Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk do të shkojë të enjten në Pragë për të marrë pjesë në Samitin e Vishegradit.

Ky vendim i Haradinajt vjen pak kohë pas deklaratave të presidentit çek gjatë një vizite në Beograd, ndërsa në Çeki raportohet se deklarata e presidentit Millosh Zeman për tërheqje të njohjes është arsyeja e anulimit të pjesëmarrjes nga ana e Kosovës.

Në Samitin e Vishegradit, përveç Çekisë, Sllovakisë, Polonisë dhe Hungarisë, marrin pjesë kryeministrat edhe të Ballkanit Perëndimor, e shefi i Qeverisë kosovare në detyrë, Ramush Haradinaj, e ka anuluar vizitën në Pragë.

Në Zyrën e Kryeministrit e kanë konfirmuar për Gazetën Express se Haradinaj nuk do të marrë pjesë në Samitin e Vishegradit.

Ndërkaq zëdhënësja e Qeverisë çeke sot ka thënë se Kosova e ka anuluar pjesëmarrjen në samitin ku marrin pjesë udhëheqës të Ballkanit Perndimor.

Nga Zyra e Kryeministrit në detyrë thuhet se arsyeja e mospjesmarrjës janë angazhimet e Haradinajt, ndërsa thonë se do të dalin së shpejti me njoftim zyrtar.

Presidenti i Republikës së Çekisë, Millosh Zeman, dje ka mbërritur për një vizitë në Beograd ku është pritur nga presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç.

Ndërsa dje në këtë pritje i kishte pëshpëritur Vuçiçit se nuk i pëlqen Kosova, në një konferencë për media të mbajtur sot pas takimit, Zeman ka paralajmëruar se shteti i tij do të shqyrtojë tërheqjen e njohjes për pavarësinë e Republikës së Kosovës brenda një muaji

Flash Lajme