Hapja për një kohë të shkurtër e kufirit mes Hungarisë dhe Austrisë para 30 vjetësh, konsiderohet si çarja e parë e Perdes së Hekurt. Merkel dhe Viktor Orban kujtojnë eksodin masiv të qytetarëve të RDGJ-së.

Më 19 gusht 1989 më shumë se 600 qytetarë nga Republika e atëhershme Demokratike Gjermane arritën të kalonin kufirin hungarez në Sopron dhe të hynin në Austri përmes një porte kufitare të hapur për disa orë. Ky eksod i qytetarëve, që nisi nga një piknik paneuropian shënoi edhe çarjen e parë të fortë pas Perdes së Hekurt. Pak muaj më vonë ra edhe Muri i Berlinit.

Më 19 gusht 1989 policët austriakë të kufirit hapën portën kufitare dhe qytetarë të RDGJ-së shfrytëzuan një piknik paneuropian për të kaluar në perëndim.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe kreu i qeverisë hungareze, Viktor Orban këtë të hënë morën pjesë në një meshë fetare në Kishën Evangjeliste në Sopron, ku Merkel mbajti edhe një fjalim. Merkel ka vlerësuar kontributin hungarez për bashkimin gjerman.

“Ky vend në vitin 1989 pati guximin të hapte kufijtë, me këtë hap Hungaria u mundësoi njerëzve në RDGJ kalimin në perëndim. Ky ishte një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të rënies së Murit të Berlinit dhe bashkimit të Gjermanisë”, ka thënë Merkel.

Marrëdhënie të ftohta

Marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Hungarisë janë ftohur ndjeshëm vitet e fundit. Shkas për këtë largim mes dy vendeve ka qenë qëndrimi i ndryshëm në politikën e migracionit. Orban e kritikoi ashpër politikën gjermane të mirëseardhjes të vitit 2015, duke sulmuar personalisht edhe Merkelin. Qëndrimet e ndryshme për politikën e migracionit vazhdojnë të mbeten, pohoi zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert të premten.

Gjermania është e shqetësuar për dobësimin e demokracisë në Hungari nën kryeministrin, Viktor Orban, i cili njihet për qëndrimin euroskeptik dhe prorus. Hungaria e sheh veten si vend pararojë të demokracisë iliberale. Që nga viti 2014, kancelarja gjermane nuk ka qenë më për vizitë në Hungari. Viktor Orban qeveris që nga viti 2010 në Hungari.

Para vizitës së Merkelit, nga Budapesti erdhën tone pajtuese. “Kush tjetër do mund të tejkalonte linjat ndarëse europiane mes perëndimit dhe lindjes, nëse jo hungarezët dhe gjermanët me historinë e tyre të përbashkët“, tha ambasadori hungarez në Berlin, Peter Györkös për gazetën “Stuttgarter Zeitung” und “Stuttgarter Nachrichten”.

j.l./ dita

Flash Lajme