Mjeshtri i Reportazhit, një ndër të rrallët profesionistë të gazetarisë bashkëkohore shqiptare. Themelues i disa të përditshmeve në shtypin pluralist shqiptar dhe nismëtar themelues i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

Gazetari Fatos Baxhaku një nga reporterët, redaktorët, kryeredaktorët e rrallë, i shumëvlerësuar si pionier i shtypit të pavarur që nga fillimvitet ’90, autori i njohur i reportazheve të shkruara dhe televizive, studiues i historisë, një penë e mprehtë kritike e tranzicionit shqiptar dhe reportazhisti me ndjeshmëri të pashoqe profesionale dhe njerëzore, ka ndërruar jetë dje, më 16 gusht 2019, në moshën 55-vjeçare. Prej disa kohësh kolegu Baxhaku përballej në heshtje sizifi me sëmundjen e rëndë duke zgjedhur dhe preferuar që kapitullin e fundit të betejës fatale ta vijonte me heshtjen e vet fisnike te modestisë dhe larg zhurmës. Fatosi zgjodhi ta mbante për vete këtë ikje të parakohshme duke i lënë në provën e vështirë të ikjes së parakohshme, të gjithë miqtë dhe kolegët e tij.

Fatos Baxhaku lindi në Tiranë në vitin 1964. Të gjitha ciklet arsimuese i kreu në kryeqytet, deri ne vitin 1986, kur përfundoi Fakultetin e Histori-Filologjisë në UT. Pas kësaj periudhe ai ndoqi një karrierë tê gjatë, së pari në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave dhe më pas duke mos u shkeputur asnjë moment kontribuoi në gazetarinë e shkruar dhe atë audiovizive.

Baxhaku ka qenë i përfshirë në lëvizje dhe preokupime gjurmëlënëse të shoqërisë shqiptare të këtyre 30 viteve, duke u bërë anëtar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit, drejtues i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë si dhe i disa grupimeve në mbrojtje të vlerave, trashëgimisë dhe pasurive identifikuese kombëtare shqiptare.

Si gazetar dhe mjeshtër i dokumentarit dhe reportazhit ai u përfshi në bashkëpunime të shumta me organizata të ndryshme prestigjioze ndërkombëtare si dhe me aktorë të huaj që mbeten aktorë potencialë në mbështetjen e lirisë dhe demokracisë në Shqipëri.
Për këto kontribute dhe vlera që mishëroi në jetën dhe karrierën e vet si gazetar, Fatos Baxhaku meritoi shumë çmime dhe certifikime kombëtare dhe ndërkombëtare, mes të cilëve edhe çmimin më të rëndësishëm ” Karriera” që jepet nga organizata që e bashkëthemeloi, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.

Ndarja nga jeta parakohe e kolegut tonë të shtrenjtë Fatos Baxhaku, është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme. Në ngushëllimet e tij për familjen dhe të afërmit, Presidenti Ilir Meta shkruan ndër të tjera se “Fatosi u bë protagonist i rendit të parë në jetën publike të vendit për tridhjetë vjet me radhë, duke e lidhur emrin e vet pazgjidhshmërisht me shtypin e lirë dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes, që për të ishin mision i shenjtë!” Nuk ka njeri në median shqiptare që të mos e ketë njohur Fatos Baxhakun, jo vetëm për bisedën e tij të shtruar e të qetë, por edhe për të pasur një këndvështrim racional e të ndryshëm për gjërat që na ndodhin. Një nga pionierët e medias shqiptare të pas viteve ’90, autor i reportazheve të emblematikë të shkruar dhe televizivë, studiues i historisë kontroverse shqiptare, dhe gjithnjë një kritik i fortë i tranzicionit tonë; Fatos Baxhaku me largimin e tij na ka prekur thellë. Redaksia e Gazetës “Shekulli” i bashkohet familjes në dhimbjen e saj dhe shpreh ngushëllimet për humbjen, jo vetëm për të afërmit, por për të gjithë median shqiptare.

