Mendimtarët e ndjerë nga Sokrati te Niçe janë e vetmja strehë kur bëhet fjalë për librat për ndihmë vetjake.  Por a mundet me të vërtetë një studiues i shekullit të XIX, të jetë një trajner i mirë për jetën.

A mundet që  studimi i Jean-Paul Sartre të jetë çelësi i një jetë të re?

Botuesit mendojnë se përgjigjja për të gjitha këto pyetje është “Po”. “Po” për librat që i pozicionojnë filozofët si guru për ndihmën vetjake e që janë tendenca e fundit në botime.

Vjeshtën e kaluar u botua “Mësime në Stoicizëm” nga John Sellars, i cili synon të tregojë sesi mund të përfitojmë nga të menduarit si stoikët e lashtë.

Dhe “Si të jesh ekzistencialist” nga Gary Cox, është një libër që ofron këshilla të qarta sesi të jetosh sipas parimeve të ekzistencializmit, të formuluara nga Niçe, Sartre, Camus, dhe filozofët e tjerë të mëdhenj ekzistencialistë.

Në tetor u botua “Si t’i mësoni filozofinë qenit tuaj?”, një hyrje e çuditshme për pyetjet e mëdha në filozofi nga Anthony McGowan, që fillon duke sugjeruar që studimi i filozofisë mund t’ju ndihmojë të bëheni një njeri më i mirë dhe përfundon duke marrë parasysh kuptimin e jetës.

E ndërkohë libri i botuar së fundmi “Një udhërrëfyes etik për Apokalipsin Zombie” nga Bryan Hall, imagjinon një skenar të tipit Walking Dead si një mjet për të njohur lexuesin me disa nga dilemat kryesore morale të hulumtuara nga mendimtarë si John Stuart Mill dhe Kant.

Të enjten botohet “Si të jesh dështak dhe të jetosh mirë”, nga Beverley Clack, e cila mbështetet në filozofi dhe teologji për të treguar sesi dështimi mund të të ndihmojë të jetosh një jetë të mirë, informon dardania.com

Dhe mes rafteve të librave mund të gjesh libra si ky i Aristotelit  “Si urtësia e lashtë mund të ndryshojë jetën tënde, udhëzuesi i mbijetesës së ekzistencialistit”, një manual për jetesën në shekullin e 21, kur  çdo krizë ndjehet si një krizë ekzistenciale.

Dhe dy libra kushtuar Nietzsche, “Çfarë do të bënte Nietzsche?” dhe “Get Over Yourself: Nietzsche for Our Times.”

Pse po kthehet në modë filozofia?

Gjatë shekullit të 20, filozofia u perceptua si një disiplinë e pluhurosur për specialistët, një fushë shumë sfiduese, ekspertët që ishin mbyllur në manastir argumentonin pafund mbi konceptin ‘errësirë’. Nuk kishte shumë lidhje me botën e vërtetë. Atëherë, pse po shkëputet nga akademia dhe po kthehet në modë tani?

Angie Hobbs, profesore e Kuptimit Publik të Filozofisë, Universiteti i Sheffield, beson se po ndodh sepse ne jemi në një pikë të krizës globale. “Unë mendoj se filozofia po lulëzon për të njëjtat arsye që filozofia etike, terapeutike, u hoq në kohën helenistike, e cila ishte gjithashtu një periudhë e një ndryshimi të madh, pasi Greqia po shpërbëhej dhe fuqitë e mëdha monopilitike si Aleksandri i Madh dhe perandoria maqedonase  po merrnin kontrollin.”,- thotë ajo.

Sellars bie dakord që ky mund të jetë një faktor për interesimin në rritje për filozofinë. Në fund të fundit, ka libra nga të famshëm, psikologë, sportistë, këshilltarë menaxhimi dhe mistikë. Pse jo filozofë?

