Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e së hënës, përballë katedrales së qytetit të Rrëshenit. Tonin (Armando) Gjini, njihet si “ushtari” i Met Kananit. Momentin e vrasjes, në makinë ndodheshin edhe dy fëmijët e viktimës

Xhentila Gjoshi

Për zbardhjen e vrasjes mafioze të Tonin (Armando) Gjini, policia është fokusuar në tri pista hetimi. Ekzekutimi i 48-vjeçarit ndodhi në mes të qyteti, ndërsa njihej si pjesë e grupit të Met Kananit. Vrasja e tij dyshohet se është bërë nga njerëz me pagesë, profesionistë në këtë fushë. Për vrasjen e Armando Gjinit janë shoqëruar në komisariat mbi 10 persona të cilët janë marrë në pyetje, por janë lënë sërish të lirë. Ndërsa policia po heton në disa pista. Një më kryesoret është ajo e hakmarrjes, pasi familja e Gjinit ishte përfshirë në një gjakmarrje në të kaluarën. Pistë tjetër ku po hetohet është ajo e borxheve nga ana e viktimës. Ndërsa pista e tretë jo më pak e rëndësishme është e kaluara e Armando Gjinit në Belgjikë, prishja e pazareve të drogës, si dhe marrëdhëniet me grupin e Met Kananit. Viktima u arrestua si anëtar i bandës por më pas u lirua pas 72 orëve, lëvizje kjo që mund të ketë sjellë dyshime në grup. Gjini u ekzekutua rreth orës 11:30 pranë katedrales së qytetit ku ai ishte në makinë se bashku me dy fëmijët e tij të mitur, ndërsa pak më larg ka qenë edhe bashkëshortja e tij, e cila ishte ndalur në një dyqan. Pas vrasjes së Armando Gjinit që njihej ndryshe si Tonin Gjini, në Kodër-Rrëshen u gjet një makinë e djegur e cila dyshohet se është lënë nga autorët. Kujtojmë se Gjini i kishte shpëtuar një tjetër atentati 3 muaj më parë, ku në makinën e tij u gjet një pako eksplozivi që më pas u shpërthye nga xhenierët e policisë. Gjini u arrestua vitin e kaluar në datë 12 maj, si pjesë e grupit të baronit të drogës, Met Kanani së bashku me 37 persona të tjerë, ndërsa u sekuestruan mbi 8 tonë drogë. Ushtria e Met Kananit shkëmbente kanabisin nga Shqipëria me heroinë nga Turqia. Por 4 ditë pas arrestimit Gjini u lirua nga burg, ndërsa hetimet e para janë pikërisht në këtë pistë.

Ngjarja

Sipas informacioneve nga blutë e Rrëshenit, mësohet se Armando Gjini ishte duke u kthyer në banesë bashkë me dy fëmijët dhe bashkëshorten e tij. Autorët, dyshohet se e kanë mbajtur në vëzhgim objektivin e tyre që nga momenti i daljes nga banesa dhe, kanë zgjedhur që ekzekutimi të kryhet në qendër të qytetit. Sulmi ka qenë mafioz, ndërsa autorët nuk kanë kursyer as fëmijët e mitur të Gjinit. Ata ndodheshin të ulur në sediljet e pasme të makinës, ndërsa bashkëshortja e tij sapo kishte zbritur për të bërë disa blerje në dyqan. Fatmirësisht pjesëtarët e tjerë të familjes kanë shpëtuar nga plumbat e kallashit, ndërsa 48-vjeçari gjeti vdekjen në vendngjarje. Dëshmitarët kanë qenë të shumë në zonën e krimit, ndërsa gjendja e dy fëmijëve të mitur policia thotë se ka qenë mjaft e rënduar. Ata kanë parë babanë e tyre të mbuluar në gjak dhe të pajetë në makinë. Ndërsa veprimet e autorëve kanë qenë mjaft në shpejta. Me një makinë tip fouristradë, ata janë afruar automjetit të Armando Gjinit dhe kanë qëlluar me breshëri ndaj tij. Ata janë larguar me shpejtësi të madhe nga vendi i ngjarjes. Në dalje të qytetit të Rrëshenit, autorët kanë djegur mjetin e krimit. Forcat e policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur menjëherë hetimet. Nga veprimet paraprake, policia bën të ditur se kjo ngjarje dyshohet të ketë lidhje me larje hesapesh mbi trafikun e drogës dhe e kaluara e viktimës, i cili ishte i përfshirë në një grup kriminal.

Paralajmërimi

Ngjarja si duket ishte paralajmëruar. Më 6 maj të këtij viti, Gjini mundi t’i shpëtonte një atentati me eksploziv ndërsa ishte bashkë me fëmijët. Makinës në pronësi të Armando Gjinit, i njohur për drejtësinë si pjesë e grupit të Met Kananit ishte vendosur një sasi eksplozivi në sediljen e tij, por atëherë fatmirësisht nuk shpërtheu. Gjini tregoi atë kohë se në mëngjes kishte marrë makinën tip “Benz”, të parkuar poshtë pallatit për të dërguar fëmijët në shkollë pasi ishte shi, por pa e ditur se në automjetin i tij kishte qenë një “minë me sahat” dhe që mund të shpërthente nga momenti në moment. Pasi konstatoi pakon, ai njoftoi menjëherë policinë, e cila e spostoi në një distancë të largët nga pallatet duke bërë shpërthimin e kontrolluar. Gjini deklaroi se bomba ka shpërthyer menjëherë sapo është prekur, në tentativë nga forcat xheniere për ta nxjerrë pakon nga makina. Nga shpërthimi i fortë u dëmtua totalisht makina. Për këtë ngjarje, policia nuk ka referuar asnjë person si autor.

Arrestimi

Më 12 maj të vitit 2018, Gjini u arrestua në kuadër të operacionit masiv të ndërmarrë nga policia shqiptare në bashkëpunim me partnerët ku janë arrestuar në total 18 persona, 13 në Shqipëri, 5 në vendet e tjera. Këta persona vepronin si grup i strukturuar kriminal, për trafikimin e lëndëve narkotike. Veprimtarinë kriminale e ushtronin në Shqipëri dhe në vende të tjera, kryesisht ato të Bashkimit Europian. Operacioni u kodua “Precizioni” dhe janë sekuestruar armë e drogë. Hetimi për këtë grup të strukturuar kishte nisur që në shkurt të vitit 2017, nga policia dhe Prokuroria. Dyshimet ishin se ky grup kriminal vepronte në linjat e trafikimit të heroinës, Turqi-Greqi-vendet e BE-së, si dhe Turqi-Maqedoni-Shqipëri-vendet e BE-së. Një tjetër aktivitet kriminal, i zbuluar nga hetimet ishte trafikimi i kokainës nga vendet e Amerikës Latine përmes vendeve të Ballkanit në Shqipëri dhe vendet e BE-së.

Flash Lajme