Presidenti Ilir Meta gjatë konferencës për shtyp pas takimit me ekspertët e delegacionit të Komisionit të Venecias, të thirrur nga Kuvendi i Shqipërisë për të dhënë një mendim mbi nismën për shkarkimin e tij, analizoi atë se çfarë do të ndodhë me integrimin, zgjedhjet dhe bashkëpunimin me opozitën

Lindita Bushgjokaj

Presidenti i Republikës Ilir Meta gjatë një konferencë për shtyp pasditen e së mërkurës, foli për situatën e fundit politike, ndërsa u ndal gjerësisht te vendimi që pritet të marrë Venecia më 11 tetor, si dhe zhvillimet e tjera që pritet të ndodhin. Meta tha se do të bëjë publike të gjithë dokumentacionin që u dorëzoi ekspertëve të Venecias dhe që do të bëhet publik javën e ardhshme në shqip dhe anglisht. “Dokumenti që kemi dorëzuar do të jetë nga e hëna publik në shqip dhe anglisht dhe i hapur për mendime për qytetarët, gazetarët dhe juristët”, tha Meta. Presidenti falënderoi Kuvendin që kërkoi mendimin e Venecias për këtë çështje dhe këmbënguli se shqiptarët e dinë shumë mirë që Presidenti nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese. “Por përkundrazi, çdo përpjekje për të kundërtën është përpjekje për të shmangur 18 tetorin. Presidenti është gati të shkojë në Venecia më 11 tetor, por media të merret me 18 tetorin. Shqiptarët jetojnë në dy shtete, në shtetin e propagandës dhe shtetin e së drejtës. Unë për vete mendoj se jam në shtetin e së drejtës. Propaganda thotë që Presidenti nuk ka të drejtë të zhdekretojë, se nuk ja lejon Kushtetuta. Unë nuk është se kam zhdekretuar. Unë kam të drejtë që të nxjerr dekrete si President. Unë kam të drejtë që të nxjerr një dekret për të shfuqizuar dekretin tim të mëparshëm”, tha ai.

“30 qershori, nuk kam shkelur kushtetutën”

Presidenti tha se me vendimin për anulimin e 30 qershorit dhe dekretimin e 13 tetorit si datë zgjedhjes mund të ketë shkelur vetëm Kodin Zgjedhor dhe jo Kushtetutën dhe parimet e saj. Presidenti këmbënguli se me reformën në drejtësi janë shkelur rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe hamendësoi se ekspertët e këtij Komisioni duhej të vinin në Shqipëri për këtë çështje, jo për shkarkimin e tij.  “Mund të pyesni po Presidenti a ka shkelur Kushtetutën? Po, presidenti mund të ketë shkelur me 2-3 muaj Kodin Zgjedhor, por jo Kushtetutën. Kushtetuta flet vetëm për periodicitetin e zgjedhjeve, jo për data dhe afate. Janë shkelur rekomandimet e Venecias për reformën në drejtësi, por prokurorin e përgjithshëm, gjykatën kushtetuese. Po të ishin të zgjuar ata, nuk kishin pse të vinin për këtë çështje, por vinin për çështje të rëndësishme. Venecia rekomandonte se zbatimi i reformës në drejtësi të ruante frymën e konsensusit. Prokurori i Përgjithshëm, për të shmangur kapjen e tij komisioni rekomandoi që deri në zgjedhjet, ajo të bëhet me 2/3 e anëtarëve të Kuvendit, pas datës së zgjedhjeve me 3/5, pra me mbi 84 vota”, u shpreh Meta.

Meta: Nuk ka asnjë shans të dal nga zyra para 2022-it!

Ndër të tjera, gjatë fjalës së tij para gazetarëve, Presidenti Ilir Meta deklaroi se i qëndron deklaratës së tij për të bërë tre palë zgjedhje në një ditë. Ai tha se Rama nxitoi të zëvendësonte opozitën në parlament sepse kishte qëllim të zhdukte opozitë, si dhe theksoi se nuk ka asnjë shans që presidenti të dalë nga zyra para mbarimit të mandatit. “Presidenti ishte për të garantuar të drejtën e zgjedhjes për të gjithë jo vetëm për ata që nuk do të shkonin të votonin se ndiheshin të pa përfaqësuar por edhe për ata që do të shkonin. Nuk është e njëjta gjë kur ke dy kandidatë. Për shkak të një procesi të tillë. Në këtë rast votimi është i fshehtë. Kthehuni te deklarata e mëparshme në Pogradec. Atëherë bëhej fjalë për qershorin. Tani po troket 18 tetori. Tani hajde t’i bëjmë në një datë të treja. Mua nuk më duket normal veprimi i opozitës, as zëvendësimi i menjëhershëm sepse ishte tërësisht e mundshme që të fitohej kohë për të vendosur një normalitet. Por ju e dini se çfarë nxitimi pati për ta bërë fakt largimin e opozitës. Me idenë e ndëshkimit u kthyem 40 vjet mbrapa, kur zgjedhjet me një kandidat u quajtën normale. Parlamenti me një rezolutë rrëzoi dekretin e presidentit. Unë shpresoj që të gjithë të reflektojnë për të rikuperuar të gjitha pasojat që janë përmendur sot. Ilir Meta i ka thënë ca gjëra shumë qartë. Do punojmë shumë fort bashkë deri më 24 korrik 2022. Gjithë ky kuadrat i presidencës është vetëm Shqipëri dhe kuq e zi të paktën deri në atë datë dhe deri në atë moment. nuk ka asnjë shans që Ilir Meta ta dalë nga ky institucion para kësaj date. Pastaj për çështje të tjera nuk do doja të vija më tej në detaje sepse jam i bindur. ilir Meta është këtu për një mision historik për të mbrojtur disa interesa të mëdha në rajon. Këtë punë do ta përmbush si një mision historik”, theksoi Presidenti.

