Entela Resuli

Jo të gjithë njerëzit arrijnë të bëjnë punën që duan e për më tepër jo të gjithë trajtohen mirë në ambientet ku punojnë.

Është e rëndësishme që të kuptohet se, nëse punon nën stres patologjik, atëherë edhe prodhimtaria do të jetë e ulët.

Në vendet ku ka pasiguri për vendin e punës, ku e ndjen dhe e kupton se të nesërmen, për arsye nga më të ndryshme, ti mund të mos jesh aty, atëherë niveli i ankthit te njerëzit rritet.

Kjo gjendje nuk u shërben të dyja palëve, si punëdhënësit, ashtu edhe punëmarrësit. Deri sa të kuptohet kjo, atëherë do të kemi probleme me rezultatet në punë, probleme me gjendjen shpirtërore të punonjësve, dhe çka është më e “rrezikshme”, kur këto probleme shkojnë brenda në familje, kur cenojnë harmoninë e saj.

Arjana Rreli është mjeke psikiatre. Çdo ditë, në punën e saj takon njerëz që përjetojnë ankth dhe tres, edhe për shkak të punës.

Në lidhje me këtë temë, Rreli shprehet për Dita-n se: “Janë rritur faktorët stresues, pasiguria në vendin e punës, pamundësia për të gjetur punë, por edhe konfliktet brenda familjes rrisin nivelin e stresit, gjë që rrit nivelin e ankthit. Diçka që po ndryshon vitet e fundit në Shqipëri është mungesa e kompleksit për të pranuar kur kanë probleme, njerëzit po ndërgjegjësohen për të kërkuar ndihmë”, tha Dr. Rreli.

Mënyra se si e përjeton një situatë një individ ndryshon nga tjetri. Jo të gjithë janë njëlloj.

“Njerëzit që janë më të ndjeshëm, që janë shumë të përgjegjshëm ndaj detyrave që marrin, ata që punojnë në profesione që i vënë përpara detyrimeve për të pasur kufizime në kohë për të arritur objektivat, janë më të prirë për t’u stresuar. Po ashtu, edhe personat që janë analitikë, që analizojnë në detaje një ngjarje apo bëjnë analiza të thelluara të punës, të raporteve të tyre me të tjerët.

Edhe njerëzit që synojnë të arrijnë përsosmërinë, që i duan gjërat e veta deri në imtësi të realizuara në mënyrë të përkryer janë të predispozuar për t’u prekur më tepër nga çrregullimet e stresit dhe të ankthit”, thotë znj. Rreli.

Shkak tjetër, që përmend mjekja janë dhe stresorët e jashtëm: një njeri që është në kërkim të një pune, që nuk ka gjetur dot shpërblimin për një investim në një vend pune.

Më tepër, doktoreshë Arjana Rreli flet në këtë intervistë në Dita.

-Doktoresha, në varësi të ankesave që ka një person, arrini të kuptoni profesionin e tij?

Më së shumti, ankesat e shfaqura janë të lidhura me gjendjen e ankthit. Në fakt, sot më shumë se kurrë ankthi është përfaqësuesi i problematikave të shëndetit mendor dhe çdo kush që kërkon të jetë në krye të aktiviteteve sipërmarrëse të tij ankon këtë gjendje.

Eksperienca dhe ndonjëherë edhe intuita na bëjnë që të hamendësojmë për profesionin që mund të ketë pacienti, por pyetja për llojin e aktivitetit që merret personi për profesionistët e shëndetit mendor, është shumë domethënës. Kjo na bën që të vlerësojmë llojin e ngarkesës fizike dhe emocionale që mund të ketë shkaktuar gjendjen për të cilën personi vjen të ankojë.

-A ka punë që shkaktojnë më shumë stres dhe të tjerat më pak apo kjo varet nga personi se si i përjeton ato?

Sigurisht që çdo punë që personi ndërmerr mund të shkaktojë stres, pasi vetëm të mendojmë se në fillimet e gjithçkaje, jemi para të panjohurës, na duhet të përshtatemi me kushtet e reja të ambientit dhe të vendosemi në raporte të reja me kolegë të rinj, kjo na bën që të përjetojmë më tepër emocion.

Duke qenë se secili nga ne është i ndryshëm nga njëri–tjetri këto emocione variojnë. Ka persona që analizojnë shumë, kërkojnë t’i paraprijnë situatave ose i përjetojnë më tepër ato, duke bërë që të instalohet më shpejt dhe më shumë gjendja e ankthit.

Ndërkohë, edhe profesionet kanë ngarkesa të ndryshme, por përgjithësisht, lodhja fizike rikuperohet shumë më shpejt se sa lodhja mendore, gjë që duhet të mbahet parasysh nga punëdhënësit.

-Sa ndikon stresi në produktivitetin tonë në punë?

Shpesh përmendim se ka 2 lloje stresesh. I pari është ai normali, i cili na bën ne që të përfshihemi me të gjitha kapacitetet tona për të realizuar objektivin e vënë dhe për të arritur rezultatin. Është normal deri kur gjendja jonë nuk ka shkuar deri te alarmi i cili do të pengojë mirëfunksionimin tonë duke na bërë më pak efektivë. Është pikërisht ky kufiri i stresit normal me atë patologjik. Ky i fundit sigurisht që vonon reagimet tona pozitive, instalon gjendje që na turbullojnë si fizikisht edhe emocionalisht.

-Po pasiguria që kanë në përgjithësi njerëzit për vendin e punës a ndikon që ata të jenë në ankth për të ardhmen e tyre?