“Unë mendoj se në shekullin e 20-të, madje deri te mijëvjeçari, kishte një sens optimizmi dhe përparimi,  të gjithë po bëheshin të pasur, ju mund të blinit më shumë sende dhe me të vërtetë nuk do të ndaloni së menduari aq shumë.”,- thotë Sellars. “Pastaj kur erdhi kriza e kredisë, i gjithë ai optimizëm u thith nga gjithçka. Njerëzit filluan të mendojnë se çfarë po bënin dhe pse po e bënin. U rrit oreksi për udhëzime. Para shekullit të kaluar, filozofët e antikitetit dhe periudhat e mëvonshme ofruan këtë lloj këshille. Ne po lidhemi me një mënyrë të vjetër të të menduarit për atë se çfarë është filozofia.”,- vazhdoi ai.

Jeto shpejt, bëhu stoik

Stoicizmi është një sistem mendimi që lulëzon pozitivisht për momentin. Fillimet e tij shtrihen përsëri te Sokrati, greku i lashtë i konsideruar babai i filozofisë perëndimore, ndërsa më vonë stoicizmi bazohet kryesisht në punën e tre mendimtarëve që jetuan në shekullin 1 dhe 2 pas Krishtit: Seneca, tutori i Neronit, Epictetus, një ish-skllav, dhe Marcus Aurelius, Perandori i Romës. Themeluesi i Twitter, Jack Dorsey besohet të jetë një fans dhe Steve Jobs i Apple dikur tha: “Unë do të tregtoja të gjithë teknologjinë time për një pasdite me Sokratin.”

Parimet bazë të stoikëve janë që ne të pranojmë  se nuk mund t’i kontrollojmë të gjitha gjërat që ndodhin në jetë dhe të pranojmë se jemi pjesë e një tërësie më të madhe, kjo është natyra.

John Sellars është një nga themeluesit e Stoic Week, një eksperiment global në internet, i krijuar në 2012-ën, për të zbuluar sa njerëzit përfitojnë psikologjikisht në një javë vetëm duke ndjekur, dëgjuar dhe lexuar për filozofinë, shkruan dardania.com

Sellars shprehet se: “Stoikët sugjerojnë që ajo që është më e rëndësishmja për të jetuar një jetë të mirë, është e brendshme dhe jo e jashtme. Bëhet fjalë për zhvillimin e karakterit të duhur, mendjes së duhur. Nuk ka të bëjë me sendet që zotëroni ose për ato që ju ndodhin në botën e jashtme.”

Ekzistencializmi është një fushë tjetër e filozofisë që shfrytëzohet për mësimet e jetës. Por ndërsa lexuesi laik mund të marrë një vepër nga një stoik për shembull, Platoni ose Aristoteli, shumë tekste nga ekzistencialistët si Martin Heidegger dhe Jean-Paul Sartre janë dukshëm sfidues, ndonjëherë edhe për profesionistët.

Ekzistencializmi nuk i jep vetes një shpjegim të thjeshtë, konciz. Disa filozofë e hodhën poshtë shpjegimin: “Ekzistencializmi është një qasje filozofike e cila fillon me përvojat e jetuara të individit, mendimet, ndjenjat, veprimet; në frazën e saktë të Sartrit: ‘ekzistenca i paraprin thelbit’”,-shpjegon filozofja Angie Hobbs. “Ajo vlerëson lirinë dhe origjinalitetin: sfida është të jetosh jetën me pasion, sinqeritet dhe guxim përballë një bote, e cila nuk ka asnjë kuptim përtej asaj që i jep individi asaj, dhe e cila shpesh shfaqet absurde.”

Por, sipas Hobbs, librat e filozofisë duhet të shpjegojnë se filozofia nuk është një shkop magjik, të cilin pasi e shkundni nxjerr pluhur zanash dhe mund t’ju rregullojë jetën.  Ndërkohë Sellars shpreson se këta libra mund të jenë një portë për audiencën që do t’i çojë ata në një hulumtim më të thellë filozofik./Përshtati nga BBC: Kadrije Çako/dritare.net

Për t’u bërë pjesë e grupit "Dritare.net" mjafton të klikoni: JOIN GROUP


Flash Lajme

Më të lexuarat