Karriera

Nëpër redaksitë e mediave

Nga 1993 e deri në 1998 ishte bashkëthemelues, kryeredaktor dhe gazetar i “Gazetës Shqiptare”.
Në periudhën 1998-1999 ishte kryeredaktor i parë i lajmeve në “Tv Klan”.
Në1999-2000 ishte kryeredaktor i revistës javore “XXL”.
Nga 2001 deri në 2005 ishte kryeredaktor dhe reporter telereportazhi në “Vizion Plus”.
Në 2006-2007 ishte kryeredaktor dhe gazetar i reportazhit në gazetën ditore “Shqip”.

Prej vitit 2015 kalon gazetar në profesion të lirë.

Fatos Baxhaku është autor ose bashkautor shumë cikleve me telereportazhe të cilat u bënë të shumëndjekura dhe popullore ai: “Tunel” (Vizion Plus), “Rrugëtim” (Top Channel), “Shtëpia e vjetër” (Digitalb).
Ai është autor dhe realizues i shumë dokumentareve televizive me tema dhe për personalitete nga kultura dhe historia kombëtare. Ka lektoruar në degët e gazetarisë të Universiteteve të Tiranës, Elbasanit dhe në qindra trajnime e leksione të hapura për gazetarët e rinj ne qytetet kryesore të hapësirës shqiptare. Ai ka botuar një cikël të rrallë librash me reportazhe, portrete, ese dhe artikuj kritikë e analitikë. Fatos Baxhaku ka qenë shpesh në nisma dhe reagime qytetare si aktivist i mençur dhe qytetar me klas.

55 vjeç e la këtë botë gazetari i palodhur Fatos Baxhaku. Sëmundja e rëndë e mposhti mjeshtrin e qindra e reportazheve dhe drejtuesin e disa mediave të rëndësishme në Shqipëri

Kryetari i Partisë “Zgjidhja” Koço Kokëdhima shprehu ngushëllimet e tij për gazetarin dhe publicistin Fatos Baxhaku. Kokëdhima e cilëson Baxhakun një penë të shquar të gazetarisë së pas viteve ’90 dhe mjeshtër të zhanrit të reportazhit. “Sëmundja e rëndë mori edhe Fatos Baxhakun, një tjetër penë të shquar të gazetarisë së pas viteve ’90, pjesë e brezit që ngriti dhe zhvilloi nga themelet shtypin e lirë, mjeshtër të zhanrit të reportazhit të shkruar dhe atij televiziv. Do të na mungosh, mik i dashur!”, shkruan Kokëdhima në rrjetin social “Twitter”.

Ardian Vehbiu

Kur je larg, lajme të tilla të vijnë gjithnjë si të pamundura – sidomos për njerëz si Tos Baxhaku, pa të cilët s’e përfytyron dot Tiranën. Herët e fundit e takoja gjithnjë te Friend’s Bookhouse, të rrethuar nga shokë e miq pa hesap. Më dukej sikur ashtu ishte mësuar të lumturohej – kish arritur cakun e urtësisë. Njeri fisnik, sytë i vezullonin inteligjencë, heshtja mençuri. Shkrimet ia gjeja gjithnjë një model për një gazetari të dëshiruar, por në rrezik zhdukjeje. Në një botë ideale, e kisha menduar të bashkëpunonim te “Peizazhet”. Ngushëllime të thella vëllait të tij, Turit, gjithashtu mik i mirë; dhe së bijës. Nuk them dot thjesht që Tirana s’do të jetë më e njëjta, kur të kthehem dhe të mos e shoh Tosin atje ku e shihja; nuk e ndiej veten gati për ta përcjellë këtë humbje me fjalë. Të qoftë dheu i lehtë, i dashur Tos!

Nisma Thurrje

Fatos Baxhaku ishte ndër të paktët gazetarë shqiptarë i cili karrierën e tij e shpenzoi duke shkruar e folur për të dobëtit, të varfrit, të ndershmit, punëtorët dhe njerëzit e thjeshtë të këtij vendi. Fatosin nuk e gjeje kurrë në lokalet ku tregtohet shpesh fjala e lirë dhe informacioni, por te kafja plot me libra, gjithnjë nëse nuk ishte duke vizituar ndonjë fshat të thellë, për të cilin nuk ishte folur kurrë e ai e ndiente mision ti jepte zë banorëve aty. Nuk u përul e as e tregtoi shpirtin si shumë kolegë të tij, e për këtë do kujtohet gjithnjë me respekt.
Lamtumirë Fatos dhe faleminderit për atë që na dhe!  U prehsh në paqe!

Flash Lajme