Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i ka dërguar letër Kongresit Amerikan duke i bërë me dije krimet dhe gjenocidin që Serbia ka kryer në Kosovë gjatë viteve ‘98-‘99.

Ky hap vjen pas mohimit që zëra serbë, edhe në pushtet, i bënë masakrës famëkeqe të Rrecakut

“Është e njohur ndërkombëtarisht se nën regjimin brutal të Sllobodan Millosheviçit, shqiptarët në Kosovë ishin viktima dhe objektiv i një dhune sistematike.

Si pasojë, rreth një milion kosovarë, më shumë se gjysma e popullsisë, janë detyruar të largohen nga Kosova, me një gjysmë milioni të tjerë të zhvendosur brenda vendit.

Në total, rreth 90 përqind e popullsisë etnike shqiptare u bënë refugjatë ose persona të zhvendosur. 13.535 u vranë. Në mesin e tyre ishin 1230 fëmijë, duke përfshirë bebet dhe fëmijë tjerë të vegjël”, thuhet në letrën e Veselit, e cila pritet t’u përcillet dhe institucioneve europiane.

Si provë të krimeve serbe, Veseli potencon dhe qindra të zhdukur, fati i të cilëve nuk dihet ende. Më konkretisht, Veseli kërkon hartimin e një rezolute për këto krime.

“Në emër të Kuvendit të Kosovës, dëshiroj t’ju ftoj ju dhe kolegët tuaj për të bërë të mundur njohjen formale e padrejtësisë historike që është bërë kundër popullit tim.

Kjo mund të bëhet përmes një rezolute që vë në dukje dhe dënon krimet kundër njerëzimit që kanë ndodhur në Kosovë”,thuhet në letër.

b.b/dita

Flash Lajme