Pasiguria në vendin e punës ka ndikimet e veta. Parë nga dy këndvështrime, pasiguria në punë, nga njëra anë mund të jetë një shtysë për ta bërë profesionin më kërkues ndaj vetes, në mënyrë që të ky të përforcojë pozitat e tij në vendin e punës.

Nga ana tjetër, nëse pasiguria është e pajustifikuar, personi ka kërkesa mbi kapacitetet nga eprorët, kushtet janë të papërshtëshme për të zhvilluar normalisht aktivitetin e tij, raportet me kolegët janë të cenuara, etj. Kjo patjetër që do të ndikojë negativisht në produktivitetin e tij në punë, e sigurisht edhe për të përfituar të ardhurat dhe për të siguruar të ardhmen.

-Sa ndikon personaliteti dhe karakteri i njeriut në mënyrën se si e përjetoni ai stresin dhe ankthin në punë?

Personaliteti i individit është një tjetër element që ndikon në përjetimin emocional të lidhur me punën që ai ndërmerr. Në intervistat që çdo kush nga ne ka bërë kur ka aplikuar në një vend pune, është testuar përveç të tjerave edhe për personalitetin.

Kështu, individët që janë më tepër emotivë, të ndjeshëm, të përgjegjshëm, ata që analizojnë me detaje edhe kërkojnë të paraprijnë situatat dhe t’i kontrollojnë ato, që kërkojnë përsosmërinë dhe kanë pritshmëri të larta si për veten dhe për ambientin, sigurisht që përjetojnë më me tepër ankth dhe stres, krahasimisht me persona të tjerë që janë më tepër indiferent në sipërmarrjet e tyre.

-Cilat janë profesione që të sjellin më shumë ankth dhe stres?

Për sa i përket profesioneve që krijojnë më tepër ankth dhe stres, mund të përmendim të gjitha angazhimet që kanë pritshmëri të larta prej nesh dhe afate kohore për t’u kryer, për shembull ekonomistët, juristët, punonjësit e medieve, etj. Nga ana tjetër edhe arsimtarët, mjekët, menaxherët janë profesione që krijojnë më shumë gjendje ankthi për shkak të ngarkesës së lartë emotive dhe raporteve të ngarkuara me persona (që edhe ata nga krahu tjetër, kanë nivel të rritur stresi). Ushtarakët, gjithashtu janë përgjithësisht të stresuar, për shkak të personalitetit të tyre të veçantë dhe llojit të angazhimit dhe detyrave që ata mbartin.

-Ne si shoqëri a jemi më të stresuar, e për pasojë punojmë më pak, ose kemi rezultate më pak?

Është e vërtetë që shoqëria shqiptare duket më e stresuar. Vështirësitë e gjetjes së vendit të përshtatshëm të punës, pasiguria në vazhdimësinë e punës, ngarkesa e lartë dhe tejkalimi i orareve të punës, raportet e cenuara mes kolegëve, ndonjëherë edhe marrje përsipër e detyrave që nuk i përkasin (ose që nuk kemi aftësinë për t’i kontrolluar), sjell ulje të rendimentit dhe për pasojë rënie të vetëvlerësimit tonë duke precipituar në probleme dhe më të rënda në shëndetin tonë.

-A kërkojnë ndihmë njerëzit që kanë probleme në punë, a u drejtohen ata mjekëve?

Shpesh, në intervistat tona për ekzaminimin e gjendjes së përgjithshme dhe statusit mendor, ne gjejmë si stresor të fuqishëm edhe problemet në punë të individit. Janë pikërisht këto që paraqiten si ngacmues të përditshëm duke çuar në ngarkesa frekuente, që precipitojnë shqetësime dhe cënim të shëndetit mendor.

Përgjithësisht gjendjet stresante edhe në punë janë pjesë e problemeve të përditshme të pacientit që paraqet ankesa të shëndetit mendor.

-Doktoresha, doja të prekja me ju edhe një temë që ka të bëjë me largimin e shumë njerëzve nga Shqipëria, çfarë vëreni ju në këtë drejtim?

Sot, ka një tendencë që njerëzit të largohen për punësim jashtë, por kjo nuk lidhet vetëm me faktorin ekonomik. E them këtë se shpesh dëgjojmë edhe për të tjerë që kthehen në Shqipëri pas emigrimit të gjatë në vende të tjera, apo edhe të tjerë që kanë provuar të punojnë jashtë dhe janë rikthyer.

Secili prej nesh ka të drejtën të provojë, të tregojë aftësitë e tij ku të dojë dhe kur të dojë. E rëndësishme është të gjesh vetveten dhe të kënaqesh me atë që jep dhe vlerësimin për kapacitetin tënd.

-Sa e rëndësishme është puna për një person, e mbi të gjitha puna e mirëpaguar dhe mirëtrajtuar?

Puna është pjesë shumë e rëndësishme e jetës së secilit prej nesh, është ajo që na bën të provojmë sa aftësi kemi, si mund t’i tregojmë ato, si mund të përballojmë situatat në ambiente dhe në raport me të tjerët. Kjo na bën të vlerësohemi edhe nëpërmjet këtij procesi edhe të vetëvlerësohemi.

Në të gjitha rastet, kur raportet janë të ruajtura, pra ne ndjehemi në ekuilibrin proporcional të shfrytëzimit të energjive dhe aftësive tona me vlerësimin dhe shpërblimin në një ambient me harmoni sociale, kjo na bën të jemi më efektiv dhe me stresin minimal (jo patologjik) në punën tonë.