Parandalohet vrasja e një personi në Tiranë dhe vihet në pranga një person i shumëkërkuar, i cilësuar me rrezikshmëri të lartë.

Zëdhënësi Gentian Mullaj, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit doli pak minuta më parë në konferencë për shtyp, ku sqaroi se në rrugën “Bilal Xhaferi”, dje neutralizoi dhe arrestoi Sadetin Erkoçeviq, 28 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër.

Ai akuzohet dhe është dënuar me 20 vjet burg edhe për një vrasje tjetër në vitin 2014.

Njoftimi e policisë:

Falë bashkëpunimit me qytetarët, parandalohet një vrasje dhe vihet në pranga një person shumë i kërkuar me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Në zbatim të planit të masave për kapjen e personave në kërkim, evidentimin dhe kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 në Tiranë, falë marrjes së informacionit nga qytetarët dhe bashkëpunimit mes strukturave të DVP Tiranë e DVP Shkodër, është bërë i mundur parandalimi i një vrasjeje. Një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar për vrasje dyshohej se do të kryente një krim të rëndë në Tiranë.

Mbrëmë rreth orës 20:50 është marrë njoftimi nga ana e shërbimeve të Seksionit të Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë së në rrugën “Bilal Xhaferi”, ndodhej një person i cili bënte lëvizje të dyshimta dhe dyshohej se kishte armë zjarri me vete.

Policia ka organizuar punën duke bërë lokalizimin e menjëhershëm të personit të dyshuar.

Shërbimet e Policisë kanë mbajtur nën kontroll personin duke bërë të mundur që me metoda të shpejta proaktive në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe Shkodër të identifikonin personin e dyshuar, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Shërbimet policore kanë ndërhyrë menjëherë duke e neutralizuar dhe shoqëruar në komisariatin e Policisë Nr. 2, shtetasin Sadetin Erkoçeviq, 28 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër.

Këtij shtetasi në momentin e kontrollit i është gjetur në çantën e dorës një armë zjarri pistolete e tipit Bereta, me 14 fishekë dhe një fishek në fole gati për qitje.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendim të formës së prerë në datën 15.02.2018, e ka dënuar me 20 vjet burg për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje te armeve e municioneve luftarake”.

Më datë 10.05.2014, në fshatin Zeus në një lokal me muzikë live, autori Sadetin Erkoçeviq ka vrarë me armë zjarri pistoletë shtetasin I.Y. dhe ka plagosur një tjeter.

Video Player

Flash Lajme