Ambasadori i Francës në Serbi, Frederic Mondoloni, komentoi këtë të premte vizitën e presidentit francez Emmanuel Macron më 15 dhe 16 korrik në Beograd.

Sipas Mondolonit, kjo vizitë tregon interesimin e Francës për Serbinë si “partneri i parë në rajon”.

Në vijim, ai tha se kjo vizitë shpreh edhe interesimin e shtetit francez për Ballkanin Perëndimor.

Ai tha”“Kjo tregon një interes të ri të Francës për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, dhe dëshirën që marrëdhënies dypalëshe me Serbinë – sigurisht partnerin tonë të parë në rajon – t’i japim një shtysë të re”.

Ambasadori njoftoi hapjen e një zyre rajonale të Francës në Beograd, për të ndihmuar në forcimin e lidhjeve “evropiane” dhe për të siguruar “tranzicionin drejt zhvillimit të qëndrueshëm”.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron pati thirrur një samit me vendet e Ballkanit Perëndimor më 1 korrik në Paris, mirëpo ai u anulua. Takimi, nën organizimin e Macronit dhe kancelares gjermane, Angela Merkel, ishte paralajmëruar gjatë një takimi të formatit të ngjashëm në Berlin, në fund të prillit.

Të dy udhëheqësit evropianë kishin provuar të bindin Kosovën dhe Serbinë të vazhdojnë dialogun, mirëpo palët nuk ishin tërhequr nga pozicionet e tyre.

Serbia kërkon heqjen e taksës ndaj mallrave serbe, në mënyrë që të vazhdojë dialogun, ndërkohë Kosova insiston në një kornizë marrëveshje për dialogun, i cili duhet të prodhojë njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.

e.ll. / dita