Vladimir Mara, prokurori i Krimeve të Rënda që ka në dorë dosjen “339”, ka dalë dje para KPK. Ai është kandidat për t’u bërë pjesë e strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe Kundër Krimit të Organizuar

Xhentila Gjoshi

Prokurori i Krimeve të Rënda, Vladimir Mara ka dalë dje para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Ai është hetuar në të tria kriteret, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale. Ndërkohë, kujtojmë që Mara është prokurori i cili ka në dorë dhe po heton dosjet “339” dhe “339/1”. Gjithashtu, prokurori i Krimeve të Rënda është kandidat për t’u bërë pjesë e strukturës së Posaçme Anti-korrupsion dhe Kundër Krimit të Organizuar.

Hetimi i KPK

Hetimi ndaj prokurorit Vladimir Mara është kryer në të tre kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale. Për pasurinë, ILDKPKI, ka dorëzuar një raport me konstatimin se, deklarimi është i saktë dhe në përputhje me ligjin. Nuk ka fshehje të pasurisë dhe deklarim të rremë. Gjithashtu, ai nuk gjendet në kushtet e konfliktit të interesit. KPK ka kryer një hetim të thelluar për pasurinë e Marës, ku ka rezultuar se ka: kursime nga paga si oficer i policisë gjyqësore dhe si prokuror, si dhe nga puna bashkëshortes në vlerën 950 mijë lekë. Po ashtu ka llogari kursimesh në vitin 2012, në emër të vajzës në shumën 200 mijë lekë. Nga hetimet, KPK arrin në konkluzionin se subjekti ka burime për krijimin e llogarive dhe këtyre pasurive të deklaruara. Në lidhje me përdorimin e një apartamenti në Tiranë. Në këtë banesë jetojnë prindërit e tij dhe familjarë të tjerë. Subjekti ka deklaruar edhe një banesë private, në bashkëpronësi me prindërit dhe vëllezërit.

Nga hetimi i kryer nga Komisioni, ka rezultuar se ka një deklarim të saktë për pjesën takuese. Por ka pasur disa pasaktësi në deklarimin e vitit 2008. Në përfundim të hetimit për burimin e të ardhurave për ndërtimin e kësaj banese. Subjekti ka dhënë shpjegime që do të merren parasysh. Në lidhje me një makinë Mercedes Benz,të deklaruar nga subjekti në vlerën 600 mijë lekë. Subjekti ka përfituar 477 mijë e 30 lekë, si dëmshpërblim të një makine tjetër e cila është aksidentuar. Mjeti “Land Rover”, ishte blerë nga prokurori te kushëriri i tij, por nuk është bërë kontratë. KPK ka kërkuar shpjegime për likuidimin e mjetit, nxjerrjen e tij jashtë përdorimit pas aksidentit dhe burimin e ligjshëm të kësaj pasurie. Këto shpjegime, KPK do t’i marrë në konsideratë para marrjes së vendimit. Në lidhje me kreditë konsumatorë, KPK u shpreh: ka rezultuar se subjekti ka kryer blerje të objekteve shtëpiake me hua, të cilat nuk janë deklaruar. Nga analiza financiare, subjekti rezulton se ka pasur burime për t’i shlyer të katër huat.

Në lidhje me pastërtinë e figurës, DSIK ka dorëzuar një raport me konstatimin se subjekti është i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës. Në lidhje me aftësitë profesionale, KLP ka kryer një hetim për prokurorin, duke konstatuar se prokurori ka treguar cilësi të pranueshme në punë, ka përmbushur me përpikmëri disiplinën në punë. KPK hetoi mbi të dhënat e bëra publike në lidhje me problematikën e ekstradimit të shtetasit Nezar Seiti. Për këtë, Komisioni mori në shqyrtim argumentimin e të gjithë institucioneve. KPK kërkoi shpjegime edhe nga subjekti për rastin, shpjegimet e dhëna prej tij do të merren parasysh. “Për Nazer Seitin është e dokumentuar. Ndodhet vendimi i shkallës së parë për caktimin e masës së sigurisë atë të “Arrestit në burg”. Vendimi i gjykatës iu vu në dispozicion edhe Drejtorisë së Burgjeve nga Gjykata e Krimeve të Rënda”, është shprehur prokurori Mara. Ndërkohë, theksojmë se Mara ka qenë oficer i Policisë Gjyqësore në Korçë nga viti 2000-2003. Në janar 2004-2008 ka kryer mbajtur postin si OPGJ tek Krimet e Rënda, ndërsa në harkun kohor 2008-2016, ka qenë prokuror në Durrës. Që prej vitit 2016, ka mbajtur postin e Prokurorit tek Krimet e Rënda.

Prokurori

Prokurori Shkëlzen Cena është tërhequr nga gara për të qenë anëtarë i SPAK. Së fundmi, ai ka paraqitur pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, kërkesën e tërheqjes nga gara për Strukturën e Posaçme Anti-korrupsion. Këshilli ka miratuar me 10 vota pro kërkesën e tij. Shkëlzen Cena, aktualisht prokuror në Dibër, u gjet nga KPK me probleme të pasurisë, kryesisht mbi një kredi të marrë për një shtëpi, një kontratë noteriale për të cilën kishte qëndrime kontradiktore, një makinë për të cilën ishin nënshkruar dy kontrata dhe mungesë burimesh financiare për disa vite. Cena po ashtu u gjet me probleme sa i përket disa hetimeve që kishte ndjekur, kryesisht me të akuzuar për kontrabandë. Ndaj tij, pati edhe një raport negativ nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar sipas të cilit kishte dyshime se ai ishte përfshirë në korrupsion pasiv dhe se kishte kontakte të papërshtatshme. Megjithatë, ai i ka mohuar këto akuza. Ndërkaq, dje në mbledhjen e KLP -së, Komisioni i Karrierës paraqiti një relacion për mënyrën si do të veprohet me caktime të përkohshme para krijimit të KLP-së dhe hapat që duhen ndërmarrë në vijim.

Flash Lajme