Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara ishin shumë të qartë për sa i përket kompanisë kineze Huawei, dhe se ai nuk besonte se përfshirja e kësaj kompanie në “listën e zezë amerikane” do të bllokonte marrëveshjen tregtare me Pekinin.

Ai u shpreh:”Kërcënimi për të pasur sisteme kineze të telekomit brenda rrjeteve amerikane, ose brenda rrjeteve në të gjithë botën, paraqet një rrezik të madh, një rrezik të sigurisë kombëtare”.

Në muajin maj, Uashingtoni e përfshiu në “listën e zezë” Huawei-n, duke pretenduar se kompania kineze është përfshirë në aktivitete në kundërshtim me sigurinë kombëtare të SHBA-së, ose interesat e politikës së jashtme.

Të hënën, Shtetet e Bashkuara thanë se kanë zgjatur afatin, që lejon Huawein të blejë komponentë nga kompanitë amerikane për të furnizuar klientët ekzistues. Por, në të njëjtën kohë, autoritetet amerikane shtuan më shumë se 40 njësi të Huawei-t në listë.

Në një deklaratë zyrtare, kompania kineze i ka hedhur poshtë akuzat sërish, raporton Dita duke iu referuar mediave nderkombetare.

e.ll./dita