Artan Cuku u ekzekutua në derë të pallatit ku banonte me familjen në prill 2017. Policia vuri në pranga si autor të vrasjes Mikel Shallarin, i cili pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë dhe zbuloi emrat e bashkëpunëtorëve

Xhentila Gjoshi

Autoritetet greke kanë vënë në pranga bashkëpunëroin e Mikel Shallarit në vrasjen e ish-komisarit Artan Cuku. Ai është shtetasi Kristaq Leci. Sipas hetimeve që janë kryer nga Prokuroria për vrasjen e Cukut, Mikel Shallari është vrasësi me pagesë i Artan Cukut, vrasje e porositur nga Bledar Jambelli. Ndërsa u shpall në kërkim dhe Kristaq Leci, si bashkëpunëtor në vrasjen e kryepolicit, i arrestuar së fundmi në Greqi. Artan Cuku dyshohet se u vra për shkak të detyrës. Në fakt, Mikel Shallari pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë dhe zbuloi emrin e porositësit të vrasjes dhe bashkëpunëtorit të tij. Lajmi për arrestimin e Lecit është bërë publik prej policisë së Athinës ku thuhet se 30-vjeçari është ndaluar pasditën e së hënës nga oficerët e divizionit të drejtorisë së sigurisë dhe të verifikimit të dosjeve. Forcat e rendit kanë konstatuar se ai ishte në kërkim ndërkombëtar për vrasje. Në sqarim thuhet se ai akuzohet se ka marrë pjesë në vrasjen e një ish-oficeri të policisë të kryer në datën 8 prill 2017 në Shqipëri. Menjëherë pas ndalimit, dosja i është referuar prokurorisë për të vendosur më pas procedurat e ekstradimit. Leci akuzohet si bashkëpunëtor i Mikel Shallarit që vrau komisar Cukun në hyrje të pallatit ku ai jetonte në Rrugën e Kosovarëve, pranë liqenit Artificial në Tiranë. Ka qenë pikërisht Shallari, i cili ka rrëfyer të gjithë ngjarjen dhe porositësit e ekzekutimit. Sipas të dhënave, ishte Blendar Jambelli që ka kontaktuar fillimisht me Lecin për të kryer ekzekutimin kundrejt një pagesë prej 20 mijë eurosh dhe më pas ky i fundit është lidhur me Mikel Shallarin. Ditën e vrasjes Jambelli ka organizuar vrasjen, duke u treguar lëvizjet e Cukut. Shkak për këtë është bërë arrestimi i Jambellit në Vlorë në kohën kur Cuku ishte komisar, si i dyshuar për vrasjen e biznesmenit Amarildo Dedaj. Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me 10 vite burg ekzekutorin Mikel Shallari pasi u bë bashkëpunëtor i drejtësisë duke ndihmuar në zbardhjen e motivit të krimit, kush ishin porositësit, ndërmjetësit. Nga rrëfimi i Shallarit u mësua se Kristaq Leci kishte luajtur rolin e ndërmjetësit ndërsa porositësi i krimit ishte Bledar Jambelli. Ky i fundit vijon të jetë në kërkim.

