Muzeu Kombëtar “Shtëpia e Gjetheve” ka marrë vetëm pak minuta më parë me çmimin e parë në Paris.

Tematika e këtij muzeu është përkujtimi i dhunës psikologjike të regjimit komunist e i kontrollit të qytetarëve përmes përgjimeve nga ish-Sigurimi.

Mësohet se muzeu shqiptar ka mundur të sigurojë 11 vota pro në komisionin e vlerësimit ndaj muzeumeve, çfarë e ka shpallur fitimtar.

Ndërtesa e njohur si “Shtëpia me gjethe” (e quajtur kështu për shkak të bimës kacavjerrëse që mbulonte fasadën e saj) është kthyer tashmë në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve.

I hapur më 23 Maj 2017, ai është muzeu më i ri në Shqipëri dhe një nga më të veçantët që përpiqet t’u rrëfejë të rinjve dhe të huajve një nga periudhat më të errëta të historisë së vendit.

Pozicionuar në qendër të Tiranës, përballë Kishës Ortodokse “Ringjallja e Krishtit” dhe pranë Bankës Kombëtare, ndërtesa që strehoi për pak kohë Gestapon gjatë pushtimit të vendit në Luftën e Dytë Botërore, ka qenë Selia Qendrore e Përgjimeve të Shërbimit Sekret nga viti 1944 – 1991.

Ashtu si vetë historia e Shqipërisë nën diktaturën komuniste, që u instalua me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore dhe vazhdoi pothuajse një gjysmë shekulli, edhe “Shtëpia me Gjethe” për një kohë të gjatë ka qenë e mbështjellë me gjithfarë legjendash.

Duke hapur dyert e kësaj shtëpie dhe duke paraqitur veprimtaritë që janë kryer brenda saj, ky muze shpalos njëherësh pamje të shoqërisë shqiptare në kushtet e një regjimi që synonte kontrollin total mbi trupat, mendjet dhe shpirtrat e njerëzve.

Përgjime, kontrolle, spiunime që kanë sjellë arrestime, internime, tortura, dënime të rënda për shumë e shumë njerëz të pafajshëm.

Këto janë ato çfarë synon të shpalosë ky muze.

E konceptuar në 9 seksione, “Shtëpia e Gjetheve” përbëhet nga 31 dhoma të lidhura me koherencë mes tyre dhe çdo dhomë ka një funksion  të veçantë.

j.l./ dita