Qeveritë dhe kompanitë e teknologjisë, për herë të parë janë bërë bashkë për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm në internet. Nisma u ndërmor pas sulmit në dy xhami të Zelandës së Re në muajin mars.

Gjigandët e internetit dhe medias sociale përfshirë “Facebook”, “Youtube” dhe “Google” nënshkruan një marrëveshje të përbashkët për të eleminuar publikimet me përmbajtje të dhunshme dhe ekstremiste.

Nisma e quajtur “Christchurch Call” u ndërmor nga kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern dhe presidenti francez, Emmanuel Macron pas sulmit në dy xhami të Zelandës së Re në muajin mars.

Kompanitë e internetit janë angazhuar që të luftojnë materialet me përmbajtje terroriste dhe të dhunshme dhe t’i bëjnë rregullat e tyre mbi këto përmbajtje më të qarta për përdoruesit.

Shtetet e Bashkuara refuzuan t’i bashkohen nismës ndërkombëtare që synon të ndalojë përhapjen e terrorit në internet. Shtëpia e Bardhë tha se e mbështet qëllimin e “Christchurch Call” por nuk e pa të arsyeshme t’i bashkohej, duke cituar nevojën për lirinë e shprehjes.

Kompanitë, ku përfshihen edhe “Amazon”, “Twitter”, “Microsoft” dhe “Dailymotion” thonë se do të rishikojnë algoritmet dhe proceset e tjera që ndoshta i drejtojnë përdoruesit drejt materialeve me elemente terroriste dhe të dhunshme.

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, i ka konsideruar këto masa “hapat e parë në drejtimin e duhur”.

Facebook-u është zotuar se do të shpenzojë 7.5 milionë euro në teknologji si dhe ka njoftuar se do të kufizojë mundësinë për transmetim të drejtpërdrejtë në platformë.

Gjigandi teknologjik tha se fillimisht do të ketë paralajmërime për shkelje të rregullave të reja nga përdoruesit.

j.l./ dita

Flash Lajme