Pendimi i Mikel Shallarit

Sipas Shallarit, për këtë vrasje atij i ishin premtuar 20 mijë euro dhe shkak mendohet se është hakmarrja e Jambellit pasi Artan Cuku kur drejtonte policinë e Vlorës, e kishte arrestuar si të dyshuar për vrasjen e shtetasit Amarildo Delaj. Jambelli, arrestimin e tij e quante të padrejtë të nxitur nga persona të tjerë. Ky ishte motivi për të cilin ai kishte vendosur ta vriste ish-komisarin Artan Cuku. Fillimisht Shallari mohoi përfshirjen e tij në krim por më pas, më 12 qershor 2017 ai shprehu vullnetin të bashkëpunojë me drejtësinë dhe firmosi marrëveshjen e bashkëpunimit me prokurorin. Sipas dëshmisë së Shallarit, plani i vrasjes u thur për 10 ditë me porosi të organizatorit Bledar Jambelli, dhe më pas, me ndihmën e Kristaq Lecit, vëzhguan territorin rreth banesës së komisarit dhe e ruajtën për të gjetur rastin e volitshëm për ta vrarë. Ditën e atentatit më 8 prill 2017 ndërsa viktima po kthehej në banesë, Shallari po e priste para pallatit. Në vendngjarje ai shoqërohej nga Kristaq Leci, i cili e priste tek fusha pranë pallatit dhe e orientonte në distancë me anë të sms-ve. Pasi Artan Cuku u shfaq dhe u fut në një minimarket, në katin e parë të pallatit, Mikel Shallari u pozicionua tek shkallët në pjesën e brendshme të hyrjes. Me t’u shfaqur komisari ai e qëlloi me të dyja armët njëherësh. Artan Cuku mbijetoi dhe tentoi të hynte në ashensor ndërsa i pandehuri iu vu pas dhe e qëlloi edhe aty. Më pas provohet se viktima doli nga ashensori duke tentuar të përleshej fizikisht me autorin, por i pandehuri e qëlloi përsëri duke i dhënë goditjen fatale në pjesën e kokës. Pas krimit Mikel Shallari u largua sipas intinerarit të paramenduar. Tek sheshi Ëilson, prenotoi një taksi e cila e çoi pranë “Astirit” në Unazën e Re, ku e kishin lënë të takoheshin me bashkëautorët Jambelli dhe Leci. Pas krimit, mendohet se Bledar Jambelli dhe Leci janë larguar nga Shqipëria, ndërsa arrestimi i Mikel Shallarit u bë pas ekspertizës së ADN-së dhe kamerave të sigurisë.

Si u ndërmjetësua krimi?

Shallari ka treguar për hetuesit se në mars 2017, ka takuar Bledar Jambellin nëpërmjet kushëririt të tij Kristaq Leci. “M’u premtua 20 mijë euro, fillimisht refuzova dhe pastaj pranova dhe m’u premtua se pas krimit do të dërgohesha në Gjermani dhe strehohesha atje, ndërsa kushëriri im Jambellin e thërriste si “Shefi” ose “i Madhi”. Vetëm disa para i mora nëpërmjet agjencive të transfertave dhe mi dërgoi Leci për të larë borxhet”, ka thënë Shallari. Sipas transfertave nga Kristaq Leci nga Gjermania, Shallari rezulton se ka marrë në dorë vetëm 3000 euro. Po ashtu Shallari ka shpjeguar se lëvizjet e ish-komisarit Artan Cukut ai i ka survejuar së bashku me kushëririn e tij Leci dhe për këtë kanë përdorur dy automjete të marra me qira, një “Golf” të bardhë dhe një “Fiat” të zi, ndërsa armët e krimit i fshehu në vendlindje pranë lumit Devoll ku pas arrestimi u gjendën dhe u filmuan nga policia.

Dëshmia

Në dëshminë tij, Shallari ka konfirmuar dhe motivin e këtij krimi ku sipas bisedave që ai ka bërë me Lecin, ka rezultuar se Artan Cuku e kishte arrestuar Bledar Jambellin në datë 7.12.2012 kur ishte drejtor i Policisë së Vlorës si person të dyshuar për vrasjen e Amarildo Delaj. Ai u lirua me 9.6.2014 pas deklarimit si i pafajshëm nga gjykata. Shallari nuk e njihte Cukun, ndërsa foton ia ka dhënë kushëriri i tij, Leci, pasi e kanë shkarkuar nga interneti. “Pasi e studiuam mirë Cukun, fillimisht ishte Leci që tentoi që ta vrasë, por nga frika e identifikimit nuk e qëlloi te kafja pranë banesës”, është shprehur autori. Shallari ka pasur veshur të njëjtat rroba si në ditën e dështimit të atentatit, ashtu edhe mbrëmjen e 8 prillit kur ai e ekzekutoi vetë ish-drejtuesin e lartë të policisë pranë apartamentit. Pasi ka dështuar plani i parë, Bledar Jambelli i ka kërkuar Mikel Shallarit që ta vrasë ai Cukun në këmbim të një pagese prej 20 mijë euro. Atentat, i cili u realizua mbrëmjen e 8 prillit në hyrje të apartamentit ku banonte ish-komisari.

Flash Lajme