Entela Resuli – DITA

Nuk na ndodh shpesh të takojmë njerëz që studiojnë gurët kristalor. Fjorza Mullaji, prej 9 vitesh punon në këtë fushë, ajo është një eksperte e kristalo-terapisë. Studion dhe shpjegon fuqinë që gurët e ndryshëm kanë te njeriu.

Vajza më flok të kuqe, ka udhëtuar në shumë vende të botës si Turqi, Marok, Kinë, Brazil, për të studiuar më shumë rreth këtyre gurëve dhe për të sjell prej andej kristalet më të çmuara.

Jeta e saj ka ndryshuar, edhe prej kristaleve. Mullaji tregon se është me fat, pasi bën punën që do dhe pavarësisht se çfarë ndodh rreth e rrotull saj ajo është e qetë dhe me këmbë në tokë. Ka tjetër ndjesi për jetën,  fatin dhe të ardhmen e saj dhe këtë ia dedikon 100 për qind kristaleve.

Dita e Fjorzës është shumë e zënë, përveç punës ajo është edhe një nënë e përkushtuar.

Këto ditë ishte nën volumin e punës dhe stilimeve të reja. Megjithatë, ne folëm me Fjorzën për të mësuar më shumë rreth shkencës e kristaleve dhe energjisë që këto gurë mbartin.

Fjorza ka mbaruar studimet për “përkthim – interpretim” të gjuhës greke, “Shkenca politike” si dhe zotëron një master për “Administrim publik”, por zgjodhi të ndiqte pasionin e saj.

Asnjë nga studimet e mia nuk i nisa me idenë e punësimit, i bëra për kulturën time. Stiloj bizhuteri që në moshën 17 vjeç. Kjo ishte ëndrra ime. Ideale është të mos ndjekim trendët, por pasionet. Në qoftë se kemi talent në një fushë të caktuar, duhet ta kultivojmë me patjetër”.

Në këtë intervistë në “Dita”, Fjorza na flet më tepër për gurët dhe fuqinë e tyre.

-Fjorza, cila është lidhja juaj më gurët?

Unë stiloj bizhuteri me gur natyral prej 9 vitesh. Madje 5 vitet e fundit i sjell pranë klientëve tanë edhe në format e tyre të papërpunuara.

-Kur keni rënë për herë të parë në kontakt me gurët natyral dhe si i ke mësuar të dhënat e tyre?

Për të dhënat është dashur punë shumë vjeçare. Grumbulloj eksperienca në udhëtimet e mia të punës dhe i studioj në bazë të formulës kimike dhe vetive metafizike. Që kur zbulova gurët natyral para rreth 10 vitesh mbledh informacione nga ekspertët që takoj gjatë udhëtimeve për punë.

-Stiloni gjithçka vetë, është e vështirë, frymëzoheni diku?

Tashmë është pothuajse e pamundur ta bëj vetë gjithë punën. Kam 3 ndihmëse që pasi krijoj modelin ato e riprodhojnë për mua dhe më pas unë i jap dorën finale duke i mbyllur ato. Puna ime është shumë frymëzuese, kam çdo ditë ide të reja por shpesh nuk më del 24-orëshi

-A duhet t’i besojmë një guri, apo besimi na ndihmon në objektivin që kemi?

Energjia që përcjellin mineralet nuk kanë lidhje me besimin, është shkencë. Sigurisht që ka njerëz që janë më të hapur ndaj energjive dhe pranojnë më shpejt efektet e marra.

-Cilët janë gurët më interesant në syrin tuaj dhe nga ato çka ju keni studiuar?

Kemi një gamë prej 120-140 kristalesh dhe për mua të gjithë janë të veçantë, por gjatë periudhave të ndryshme disa prej tyre i dua më shumë, në këtë periudhë Azurite, labradorite dhe shungite më magjepsin.

-Po ata që kërkohen më vendin tonë?

Tashmë ndjekësit tanë marrin çdo kristal që ne ofrojmë gjatë periudhave të ndryshme. Janë disa që janë më të kërkuar si: Agata, Amethyst,  Tiger Eye,  Aquamarine, Botsëana dhe Blue Lace si dhe Obsidian.

-Fjorza ku i merrni gurët, a është e vështirë për t’i gjetur?

Tashmë ne kemi marrëveshje në Turqi, Marok, Kinë dhe pas 2 muajsh vjen furnizimi nga Brazil.   Sigurisht që ka qënë e vështirë që të arrija në këtë pikë, është punë dhjetë vjeçare

-Ju tashmë jeni një grua në biznes, i kujtoni fillimet tuaja?

Fillimet i kujtoj me shumë dashuri, jam po unë dhe e vlerësoj çdo punim dhe çdo qindarkë po njësoj. Kam qënë gjithmonë pranë klientëve dhe kjo më ka ndihmuar që të kuptoj shumë mirë nevojat e njerëzve dhe si të ndërtoj një biznes me themele të forta. Jam me fat që bëj punën që dua.

– A të kanë ndihmuar gurët në këtë sukses?

Kristalet më kanë ndryshuar 100 për qind jam e qetë dhe pozitive pavarësisht se çka problematikash dalin. Kam tjetër ndjesi për jetën,  fatin dhe të ardhmen.

-Çfarë duhet të bëj një i re ose e re për të ndjekur rrugën e biznesit?

Duhet të gjej një ëndërr të tij/saj dhe jo të ndjek prirjet e tregut. Kur kam folur për herë të parë për efektet e kristaleve dhe kristaloterapin njerëzit menduar se kam probleme… Sot ata kanë minimumi 3 byzylyk dhe 3-4 kristale nga dyqani im. Solla një frymë krejt të re në Shqipëri

-Mund të na tregosh veçorit e disa gurëve që ju përdorni në punën tuaj dhe që kanë energjinë e tyre? Cili është guri që duhet të kemi të gjithë me vete?

Kristalet zgjidhen sipas nevojave tona momentale për energji por janë disa kristale që janë të domosdoshme. Shungite redukton valët elektromagnetike të telefonave, wiffi dhe pajisjeve të tjera elektronike, Amethyst është kristali më i fuqishëm antistres, Rose Quartz promovon ndjesinë tonë të dashurisë,  Clear Quartz dhe Obsidian për shëndet të mirë, Citrine dhe Tiger Eye për para dhe sukses.

Flash Lajme

Më të lexuarat