Ditën e sotme shënohet 20-vjetori që kur trupat e NATO-s  u futën në Kosovë, duke i dhënë fund masakrave dhe shovinizmit serb mbi qytetarët e Kosovës.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, i parapriu një lufte të ashpër mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe (ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve) dhe pas shumë masakrave të kryera ndaj civilëve shqiptarë.

Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas marrëveshjes së Kumanovës ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson.

Me këtë marrëveshje, Serbia ishte detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova.

Dita e Çlirimit të Kosovës, së bashku me pavarësinë, konsiderohen si ngjarje që kanë shënuar kthesën më të madhe në histori.

Kosovarët nuk njohin pengesa sa i përket mënyrave të shumëllojshme për të falenderuar fuqitë perëndimore për ndërhyrjen ushtarake të tyre 20 vite më parë, për t’i dhënë fund luftës me Serbinë.

Plot 20 vite më parë, NATO nisi një fushatë ajrore 78-ditore bombardimesh mbi Serbi, gjë që çoi në tërheqjen e forcave të saj nga Kosova, ku shumica shqiptare ishte përfshirë në një luftë të ashpër me regjimin e serbit Slobodan Miloseviç.

Fushata e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara i dha fund një konflikti që shkaktoi mbi 13 mijë të vdekur, shumica e të cilëve shqiptarë të Kosovës, në atë që shënoi edhe kapitullin e fundit të shpërbërjes së Jugosllavisë.

Që prej atëherë, perëndimorët e veçanërisht amerikanët gëzojnë ende një popullaritet të palëkundur në Kosovë, një vend që shpalli Pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 me mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara.

Prishtina mban në gjirin e saj një statujë të Bill Clintonit në një bulevard të identifikuar pikërisht me emrin e tij, e për përurimin e të cilit presidenti amerikan u desh të vinte vet në vitin 2009.

“Sa herë të shikoni këtë statujë, dua të kujtoni se gjithçka dua për ju është një e ardhme e mirë, e dua të dini se do të bëj gjithçka mundem për t’iu mbështetur sa të kem jetë”, tha Clinton përpara një turme të ekzaltuar asokohe.

Bill Clinton ka zhvilluar një vizitë në Kosovë ditën e djeshme.

j.l./ dita

Flash Lajme