Pranvera Kola

Rrjedhja e vazhdueshme e hundëve, kolla, teshtimat, apo edhe lotimi i syve, janë ndër simptomat më të shpeshta që shfaqen gjatë kësaj periudhe pothuajse tek të gjitha grupmosha. Në përgjithësi këto shenja mund të jenë tregues të asaj që në gjuhën mjekësore njihet edhe si ftohja e zakonshme sezonale.

Mjekja infeksioniste Ilda Xhelili tregon për “Dita” faktorët që janë përgjegjës për shfaqjen e ftohjes së zakonshme sezonale, njohjen e shenjave klinike, kategoritë që janë më të rrezikuara, si dhe masat që duhet të marrim për ta parandaluar.

Sa të rrezikuar jemi nga ajo që njihet si ftohje e zakonshme?

Me ardhjen e vjeshtës dhe uljen e temperaturave të mjedisit rritet edhe mundësia për t’u prekur nga virozat e shumta stinore, ose siç e njohim në gjuhën e përditshme, “e ftohura e zakonshme stinore”. Çdo vit, i ftohti i zakonshëm prek miliona njerëz në të gjithë botën duke i bërë ata në jo pak raste të jenë të paaftë për në punë, ose për në shkollë.

Statistikat vlerësojnë se të rriturit preken nga rreth 2 deri 3 ftohje të tilla në vit, ndërsa fëmijët mund të përjetojnë deri në 8-12 episode të tilla. I ftohti i zakonshëm përfshin simptoma të tilla klinike, si: hundë të zëna ose rrjedhje të vazhdueshme nga hundët, kollë, dhimbje fyti, teshtitje, lotim të syve.

Çfarë e shkakton ftohjen e zakonshme dhe si përhapet?

I ftohti i zakonshëm i referohet një grupi simptomash të shkaktuara nga viruset. Rinoviruset janë shkaktarët më të shpeshtë të ftohjes së zakonshme, por janë identifikuar më shumë se rreth 200 viruse të shkaktojnë simptoma të tilla.

Këto lloj virozash transmetohen nga njeri person tek tjetri nëpërmjet kontaktit të duarve (për shembull kur shtrëngojmë duart me njeri-tjetrin), nëpërmjet stërklave të pështymës gjatë kollitjeve, apo teshtitjeve, si edhe nëpërmjet sipërfaqeve të kontaminuara me këto viruse (për shembull tavolinat nëpër lokale, shkolla, kopshte apo gjatë punës). Kuptohet që sa më i ngushtë të jetë kontakti me personat e prekur, aq më e madhe është mundësia për t’u infektuar.

Në vijim të shkrimit po detajojmë disa nga masat e përditshme që nuk duhet t’i neglizhojmë për të parandaluar ftohjen e zakonshme.

Larja e duarve

Së pari, lani duart shpesh. Larja e duarve për të paktën 20 sekonda mund të ndihmojë në parandalimin e sëmundjes sepse ndihmon në parandalimin e përhapjes së infeksionit. Përdorni një sapun të thjeshtë dhe ujë të rrjedhshëm duke u siguruar që t’i kushtoni rëndësi hapësirave midis gishtave dhe poshtë thonjve.

Mësojini fëmijët tuaj që ti lajnë duart siç duhet. Sigurohuni që t’i lani duart veçanërisht pas kollitjes, ose teshtitjes, si edhe përpara se të hani. Nëse sapuni dhe uji nuk janë të disponueshëm në momente të caktuara (për shembull kur jeni duke udhëtuar veçanërisht me transportin publik ku ka shumë njerëz), dezinfektantët e duarve me bazë alkooli janë një alternativë .

Pra është mirë që një shishe e tillë të jetë gjithmonë në çantën tuaj e sidomos të fëmijëve që frekuentojnë kopshte dhe shkolla.

Mos prekni fytyrën

Së dyti, shmangni prekjen e fytyrës suaj. Viruset mund të hyjnë në organizmin tuaj nëpërmjet zonave përreth hundës, gojës dhe syve. Është e rëndësishme të shmangni prekjen e fytyrës suaj nëse ekspozoheni ndaj një personi që është i ftohur, veçanërisht nëse nuk i keni duart e lara.

Lini duhanin

Së treti, mos pini duhan. Pirja e duhanit, por edhe qëndrimi në prani të duhanit irriton dhe dëmton fytin dhe mushkëritë, por mund të rëndojë edhe simptomat klinike të ftohjes së zakonshme siç janë dhimbja e fytit dhe kolla.

Një studim i kohëve të fundit tregoi se reagimi antiviral i organizmit tek duhanpirësit mund të shtypet, duke i bërë ata më pak të aftë për të luftuar infeksionin.

Mos përdorni sendet personale

Së katërti, nëse keni persona të prekur në familje me viroza, tregoni kujdes në përdorimin e sendeve personale qofshin këto të higjienës (peshqirë) qofshin të ushqyerjes (gota, pjata, peceta ).

Kjo është veçanërisht e nevojshme nëse në shtëpi ka fëmijë të cilët nuk janë të kujdesshëm në përdorimin e sendeve personale.

Higjiena

Së pesti, mbani të pastra sipërfaqet shtëpiake. Viruse mund të jetojnë në sipërfaqe për disa orë pasi preken nga një person i infektuar. Kushtojuni kujdes zonave që prekni më shpesh dhe pastrojini me uje e me solucion larës, ose desinfektant, si: për shembull tavolinat, banakët e kuzhinës, tastierat, telefonat, telekomandat, dorezat e rubinetave dhe të sirtarëve.

Pastroni lodrat e fëmijëve

Së gjashti, lani lodrat e fëmijëve. Fëmijët janë të predispozuar rreth katër herë më shumë se të rriturit të ftohen dhe shpesh viruset e ndryshme përhapen nga kontakti me lodrat. Kur pastroni të gjitha sipërfaqet shtëpiake, mos harroni të pastroni dhe dezinfektoni edhe lodrat e fëmijëve.

Kujdes duhet të tregoni me përdorimin e peshqirëve. Ata jo vetëm që duhet të jenë personal por edhe duhen ndërruar disa herë në ditë në raste të tilla pasi viruset mund të qëndrojnë aty për orë të tëra.

Më e mira gjatë infeksioneve virale do ishte përdorimi I letrare që të mund të hidhen pas përdorimit.

Mbani një mënyrë jetese të shëndetshme

Është e rëndësishme të jesh i shëndetshëm në çdo kohë, në mënyrë që nëse ftoheni, sistemi imunitar i organizmit tuaj të jetë i fortë dhe të mund të luftojë infeksionin.

Mbani një dietë të ekuilibruar me shumë fruta dhe perime, ushtrohuni fizikisht rregullisht dhe flini mjaftueshëm.

Kujdes me stresin

Së fundi do te shtoja, mundohuni të kontrolloni stresin edhe pse mund të jetë e vështirë. Gjatë stresit prodhohet hormoni i quajtur kortizol, i cili në vetvete ka veti antiinflamatore (antiinfeksioze ).

Stresi kronik shkakton një mbiprodhim të këtij hormoni, i cili nga ana tjetër bën që sistemi imunitar t’i rezistojë atij. Studimet kanë treguar që kur personat e stresuar në mënyrë kronike i ekspozohen viruseve që shkaktojnë ftohjen, organizmi i tyre është më pak i aftë që të luftojë inflamacionin e shkaktuar nga këto viruse pasi përgjigja e tyre antiinflamatore (antiinfeksioze) nuk funksionon ashtu siç duhet.

Flash Lajme