Warning: "continue" targeting switch is equivalent to "break". Did you mean to use "continue 2"? in /home/dardania/public_html/dardania.com/plugins/system/jabuilder/helper.php on line 265
Polimialgjia reumatike, çfarë është dhe si duhet trajtuar!

Dhimbjet e vazhdueshme të muskujve dhe nyjeve, të cilat çojnë deri në ngurtësim të tyre duke penguar edhe lëvizjet e trupit, janë simptoma që paralajmërojnë për sëmundjen e cila në gjuhën mjekësore njihet si Polimialgjia reumatike.

Për shkak të ngjashmërisë së simptomave fillestare me shumë patologji të tjera, shpesh herë diagnostikimi i kësaj sëmundjeje mbetet i vështirë dhe vonohet në kohë.

Mjekja infeksioniste Ilda Xhelili tregon për “Dita” se çfarë është kjo sëmundje, faktorët që çojnë në shfaqjen e saj, simptomat dalluese për të cilat duhet të paraqiteni menjëherë kujdesin e specializuar mjekësor, si dhe kujdesin që duhet të tregoni në trajtimin e saj.

Ndonëse kjo sëmundje nuk mund të parandalohet, mund të merren masat e duhura për të shmangur ndërlikimet dhe efektet anësore të medikamenteve që duhet të përdoren për trajtimin e saj. Në vijim të shkrimit gjeni të gjitha këshillat që duhet të dini në lidhje me kujdesin për këtë sëmundje, e cila bëhet më e shpeshtë tek moshat mbi 50 vjeçare.

 Çfarë është Polimialgjia reumatike?

Me polimialgji reumatike kuptojmë një sëmundje të muskujve dhe të nyjeve (kyçeve) që karakterizohet me dhimbje të muskujve (mialgjia) dhe ngurtësim, duke ndikuar në gjithë lëvizjet e trupit. Dhimbjet muskulare dhe ngurtësimi përfshijnë kryesisht supet, krahët, qafën, mesin dhe zonën e vitheve. Kjo patologji prek kryesisht njerëzit që janë mbi moshën 50 vjeç. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nga kjo patologji nuk janë të rrezikuara edhe grupmoshat e tjera më të reja. Janë një sërë faktorësh që favorizojnë zhvillimin e kësaj sëmundjeje.

Konkretisht, cilët janë faktorët kryesore të rrezikut që ndikojnë në shfaqjen e polimialgjisë reumatike?

Shkaku i mirëfilltë që shkakton këtë gjendje ende nuk dihet, por hulumtimet e fundit sugjerojnë faktorin gjenetik, si një faktor të lartë rreziku për shfaqen e kësaj sëmundjeje. Studimet orientojnë rreth një stimulimi viral të sistemit imunitar në individë gjenetikisht të predispozuar për të zhvilluar këtë sëmundje. Rrallë kjo sëmundje mund të shoqërohet me kancer, por mund të themi që sëmundjet malinje mund të jenë shkaku i reagimit imunitar inflamator (infeksioz) për të shkaktuar simptomat klinike të poliomialgjisë reumatik.

 Si shprehet klinikisht polimialgjia reumatike?

Fillimi i sëmundjes mund të jetë i papritur. Pacientit mund t’i shfaqen dhimbje qafe, krahësh dhe të supeve. Këto dhimbje mund të çojnë në ndjesinë e dobësisë, të pafuqisë dhe të humbjes së funksionit lëvizës. Pacientët ndihen vazhdimisht të lodhur, pa energji edhe pa kryer asgjë. Ata kanë gjithashtu mungesë oreksi dhe rënie të shprehur në peshë. Në këto kushte, këta pacientë mund të bien edhe në gjendje depresive. Këto shenja janë më tepër të kuadrit të përgjithshëm, të cilat mund të vihen re edhe në shumë patologji të tjera. Për këtë arsye vënia e diagnozës kërkon vëmendje të veçantë për ta diferencuar nga sëmundje të tjera.

Si duhet të veprojmë për të përcaktuar qartë diagnozën e kësaj sëmundjeje?

