Vespat historike zbukuruan Pallatin e Brigadave në datën 1 ndërsa në datën 2 Nëntor pjalmuan kryeqytetin me xhiron tradicionale për t’u stacionuar më pas në Sheshin “Skënderbej”. Një bisedë me vespistin Shpëtim Ahmetaj

Entela Resuli

Fundjavën që lamë pas, aktiviteti N’Gaz, organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor mblodhi jo vetëm të pasionuarit pas makinave, por edhe ata që janë përdorues dhe koleksionues të motorëve.

E kemi fjalën për motorët Vespa të cilët janë shumë praktik në përdorim sidomos në rrugët plot trafik të Tiranës.

Vespisët ishin prezent jo vetëm në Pallatin e Brigadave ku pati një ekspozim të mjeteve retro, por edhe në sheshin Skëndërbej në kryeqytet.

Ata që e duan Vespën duan edhe festat.  Përdorues të këtij motori kishin ardhur edhe nga Kosova, Shkodra, Durrësi etj!

Të pasionuarit pas motorit Vespa në Shqipëri nuk janë pak. Ata kanë ngjirur edhe klubin e fanatikёve, “Vespa Klub Tirana” dhe tё paktën njё herё nё vit, secili me Vespa-n e tij, tё larё e tё llustruar, mblidhen nё kryeqytet nё njё paradё krenarie.

Kjo e fillim Nëntorit ishte një nga paradat e tyre. Klubi numëron rreth pesёdhjetё anёtarё aktivё, ndërsa mendohet se nё Shqipëri qarkullojnë rreth 150 ekzemplare epoke.

Shpëtim Ahmetaj është president i këtij klubi.

Ai është një vespist i njohur në kryeqytet, dhe kudo e sheh mbi “Violën” e tij, siç e thërret shpesh mjetin me të cilin qarkullon, jo vetëm në Tiranë.

Në këtë bisedë për Dita-n ai na ka treguar dashurin e tij për “Violën”, që  është emri i motorit që ai përdorë në të përditshmen e tij.

-Shpëtim, ti ke një marrëdhënie të veçantë me motorin Vespa, por mund të na tregosh kur ke filluar të njiheshe të dhe si është bërë ai pjesë e jotja?

Me Vespën jam njohur rreth moshës 11-12-vjeçare, por me xhiro të vogla dhe pa ndonjë simpati të veçantë. Në moshën 19 vjeç bleva rastësisht Vespën e parë. Që në ato kohë Vespa për mua është shumë më shumë sesa një mjet i thjesht transporti. Është motori i dashurisë. E kështu lindën dhe xhirot e para me vespa në grup, duke formuar të gjithë bashkë edhe shoqatën “Vespa Klub Tirana”.

-Pse e quan motorin e dashurisë?

Sepse është dashuri! E gjitha kjo intervistë, të gjitha fjalët që po them janë pasojë e dashurisë për Vespën. Pra, krijohet një marrëdhënie dashurie mes teje dhe Vespës. Por nuk është vetëm kjo, një nga “vardisjet” apo “ngacmimet” e bashkëshortes sime rreth 15 vjet përpara e që më bëri të mendoj që ajo më ka qejf ishte pikërisht nëpërmjet Vespës. E mbaj mend kur më tha: hë mo ti, nuk na bërë një xhiro me këtë motorin e bukur!? Më pas i bëra një xhiro dhe ajo u bë e dashura ime e më pas bashkëshortja ime. Bëmë muajin e mjaltit me Vespa në të gjithë bregun e jugut, gjë që është vërtetë një kujtim shumë i bukur. Tani këtë dashuri po e kultivoj edhe tek dy fëmijët tanë, ku djali i madh 9 vjeç është ndihmësi im kur i bëjmë shërbime Vespës, ndërsa i vogli 4 vjeç vdes të bëjë xhiro me Vespa. Vespa të bën të dashurosh natyrën, të dashurosh udhëtimet, të dashurosh vajzën që ke pasagjere (që të mbërthen me krahë se gjoja po mbahet nga frika) dhe të jep një ndjenjë lumturie teksa të rreh ajri fytyrën.

