, gjinia, pesha si dhe gjendja shëndetësore“, shprehet specialisti i Fitnessit Vullnet Manushi.

“Caktoni objektiva të arritshme”

Manushi shpjegon se koha që i dedikoni stërvitjes është e rëndësishme. “Nuk mund të fillosh stërvitjen në mars dhe në prill, për t’u dukur bukur në qershor. Nëse bëni një stërvitje të rregullt, minimalisht tre herë në javë, atëherë duhen të paktën tre muaj që të shihni rezultate“, thotë ai.

“Flini dhe pushoni mjaftueshëm”

Gjumi është i çmuar sidomos në jetën sportive, sepse ka të bëjë me procesin e rikuperimit. Problemet me gjumin shkaktojnë ndryshime në aktivitetin e trurit duke bërë që ky i fundit të kërkojë më shumë ushqim

“Ndryshoni rutinën”

Nëse bëni të njëjtat ushtrime dhe disiplinë gjatë gjithë kohës, trupi do të mësohet me njëjtin intensitet dhe për më tepër muskujt e përfshirë do të jenë gjithmonë të njëjtët. Kështu që herë pas herë sfidoni veten, shtoni peshat, bëni ushtrimi që s’i keni bërë më parë, ndryshoni disiplinën.

“Ushqimi dhe stërvitja ecin përkrah njëra-tjetrës”  

Cilado qofshin synimet tuaja, ato kanë një emërues të përbashkët: Ushqyerjen. Të mendosh se mund të hash çfarë të duash meqë po stërvitesh çdo ditë, është e gabuar.

Ushqyerja dhe stërvitja ecin përkrah njëra-tjetrës, nëse nuk kombinohen të dyja harrojini rezultatet. Nuk mund të ulësh barkun pa shmangur ushqimet që shkaktojnë fryrjen e tij (brumërat, alkooli).

Nuk mund të ndërtosh masë muskulare nëse në dietën tënde nuk ka mjaftueshëm karbohidrate dhe proteina. Dhe nuk mund të kesh një zemër të shëndetshme nëse nuk “zhduk” nga dieta yndyrnat. Por ekziston edhe rasti i kundërt: Nuk po hani mjaftueshëm.

Nëse po lini vaktet për t’u dobësuar atëherë do të arrini efektin e kundërt. Ulja në mënyrë drastike e numrit të kalorive do të bëjë që trupi, për të përballuar mungesën, të reagojë duke ngadalësuar metabolizmin. Kjo jo vetëm që do të pengonte dobësimin, por do ju bënte të ndjeheshit më të lodhur“, shpjegon Vullnet Manushi.

dardania.com

Flash Lajme

Më të lexuarat