Policia/ Në pranga janë vënë shtetasit Arif Bejtja, 19 vjeç, Namik Bejtja, 30 vjeç dhe Jaçe Bejtja, 22 vjeç. Në kërkim shpallet një person tjetër

Xhentila Gjoshi

Tre autorët e dyshuar që qëlluan për vdekje kreun e njësisë administrative Kotë, Argjil Gjoka, janë vënë në pranga nga Policia e Vlorës disa orë pas ngjarjes.

Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se në pranga kanë përfunduar shtetasit Arif Bejtja, 19 vjeç, i cili mbeti i plagosur gjatë sherrit me armë, Namik Bejtja, 30vjeç dhe Jaçe Bejtja, 22 vjeç. Sipas informacioneve, tre të arrestuarit kanë patur lidhje gjaku me Argjil Gjokën, i cili mbeti i vrarë me një plumb në gjoks. Ndërkohë është shpallur në kërkim edhe një 32-vjeçar tjetër, M.P (B) banues në Vlorë. Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së martës, rreth orës 14:20, në fshatin Petë të Selenicës.

Autorët

Sipas policisë personat e vënë në pranga, në bashkëpunim me njëri-tjetrin për motive të dobëta kanë tentuar të vrasin me armë zjarri tip pistoletë dy vëllezërit Fatmir Osmënaj, 70 vjeç dhe Astrit Osmënaj, 65 vjeç. Dyshohet se sherri ka patur motiv pronësie, për një kanal që po hapej nga një fadromë. Në momentin e sherrit, ka ndërhyrë për të shuar konfliktin kryetari i Njësisë Administrative Kotë, Argjil Gjoka. Por tentativa e tij ka qenë fatale për të, pasi u plagos në gjoks dhe më pas humbi jetën në spitalin e Vlorës. Ndërkohë të arrestuarit do të përballen me akuzat e “vrasjes” dhe “armëmbajtjes pa leje”. Kujtojmë se në nëntor të 2018-ës, është vrarë me armë ish-kreu i njësisë Administrative Kotë në Selenicë, Fatmir Hodo. Për ngjarjen në atë kohë u arrestua 44-vjeçari Admir Delaj, nga fshati Gumenicë. Delaj qëlloi Hodon me armë gjahu pas një bisede të tensionuar për çështje pronësie, në hyrje të një lokali ndërsa të dy kishin konsumuar pije alkoolike bashkë disa minuta para se të ndodhte ngjarja. Pas vrasjes së Fatmir Hodos, vendin e tij e zuri Argjil Gjoka, ku për rastësi, kryeadministratori u qëllua sërish për një konflikt me në qendër çështjes e pronësisë, edhe pse vetë ai nuk ishte objektivi.

Ngjarja

Argjil Gjoka, mbeti viktimë e një konflikti banal të nisur mes banorëve të fshatit Petë, në njësinë administrative Kotë, Vlorë. Arif Bejtja, 19 vjeç, Namik Bejtja, 30vjeç dhe Jaçe Bejtja, 22 vjeç, mësohet se pasditen e së martës po konfliktoheshin ashpër me dy vëllezërit Fatmir Osmenaj, 70 vjeç dhe Astrit Osmenaj, 65 vjeç. Shkak për këtë ishte një kanal, që po hapej në afërsi të banesave të shtetasve të mësipërm. Arsyeja e sherrit, burimet thonë se secila palë pretendonte pronësinë e tokës ku po hapej kanali. Sherri ka agravuar në dhunë, ndërsa për këtë ishte vënë në dijeni dhe kreu i njësi, Argjil Gjoka. Ky i fundit, është nisur për të zgjidhur konfliktin, por kur ka shkuar në vendngjarje është hasur në dhunë. Arif Bejtja, Namik Bejtja dhe Jaçe Bejtja, po tentonin të qëllonin me armë dy vëllezërit Osmënaj, por plumbi ka kapur Gjokën. Ai humbi jetën sapo mbërriti në Spitalin e Vlorës, i cili ndodhet shumë larg vendit ku ndodhi ngjarja.

Flash Lajme