Partia “Zgjidhja” e drejtuar nga Koço Kokëdhima, përmes një deklarate për shtyp e konsideron Edi Ramën si kalorësin e votave të vjedhura.

“Zgjidhja” vë në dukje se Rama si të gjithë kryetarët hileqarë të partive të vjetra nuk guxoi të hapë listat e zgjedhësve, sepse po ta bëne këtë do të dilnin më shumë vota se sa zgjedhës në listë.

“Sot, si në zgjedhjet e viteve 2015, 2016 dhe 2017, ai është ‘kalorësi i votave të vjedhura’, siç e ilustron kaq bukur mjeshtri Bujar Kapexhiu. Kalorësi që rend drejt humnerës së tij politike”, thuhet në deklaratë.

 

Deklaratë shtypi e partisë ‘Zgjidhja’

Kalorësi i votave të vjedhura

Pak ditë më parë partia ‘Zgjidhja’ e sfidoi shefin e Rilindjes, autorin e farsës së 30 qershorit, me parrullën ‘Hap kutitë, ose largohu’, të cilën ai e kishte shpikur vetë 10 vite më parë, duke i kërkuar Berishës votat e vjedhura të socialistëve.
Rama bëri sikur dëgjoi dhe urdhëroi rinumërimin e 11 kutive të votimit të bashkisë së Lezhës, nga ku dolën se ishin vetëm 4 vota të numëruara gabim, që i kishin kaluar kandidatit të Rilindjes. Me këtë do t’u tregojë 15 për qind të shqiptarëve që e votuan nga halli apo nga qejfi dhe shumicës që e refuzuan, bojkotuan dhe ia zhgarravitën fletëvotimet, se është i pastër.
Por ai, si gjithë kryetarët hileqarë të partive të vjetra, nuk guxoi të hapë listat e zgjedhësve. Sepse po ta bënte këtë do të dilnin më shumë vota sesa zgjedhës në listë. Nëse atij nuk i djeg ‘miza nën kësulë’ le të tregojë procesverbalet e qendrave të votimit, listat e votuesve.
‘Zgjidhja’ nuk shpreson se Rama do ta pranojë këtë transparencë, edhe pse 10 vite më parë ishte kalorësi i asaj beteje. Sot, si në zgjedhjet e viteve 2015, 2016 dhe 2017, ai është ‘kalorësi i votave të vjedhura’, siç e ilustron kaq bukur mjeshtri Bujar Kapexhiu. Kalorësi që rend drejt humnerës së tij politike.

Flash Lajme