Pothuajse një milion këpucë dhe mbi 370. 000 furça dhëmbësh, ndodhen midis 414 milionë copave plastike, të gjetura në breg në ishujt e largët të Cocos në Oqeanin Indian.

Studimi, i cili u botua në revistën shkencore disa ditë më parë zbuloi se territori australian ishte mbushur me 238 tonë plastike.

Grupi i 27 ishujve të pabanuar, 2750 km nga Perth janë shitur tek turistët si “parajsa e fundit e paprekur e Australisë”.

“Pjesa më e madhe e mbeturinave ishin artikujt e konsumit me një përdorim të vetëm si gotat plastike, pipat, rripat, këpucët dhe sandalet”, tha Jennifer Lavers, eko-toksikologe detare e Universitetit të Tasmanisë, e cila udhëhoqi studimin.

“Ndotja e plastikës tani është e kudogjendur në oqeanet tona dhe ishujt e largët janë një vend ideal për të marrë një pamje objektive të vëllimit të mbeturinave plastike që po qarkullojnë globin”, tha Lavers në një njoftim për mediat.

Në vitin 2017, Lavers zbuloi hulumtime që treguan se largësia e Henderson Island në Oqeanin Paqësor Jugor kishte dendësinë më të madhe të mbetjeve plastike të raportuara kudo në botë.

Ishujt e Cocos kishin një dendësi më të ulët të plastikës sesa Henderson Island, por vëllimi ishte më i lartë se 38 milionë copë të Henderson Island që peshonte 17 ton.

 “Ndotja e plastikës është një kërcënim i dokumentuar mirë për kafshët e egra dhe ndikimi i saj potencial mbi njerëzit është një fushë në rritje e kërkimit mjekësor”.

“Zgjidhja e vetme është të zvogëlojmë prodhimin dhe konsumin e plastikës duke përmirësuar menaxhimin e mbeturinave për të ndaluar këtë material që çdo ditë e më shumë bëjnë pjesë në oqeanet tona”, tha Annett Finger nga Universiteti i Viktorias.

j.l./ dita

Flash Lajme