Këtë të enjte, Papa Francesku vendosi rregulla të reja botërore në lidhje me abuzimin seksual në Kishën Katolike.

Rregullat e reja kërkojnë që deri më 1 qershor 2020, të gjitha dioqezat katolike në mbarë botën të kenë një sistem “publik dhe të aksesueshëm”  funksional për të raportimin e abuzimit.

Duhet theksuar se normat e reja i referohen procedurës së brendshme të Kishës Katolike, dhe nuk kanë lidhje me raportimin e abuzimit apo mbulimit nga autoritet jo klerike dhe jo të varura nga Kisha Katolike.

Kryepeshkopi Charles Scicluna, hetuesi kryesor i Vatikanit për abuzimin seksual, beson se rregullat e reja shtojnë një shtresë përgjegjësie për udhëheqësit e kishës, që, sipas tij, “duhet të jenë të ndërgjegjshëm se nëse njerëzit e duan kishën, ata do e denoncojnë gabimin” .

Ndërsa shumica e kishave katolike në Shtetet e Bashkuara dhe Europë e kanë këtë sistem, normat e reja do implementohen edhe nga vendet që nuk kanë sisteme të mirëfillta për raportimin e abuzimit seksual dhe adresimin e tij nga autoritet e kishës.

Ndërsa klerikët e Kishës Katolike janë akuzuar për një numër të lartë abuzimesh seksuale në shumë vende të botës për dekada me rradhë, implementimi i masave konkrete nga papa shton shpresën se sistemi do të minimizojë jo vetëm abuzimin seksual me të mitur dhe të rritur vulnerabël, por edhe abuzimin me pushtetin apo dhunën fizike nga ana e klerikëve katolikë, bën me dije Dita, duke iu referuar mediave ndërkombëtare.

e.ll./dita