Krerët e shteteve të Europës Jugore u mblodhën në Maltë, një javë para samitit të Liderëve të BE-së që do të mbahet në Bruksel më 22 dhe 23 qershor.

Të pranishëm ishin Kryeministri i Italisë, Maltës, Spanjës, Greqisë dhe Portugalisë si dhe presidenti i Francës Emanuel Macron dhe ai i Qipros, Nicos Anastasiades.

Takimi vjen në një kohë kur në qendër të vëmendjes, pas zgjedhjeve për parlamentin europian janë pasardhësi i presidentit të Komisionit Europian Jean Claude Junker dhe kreu i ardhshëm i Bankës Qendrore Europiane.

Kryeministri italian Giuseppe Conte u tha të pranishmëve se shpreson që udhëheqësit e Europës Jugore të punojnë së bashku për interesat e tyre. Mediat e vendit fqinj shkruajnë se Italia mbështet një francez në postin e Bankës Qendrore Europiane, si pjesë e një plani që në bordin ekzekutiv të jetë edhe një italian.

Pjesë e diskutimeve ishte edhe mbështetja e Qipros në mosmarrëveshjet me Turqinë mbi pronësinë e depozitave të gazit natyror në det të hapur.

Macron u shpreh : “Turqia duhet të ndalë aktivitetet e saj të paligjshme në zonën ekskluzive ekonomike të Qipros dhe se BE nuk do të tregojë kufizime në këtë çështje”

Liderët biseduan edhe për zhgënjimin ndaj qëndrimeve të unionit që ende nuk ka një politikë gjithpërfshirëse për emigracionin.

j.l./ dita

Flash Lajme