Ndërkombëtarët kanë nisur tentativat për të bërë bashkë palët politike sa i takon reformës zgjedhore. Ditën e djeshme ambasadori i OSBE, Bernd Borchardt zhvilloi një takim me bashkëkryetaren e reformës zgjedhore Rudina Hajdari, ku në fokus të diskutimit të tyre ka qenë miratimi i reformës zgjedhore.

Ndërsa bashkëkryetari tjetër i kësaj reforme, Damian Gjiknuri takoi ambasadorin e ri të Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf. Lajmin e bëri të ditur vetë Gjiknuri, i cili përmes një postimi në rrjetin social Facebook u shpreh se ka rënë dakord me Rudina Hajdarin, që është bashkëkryetare e komisionit, që këtë muaj të organizojnë një tryezë gjithëpërfshirëse mbi çështjet e sistemit zgjedhor. “Me ambasadorin Peter Zingraf i cili ritheksoi interesimin maksimal të Gjermanisë për reformën zgjedhore. Diskutuam mbi ecurinë e deritanishme të këtij procesi, gatishmërinë e mazhorancës për të krijuar hapësirat e bashkëpunimit për opozitën parlamentare ashtu edhe atë joparlamentare. Në kuadër të adresimit të kërkesave të opozitës parlamentare, me bashkëkryetaren e komisionit, zj. Rudina Hajdari jemi dakordësuar të organizojmë brenda shtatorit një tryezë gjithëpërfshirëse diskutimi mbi çështjet e sistemit zgjedhor”, u shpreh Gjiknuri.

Flash Lajme