Shefi për çështje bërthamore i Rusisë ka deklaruar se ky shtet do të vazhdojë të zhvillojë armë të reja bërthamore. Zotimi vjen në një kohë kur pesë studiuesit që ndërruan jetë si pasojë e një shpërthimi gjatë testimit të një pajisjeje bërthamore po varroseshin.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare të bazuara në citimet anonime  cituar të disa zyrtarëve amerikanë të inteligjencës, Rusia ka qenë duke testuar “një lloj të ri rakete bërthamore” dhe se shpërthimi “mund të jetë një nga aksidentet më të këqija bërthamore në rajon pas Çernobilit”.

Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara, “kanë mësuar shumë nga shpërthimi”. Duke iu referuar dyshimit se Rusia po zhvillonte një lloj të caktuar rakete bërthamore, Trump shtoi se “shpërthimi ka shqetësuar shumë njerëz për ajrin, objektin dhe aspekte të tjera”.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë fillimisht se si pasojë e shpërthimit kanë vdekur dy persona dhe gjashtë të tjerë janë plagosur.

Mirëpo, agjencia për fuqi atomike e kontrolluar nga shteti, Rosatom, ka pranuar se pesë punëtorë kanë vdekur, dhe tre janë plagosur.

Pas shpërthimit është evidentuar një rritje e shkallës së rrezatimit në Severodvinsk, që gjendet rreth 40 kilometra në lindje të zonës së testimit, mirëpo sipas zyrtarëve një gjë e tillë nuk përbën rrezik.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka insistuar se nuk ka pasur rrezatim dhe nuk ka identifikuar llojin e raketës që ka qenë duke u testuar.

Edhe në të kaluarën, Rusia ka mbajtur të fshehura incidentet e mëdha, duke përfshirë shpërthimin e centralit bërthamor të Çernobilit, që tashmë gjendet në Ukrainë.

e.ll./dita

Flash Lajme