Në radhë të parë merret një anamnezë e sëmundjes (historiku i sëmundjes) dhe kryhet një ekzaminim i kujdesshëm fizik i pacientit. Duhet vënë re me kujdes kufizimi i lëvizjeve, por edhe butësia e muskujve, ulja e tonusit muskular. Kyçet zakonisht nuk janë të fryra, por nganjëherë edhe mund të jenë (sidomos kyçet e vogla të duarve dhe gjunjët). Testimi i gjakut për shenja inflamatorë (infeksioze) në shumicën e rasteve rezulton pothuajse normal. Po ashtu në raste të caktuara janë të nevojshme edhe ekzaminimet radiologjike me rrezet X të cilat rezultojnë normale. Diagnoza është e bazuar në historinë karakteristike dhe të vazhdueshme të dhimbjeve muskulare dhe ngurtësimit, ndërkohë që testimet për inflamacion rezultojnë normale. Gjithashtu, nuk është e pazakontë që këta pacientë të kenë një ngritje të lehtë mbi normën të testeve të gjakut që tregojnë funksionimin e mëlçisë.

 Çfarë duhet të dimë sa i takon trajtimit të polimialgjisë reumatike?

Trajtimi i kësaj patologjie është i drejtuar në lehtësimin e dhimbjeve dhe të gjendjeve inflamatore nëse ato kanë nisur të shfaqen. Pacientët me simptoma të buta mund të përmirësohen ndjeshëm me preparate antiinflamatore jo kortikoidë (preparate jokortizonike), të tilla si: Aspirina, Ibuprofeni, etj. Ndërsa shumica e pacientëve që vuajnë nga polimialgjia reumatike përgjigjen mjaft mirë me doza të ulëta dhe të vazhdueshme të kortizonit (si për shembull prednisoloni). Rezultatet pas trajtimit me kortizon në fakt janë shumë të shpejta dhe të kënaqshme, karakteristikë kjo e polimialgjisë reumatike. Kjo terapi duhet të kryhet nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekut, pasi janë të njohura efektet anësore të preparateve kortizonike.

Cilat kategori duhet të tregojnë më shumë kujdes sa i takon trajtimeve që duhet të ndiqen?

Kujdes duhet të kenë pacientët që vuajnë nga aparati tretës (gastritis, ulcera), hipertensioni arterial (kortizoni ndikon në rritjen e presionit arterial të gjakut, po ashtu ndikon edhe ibuprofeni). Personat që përdorin aspirinë duhet gjithashtu të kenë kujdes problemet e stomakut, pasi ka rrezik për hemorragji dhe acaron ulcerat në aparatin tretës. Prandaj këto terapi duhet të aplikohen nën kontrolle të rrepta mjekësore.

 Për sa kohë duhet të vijojë trajtimi me këto preparate?

Dozat e preparateve kortizonike reduktohen gradualisht duke monitoruar shenjat klinike dhe testet e gjakut. Riaktivizimi i simptomave klinike mund të kërkojë rregullime periodike të dozave të preparateve kortizoniike. Disa pacientëve u mjafton trajtimi për 3-4 vite, por ka edhe raste që kërkojnë trajtime më të gjata.

 Cila është prognoza e polimialgjisë reumatike?

Perspektiva e pacientëve që vuajnë nga kjo patologji është e mirë. Trajtimi i vazhdueshëm i polimialgjisë reumatike bën të mundur shmangien e shpërthimeve të padëshiruara të sëmundjeve. Për shkak se preparatet kortizonike janë të lidhura më toksicitetin potencial të kockave, duke shkaktuar osteoporozën, mjekët duhet të kenë parasysh tek këta pacientë marrjen shtesë të kalciumit dhe të vitaminës D. Këta pacientë duhet të kryejnë sipas protokollit të trajtimit të sëmundjes testin e densitetit (dendësisë) kockore, për të bërë të mundur trajtimin në kohë të osteoporozës, madje edhe parandalimin (kjo është gjithashtu në raport edhe me moshën e pacientit).

 A mund të parandalohet kjo sëmundje?

Polimialgjia reumatike nuk mund të parandalohet. Masat parandaluese fokusohen në parandalimin e efekteve anësore të preparateve që përdoren për trajtimin e sëmundjes. Në çdo rast përdorimi i këtyre preparateve duhet të bëhet vetëm sipas këshillave të dhëna nga mjeku specialist që është duke ndjekur pacientin.

 Nëse nuk trajtohet në formën e duhur, me çfarë komplikacionesh shoqërohet kjo sëmundje?

Polimialgjia reumatike mund të çojë në humbje të funksionit të kyçeve nëse nuk trajtohet, por kjo përgjithësisht është e përkohshme. Komplikime të tjera mund të rezultojnë nga medikamentet e përdorura. Këto përfshijnë gjakderdhje në stomak , dëmtime të veshkave, ose oseteoporozën. Prandaj sa më të ulëta të jenë dozat e preparateve, aq më të pakta do të jenë edhe ndërlikimet e sëmundjes (kjo varet padyshim nga shkalla e sëmundjes).

p.k/dita

Flash Lajme