Diplomati amerikan, Matthew Palmer ka pohuar se Rusia është duke bllokuar shumë procese në Ballkanin Perëndimor. Gjatë qëndrimit në Sarajevë ai foli edhe për çështjen e Kosovës.

Zëvendësi i ndihmësit të Sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën, Matthew Palmer ka deklaruar se SHBA angazhohet për një raport shumë të ngushtë partneriteti mes NATO-s dhe Bosnjë-Hercegovinës. Gjatë qëndrimit në Sarajevë, ai tha se SHBA-ja e mbështet Bosnjën në rrugën e saj të integrimeve euroatlantike.

“Programi kombëtar vjetor (të cilin do të duhej të hartonte B-H) do të mundësonte forcimin e raporteve të B-H me NATO-n. Por këtë punë duhet ta bëjnë autoritetet e B-H e jo SHBA“, tha Palmer, duke shtuar se vendi i tij e mbështet vendosjen e raporteve më të ngushta të mundshme mes NATO-s dhe B-H.

Palmer tha, se këtu bëhet fjalë për një çështje teknike dhe jo vendimin e anëtarësimit në NATO. “Kjo mundëson bashkëpunimin e NATO-s dhe B-H për forcimin e mekanizmave të mbrojtjes dhe sigurisë. Shpresoj se liderët e Bosnjës do të jenë në gjendje të arrijnë marrëveshje dhe të hartojnë programin e tyre të parë vjetor kombëtar“, tha diplomati amerikan.

Diplomati amerikan tha se SHBA dhe Rusia kanë qëllime të ndryshme në Ballkanin Perëndimor dhe në Bosnje-Hercegovinë. “

Themeli i politikës amerikane në Ballkanin Perëndimor është mbështetja e integrimeve euroatlantike. Kjo do të thotë anëtarësim në BE dhe në NATO për të gjitha vendet e Ballkanit, që duan të anëtarësohen. Rusët kanë qëllime të tjera në Ballkan. Ata duan të shohin rajonin e ndarë me një nivel të lartë të tensioneve. Rusët në vitin 2016 kanë sponsorizuar përpjekjet për puç në Mal të Zi. Kanë punuar kundër Marrëveshjes së Prespës dhe kanë bllokuar rrugën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut. Nuk ka dëshmi për të besuar se Rusia do të donte diçka tjetër në B-H”, tha Palmer.

Dipolomati amerikan tha se përpjekjet për zgjidhjen e statusit të Kosovës nuk mund të ndërlidhen me Bosnjë-Hercegovinën.

“Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë do të përmirësonte gjendjen e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, e kjo do të hapte edhe rrugën e Kosovës dhe Serbisë për anëtarësim në BE, që do të ishte shumë mirë edhe për B-H“, tha Palmer.

j.l./ dita

Flash Lajme