Kur kirurges të sistemit nervor, Dr Susan Mackinnon i nevojitej ndihmë për të përfunduar një operacion, ajo arriti të gjente zgjidhje në një libër të anatomisë të mesit të shek XX, shkruan BBC, në një artikull kushtuar librit nazist të anatomisë.

Falë ilustrimeve komplekse të bëra me dorë, duke treguar trupin e njeriut në pjesët e tij të brendshme, Dr. Mackinnon nga Universiteti i Uashingtonit, ishte në gjendje të përfundonte procedurën e saj.

Libri që ajo kishte përdorur ishte, Anatomia Topografike e Njeriut Eduard Pernkopf.

Lëkura, muskujt, tendinet, nervat, organet dhe kockat janë zbuluar në këtë libër në detaje grafike. Libri nuk është për zemër të dobët. Por ai, i referuar shpesh si Atlasi i Pernkopf-it, nuk është më në shtyp dhe një grup i dorës së dytë mund të shitet për mijëra paund në internet.

Megjithatë, përkundër çmimit të madh, shumë pak do ta shfaqnin me krenari në klinikën, bibliotekën ose shtëpinë e tyre. Kjo për shkak se gjetjet e librit vinin nga trupat e qindra njerëzve të vrarë nga nazistët.

Kritikët thonë se libri është i njollosur nga e kaluara e tij e errët dhe shkencëtarët janë kapur në shkelje me etikën për përdorimin e tij.

Rabini Joseph Polak – një i mbijetuar nga Holokausti dhe profesor i ligjit të shëndetësisë –beson se libri është një “enigmë morale” sepse rrjedh nga “e keqja e vërtetë, por mund të përdoret në shërbim të së mirës”.

Libri ishte një projekt 20-vjeçar i një nazisti dhe doktori të shquar, Eduard Pernkopf, i cili u rrit nëpër radhët akademike në Austri falë mbështetjes së tij për partinë e Adolf Hitlerit.

Kolegët e tij e përshkruanin atë si një socialist “të zjarrtë” Kombëtar, i cili nga viti 1938,kishte veshur  uniformë naziste. Kur u bë dekan i shkollës mjekësore në Universitetin e Vjenës, ai shkarkoi të gjithë anëtarët hebrenj të fakultetit, përfshirë tre laureatë Nobel.

Në vitin 1939, një ligj i ri i Reichut të Tretë siguroi që trupat e të gjithë të burgosurve të ekzekutuar u dërguan menjëherë në departamentin më të afërt të anatomisë për qëllime kërkimore dhe mësimore.

Gjatë kësaj periudhe Pernkopf ka punuar 18 orë në ditë duke shpërndarë kufomat, ndërsa një ekip artistësh krijuan imazhe për librin e tij.  Dr Sabine Hildebrandt, nga Shkolla Mjekësore në Harvard, thotë se të paktën gjysma e 800 imazheve në atlas vinin nga të burgosur politikë. Ato përfshinin burra homoseksualë dhe lezbike, ciganë, disidentë politikë dhe hebrenj.

Mijëra kopje të atlasit u shitën në të gjithë botën, dhe u përkthyer në pesë gjuhë. Vetëm në vitet 1990 studentët dhe akademikët filluan me të vërtetë të pyesin se kush ishin njerëzit në atlas. Pasi u zbulua historia brutale, atlasi doli nga botimi në 1994.

Kolegji Mbretëror i Kirurgëve thotë se atlasi nuk është në përdorim në Mbretërinë e Bashkuar, përveç mbajtjes nga bibliotekat për qëllime historike. Sidoqoftë, një studim i fundit i Neurokirurgjisë i kirurgëve nervorë ka gjetur se 59% ishin të vetëdijshëm për Atlasin e Pernkopf, me 13% aktualisht ishin duke e përdorur atë. Nga ata që janë anketuar, 69% thanë se ishin të kënaqur duke përdorur atlasin para se të njiheshin me historinë e tij.

Dr Mackinnon thotë se libri është veçanërisht i dobishëm për operacione komplekse,  sepse i ndihmon asaj “të kuptojë se cili nga shumë nervat e vegjël që kalon përmes trupit tonë shkakton potencialisht dhimbjen”.

j.l./ dita

Flash Lajme