Në një konferencë të përbashkët për shtyp këtë të hënë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradihaj dhe kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, kanë konfirmuar marrëveshjen për një  koalicion parazgjedhor.

Kryetari i PSD ka thënë për mediat se në zgjedhjet e parakohshme, këto dy parti do të garojnë në një listë zgjedhore, ndërsa kandidati për kryeministër do të jetë nga radhët e AAK-së.

Ahmeti u shpreh:“Pas negociatave që kemi pasur ndërmjet dy subjekteve tona, kemi arritur marrëveshje që në zgjedhjet e ardhshme, PSD dhe AAK do të garojnë bashkë. Ky është një bashkëpunim edhe politik edhe zgjedhor, duke marrë parasysh disa vija të bashkëpunimit që i kemi pasur edhe në vitet e kaluara, por që janë zgjeruar në fusha të tjera, me të cilat do të garojmë bashkë me një program të përbashkët qeverisës”.

Ndërkohë kryetari i AAK, Haradinaj shtoi: “Sot është përmbyllja e një pune të përbashkët, jo të lehtë. Kjo punë ka pasur për bazë qëllimet programore të PSD-së dhe AAK-së dhe kemi arritur që të bashkojmë ekspertizat më të mira që kemi në parti. Jemi të hapur për bashkëpunim me Nismën dhe AKR. Me këto parti që kemi edhe një komunikim të ndërsjellë. Nuk synojmë PAN 2 apo PAN 3, nuk jemi pjesë e skenarëve për një PAN të ri dhe këtë e themi me përgjegjësi”.

Diskutimet për koalicion dhe zgjedhje të parakohshme kanë nisur pasi Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës më 19 korrik të këtij viti, pas ftesës që iu bë për intervistim nga Gjykata Speciale e Hagës në cilësinë e të dyshuarit.

Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë këtë enjte, më 22 gusht, një seancë të jashtëzakonshme, ku edhe pritet të bëhet shpërndarja e tij.

e.ll./dita

Flash Lajme