Gjatë 7 muajve të parë të vitit 2019, 18 523 familje kanë përfituar bonusin e bebeve. Përfitues të çekut të bebeve janë dhe fëmijët që lindin jashtë vendit tonë, por që rikthehen në Shqipëri për t’u regjistruar pranë zyrave të gjendjes civile.

Drejtoresha e përgjithshme e politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Merita Xhafaj, në një interviste për mediet shpjegoi procedurat që duhet të ndjekin familjet për të përfituar çekun e bebeve.

“Sapo paraqesin dokumentacionin marrin çekun dhe shkojnë në bankë për të tërhequr lekët. Për të gjitha rastet kur lindjet bëhen brenda spitaleve publike, çeku lëshohet nga spitali publik, pra materniteti. Për rastet kur lindin në spitale private apo për ata të cilët kanë lindur jashtë territorit shqiptar dhe janë kthyer kanë bërë regjistrimin në zyrat e gjendjes civile brenda territorit shqiptar, çeku i bebeve lëshohet pranë zyrave të shërbimit social shtetëror”-u shpreh Xhafaj

Xhafaj gjithashtu bëri publik edhe numrin e familjeve përfituese të bonusit deri në muajin korrik. ”18 523 persona kanë përfituar nga lindja e fëmijës. Ne mund të ndajmë që 13 684 lindje janë bërë në spitalin publik, 1300 kanë qenë lindje në spitale private dhe 3589 kanë qenë lindje jashtë por që kthehen për t’u regjistruar në zyrat e gjendjes civile brenda vendit”. Bonusi i bebeve ndihmon në fuqizimin ekonomik te familjes por dhe në uljen e numrit të fëmijëve të paregjistruar, ku problematika më e madhe hasej në minoritetin rom. Familjet që mirëpresin për herë të parë një fëmije, përfitojnë 40,000 lekë. Për fëmijën e dytë përfitohen 80 000 lekë, ndërsa për familjet që shtohen për herë të tretë, përfitojnë 120 000 mijë lekë.

Flash Lajme