Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë se brenda 30 ditësh mund të gjendet një zgjidhje lidhur me mosmarrëveshjet rreth daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja.

Merkel foli për çështjen e kufirit irlandez, që paraqet edhe pikën kryesore të mosmarrëveshjeve ndërmjet Londrës dhe Brukselit.

Duke folur në një konferencë për media, së bashku me kryeministrin britanik, Boris Johnson, ajo theksoi se i takon Britanisë së Madhe të ofrojë një plan të zbatueshëm.

Merkel tha se plani kërkon një “qartësi absolute” mbi marrëdhëniet e ardhshme pas Brexit midis Britanisë së Madhe dhe BE-së.

BE-ja ka thënë vazhdimisht se marrëveshja e Brexit-it, e negociuar nga ish-kryeministrja, Theresa May, nuk mund të rinegociohet.

Kryeministri Johnson ka këmbëngulur se Britania e Madhe dëshiron të largohet nga BE-ja me një marrëveshje të rinegociuar të tërheqjes, por që sipas tij edhe nëse nuk do të ndodhë diçka e tillë, vendi do të dalë nga BE-ja më 31 tetor.

j.l./ dita

Flash Lajme