Sekretari për çështjet zgjedhore në PD, Ivi Kaso, zbuloi të tjera fakte që sipas PD provojnë se KQZ dhe doganat kanë thelluar skandalin për fletët e votimit të Vaut të Dejës duke prodhuar dokumente false me alibinë qesharake se nuk ka funksionuar sistemi i doganave.

Kaso tha se vendimi i KQZ për fletët e reja të votimit është marrë më 28 qershor, ndërkohë që deklaron se fletët e votimit u porositën më 27 qershor.

Ai tha se është e pamundur që fletët të prodhohen pa një vendim të KQZ.

Deklarata për media

Komisioni Qendror i Vjedhjeve ka thelluar falsifikimin dhe shkeljen e ligjit në lidhje me votimet e paligjshme të zhvilluara në 30 Qershor. Shkelja e ligjit është flagrante, veçanërisht për Bashkinë e Vaut të Dejës, ku votimet u kryen me fletë votimi të falsifikuara.

Pretendimi i doganave dhe Komisionit Qendror të Vjedhjeve, 3 ditë pas denoncimit të skandalit, se sistemi doganor ditën e mbërritjes së fletëve të votimit për Vaun e Dejës, nuk ka funksionuar, është një alibi qesharake dhe mjerane.

Dokumenti zyrtar doganor provon se fletët e votimit kanë qenë akoma në doganë në orën 8 të mëngjesit të datës 30 Qershor, ndërsa votimi në Vaun e Dejës ishte deklaruar i hapur një orë më parë, në orën 7 të mëngjesit.

Gjithçka u tha sot nga KQZ për prodhim dokumentesh me dorë nga vartësit e Edi Ramës në dogana, është njësoj si prodhimi i të dhënave false nga KQZ-ja për pjesëmarrjen në zgjedhje. Është njësoj si prodhimi i rezultateve false për Elbasanin. Dokumentet prodhohen sipas nevojave që ka Edi Rama për të mbuluar krimin elektoral të 30 Qershorit dhe refuzimin e tij nga shumica e shqiptarëve.

Alibia qesharake e KQZ-së se natën e ardhjes së fletëve të votimit nuk ka punuar sistemi doganor, rrëzohet nga dokumenti zyrtar i dalë nga vetë sistemi i doganave, ku shkruhet se fletët e votimit në orën 8 të mëngjesit ishin akoma në doganë.

Çdo letër tjetër, e prodhuar me dorë për llogari të propagandës së Edi Ramës, 3 ditë pas denoncimit të skandalit, vetëm sa e thellon skandalin. Ajo provon se në këto votime, Komisioni Qendror i Vjedhjeve ka vepruar si organizatë kriminale.

Gënjeshtra e KQZ-së del akoma më zbuluar, kur thotë se fletët e votimit janë porositur në 27 Qershor dhe janë prodhuar paraditen e 28 Qershorit. Në këtë rast 4 anëtarët e KQZ-së duhet të pranojnë se ose janë duke mashtruar, ose kanë shpërdoruar në mënyrë flagrante detyrën.

Ky është vendimi i KQZ-së i datës 28 Qershor, sipas të cilit urdhri për prodhimin e fletëve të reja të votimit për Vaun e Dejës është marrë në orën 6 të pasdites. Ky vendim i KQZ-së është marrë në një mbledhje publike dhe është pasqyruar gjerësisht nga media. Kjo do të thotë se askush nuk mund të urdhëronte prodhimin e asnjë flete votimi pa pasur më parë një vendim nga KQZ-ja.
Prandaj, kamikazëve të Edi Ramës në KQZ apo dogana u ngelen vetëm dy alternativa: të pranojnë se po gënjejnë për llogari të Edi Ramës ose të dalin para drejtësisë e të shkojnë në burg për shpërdorim detyre.

Flash Lajme