36 refugjatë u shpëtuan nga anija ”Oriku” e Forcës Detare Shqiptare, gjatë patrullimit në detin Egje. Lajmin e bëri të ditur Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka e cila u shpreh krenare për detarët tanë.

”Ekuipazhi shqiptar pikasi gomonen ku gjendeshin 19 fëmijë, 8 gra e 9 burra dhe në bashkëpunim me Frontex ia dorëzuan autoriteteve lokale”, tha Xhaçka. Anija e Forcës Detare shqiptare ”Oriku” dhe ekuipazhi i saj u nisën për në misionin e NATO-s në detin Egje me datë 12 korrik. 21 pjesëtarët e kontingjentit të XIII shqiptar në misionin ”Sea Guardian”, u nisën nga Flotilja Detare e Pashalimanit, ku u përcollën nga drejtuesit e Forcës Detare, familjarët dhe kolegët e tyre.

Anija “Oriku” është duke zëvendësuar në zonën e operacionit simotrën e saj “Butrinti”, e cila patrullonte prej 6 muajsh në detin Egje. “Oriku” po patrullon në Egje dhe do të qëndrojë atje, deri në fund të vitit, ndërkohë që kontingjenti i XIII do të shërbejë atje për rreth 3 muaj. Anijet e Forcës sonë Detare patrullojnë prej 2 vitesh e gjysmë në detin Egje ku kanë parandaluar dhe shpëtuar mijëra emigrantë të paligjshëm. Anijet shqiptare janë pjesë e grupit të gatshëm të anijeve të NATO, Standing NATO Maritime Group 2 (SNMG2), në detin Egje.

Misioni ndërkombëtar i kontrollit të kufirit, Frontex bëri publike disa prej rezultateve të punës disa mujore të efektivëve nga disa vende përgjatë vijës së kufirit të gjelbërt në Kakavijë. Prej 22 majit janë ndaluar dhe përpunuar sipas rastit 1300 shtetas të huaj që synonin të kalonin tranzit përmes Shqipërisë. Një pjesë e tyre kanë aplikuar për azil, shumë janë deportuar ndërsa gjatë kësaj periudhe u ndaluan edhe 27 shtetas të shpallur në kërkim. ”Disa nga këta janë përsëritës, janë shtetas që janë kapur disa herë në Republikën e Shqipërisë. I identifikojmë me anë të gjurmëve të gishtave kur kapen për herë të dytë dhe të tretë. Ata mundohen të gjejnë rrugë kalimi të ndryshme, nuk mund të themi që i kapim të njëjtët shtetas në të njëjtën pikë kalimi kufitar”.

21 efektivë të Frontex janë stacionuar në pikat kufitare. Të dy drejtuesit vlerësuan ecurinë e deritanishme të goditjes së emigrimit të paligjshëm, ndërsa shtuan edhe rastet e kapura të personave në kërkim. ”Janë kapur rreth 27 persona në kërkim në pikën e kalimit kufitar këtu në Kakavijë. Janë referuar në prokurori mbi 30 raste të shtetasve shqiptarë apo të huaj, të cilët kanë kryer vepra të kundraligjshme”. Disa herë është dhënë alarmi për grumbullimin e emigrantëve në Shqipëri dhe ngritjen e kampeve në vendin tonë por ekspertët e Bashkimit Europian kanë përjashtuar këtë mundësi, duke u mjaftuar vetëm me instalimin e oficerëve të Frontex. Që prej 1 qershorit pika kufitare e Kakavijë ka një fluks të shtuar. 450 mijë shtetas janë përpunuar, 150 mijë prej të cilëve janë të huaj që kanë hyrë në vendin tonë.

Flash Lajme