A ka motori yt një emër?

Vespa që e kam restauruar dhe që e përdor prej 5 vitesh, është një Vespa e vitit 1965 e cila quhet Viola. Viola sepse është ngjyrë violet.

-Shpëtim, ju organizoheni me njëri-tjetrin, keni bërë edhe udhëtimi në nëpër Shqipëri, çfarë ke parë dhe ke njohur nga lëvizjet që ke bërë. A ka një zonë që të pëlqen më tepër?

Kam parë thuajse të gjithë Shqipërinë në këto xhiro. Kam njohur vendin tim! Po, lugina e Valbonës dhe krahina e Kelmendit deri në Vermosh ishte: Uau.

E gjithë krahina e Kelmendit të linte pa fjalë. Duke filluar nga ballkoni i famshëm i xhamit tek Laqet e Hotit dhe deri në fshatin më në skajin verior të Shqipërisë Vermosh, ishte pa diskutim më e bukura në Shqipëri. Një ujë që nuk ngopeshe duke e parë, me një ngjyrë mes blusë dhe jeshiles.

-Shqipërinë e parë nga Vespa, si do e përkufizoje?

Dy fjalë: Yll bote!

– Çfarë të bën përshtypje në Shqipëri kur udhëton me Vespa?

Më bën përshtypje mungesa e vetëdijes së njerëzve dhe shtetit për të mbajtur dhe trajtuar siç duhet natyrën që na e ka dhuruar Zoti.

-Një tipar negativ që nuk po e përmirësojmë dot?

Dy tipare negative që unë do t’i quaja tmerr. 1. Hedhja e mbetjeve dhe plehrave kudo. 2. Shkatërrimi i lumenjve dhe i të gjithë ekosistemit me tuba gjigantë për të ndërtuar hidrocentrale. Një TMERR i vërtetë, tek shikoja shkatërrimin e lumit Valbonë dhe lumit Cem në Kelmend, më ka ardhur një ndjenjë urrejtje dhe neverie për qeveritaret tanë. Kam ndjerë një revoltë që më mbushnin sytë me lot nga keqardhja dhe vetëm shaja me të madhe kur i shikoja ato tuba si përbindësh.

-Një tipar pozitiv?

Tipar pozitiv kanë qenë fëmijët në të gjithë fshatrat. Ata na përshëndetnin me dorë duke na thënë “hello, hello” dhe na shoqëronin me vrap. Me siguri i ngjanim si të huaj…Ky tipar i sjelljes së fëmijëve më ka bërë të mendoj, që vendi ynë vizitohet nga shumë turistë të huaj dhe pikërisht tek ata fëmije është shpresa se në të ardhmen do të jetë më mirë për turizmin në Shqipëri.

-A janë të shumtë ata që e përdorin këtë motor në Shqipëri? A janë shtuar vitet e fundit?

Po, ka shumë dhe janë shtuar shumë vitet e fundit. Grupi ynë ka ndikuar për ringjalljen e shumë Vespave në Shqipëri. Vespa ndikon shtimin e ngjyrave në rrugët tona.

-Rruga me e gjatë që ke bërë me Vespa?

Ka qenë në vitin 2015, Tiranë-Zadar (Kroaci) 1400 kilometra vajtje-ardhje.

-Jemi në vjeshtë, kur ftohet koha a rrallohen udhëtimet tuaja?

Për një vespist vera nuk mbaron kurrë! Shiko; përtej batutës ka diçka të vërtetë. Në njëfarë mënyre kur ke shpirtin e aventurës, kur ke dashurinë për natyrën, kur dashuron udhëtimin me ndjesinë e ajrit që të përkëdhel fytyrën, pra; kur je vespist, vera realisht nuk mbaron kurrë. Udhëtimi me Vespa është diçka që ndjehet si ngrohtësia e diellit në trup, në damarë e në shpirt.

Flash Lajme