Meta dyshues: S’i trembem gotës së shampanjës, por të presim 18 tetorin

Meta nënvizoi se ka ende kohe që me përgjegjësi maksimale të gjendet një zgjidhje me qëllim që 18 tetori të jetë festë e madhe. Përmes ironisë para gazetarëve, Meta theksoi se nga ana e tij janë bërë përpjekje maksimale që të çelen negociatat në vjeshtë, ndërsa pret që këtë event të madh të shqiptarëve ta festojë me shampanjë. “Presidenti ka bërë çdo gjë që vendi ynë të kishte marrë çeljen e negociatave me kohë dhe asnjë minutë të qëndronte pa Gjykatë Kushtetuese dhe do vazhdojë të bëjë më të mirën për ti shërbyer integrimit evropian. Kam bërë përpjekjet që të mos ngelim në klasë në vjeshtë. Kam dëgjuar lajme pozitive, por unë jam dyshues. E dini që presidentin e keni nga vendi i rakisë nuk ka si ti trembet gotës së shampanjës, por do na duhet të presim 18 tetorin. Shqiptarët e Maqedonisë kanë një shprehje: “Mos bëni bajram me men” ende kemi kohë që me përgjegjësi maksimale ta bëjmë një festë të vërtetë. Shpresoj të kem qenë i gabuar, por dhe askush nuk mund të më akuzojë se kam dhënë kontribut të madh”. Konferenca e Metës u bë pas një takimi që kreu i shtetit pati me Lulzim Bashën në Presidencë. Basha ngjiti shkallët e Presidencës rreth orës 10:00 dhe doli prej andej 60 minuta më vonë. As nga Presidenca dhe as nga Partia Demokratike nuk doli një njoftim mbi diskutimet në këtë takim.Çfarë do të bëjë presidenti nëse ngelemi në klasë më 18 tetor?

Presidentët dhe përplasjet me mazhorancat

Historia e Presidentëve 1991-2019 është e ndërlidhur ngushtë me llojin e mazhorancave politike dhe emrat e kryeministrave gjatë mandatit të tyre. Kur kryeministrat kanë pasur protagonizëm personal dhe kontroll të mazhorancës, ata e kanë përdorur qeverinë dhe parlamentin për të sulmuar, denigruar apo izoluar Presidentin e Republikës. Ka pasur edhe raste të tjera kur vetë Presidentët, në kushtet e rotacionit politik në qeveri, kanë shfaqur sjellje agresive ndaj mazhorancave, në varësi nga natyra e Presidentit, nëse ai ka qenë institucional (mbi palët) apo i njëanshëm (në mbështetje të palës që e ka zgjedhur). Faktori i tretë lidhet me kompetencat kushtetuese. Presidentët e periudhës 1991-1998 kanë pasur kompetenca të tjera kushtetuese, shumë më të mëdha sesa Presidentët pas 1998. Gjithashtu, Presidentët pas 2008 janë ndeshur me rritje kushtetuese të kompetencave të kryeministrit, duke sjellë edhe dobësimin e tyre në raport me institucionet ekzekutive dhe parlamentin. Tabela më poshtë e Institutit të Studimeve Politike (ISP) përmbledh të dhënat e Presidentëve prej 1991. Ramiz Alia ishte një vit President, më pas dha dorëheqjen pas rotacionit të vitit 1992, megjithatë nën mazhorancën e re u vu nën hetime dhe më pas u arrestua dhe u dënua për akte që lidhen me periudhën përpara detyrës së Presidentit. Rexhep Meidani u bë President më 1997, por kaloi një vit të vështirë në raportet personale me kryeministrin Nano, sidomos në debatin për ndryshimet në qeveri më 1998. Raportet e tij të mëvonshme me kryeministrat Majko e Meta ishin pozitive. Alfred Moisiu ishte Presidenti i vetëm konsensual dhe që nuk ka qenë funksionar në asnjërën nga partitë politike. Presidenca e tij u përball me sulme të njëanshme në vjeshtën e vitit 2003 nga e djathta, më 2004 nga e majta dhe pas 2005 përsëri nga mazhoranca e re e djathtë. Bamir Topi pati mbështetjen e mazhorancës deri në ndryshimet kushtetuese 2008, por u sulmua ashpër prej saj sidomos pas janarit 2011. Meidani dhe Topi janë presidentët e vetëm që patën të njëjtën mazhorancë gjatë mandatit të tyre presidencial, dhe se Topi, pati të njëjtin person kryeministër përballë. Bujar Nishani u emërua President nga mazhoranca e djathtë më 2012, kaloi një vit të qetë me të derisa rotacioni politik 2013 i solli konflikte të dyanshme midis tij dhe mazhorancës së re të majtë. Ilir Meta u bë President nga e majta më 2017 dhe vijon të jetë në post, ndërkohë që pas një viti të qetë, gjatë 2019 nisi një krizë politike që kulmoi me ngritje të komisionit hetimor parlamentar për shkarkimin e tij. Konkluzioni? Shqipëria vazhdon të ketë traditë të brishtë institucionale dhe rivalitet personal për protagonizëm politik, ku institucionet janë mburojë e pasojë, jo bazë referuese. Figura kryesore politike midis 1991-1998 ishte Presidenti, por pas Kushtetutës së vitit 1998 dhe sidomos pas 2008, pushteti i kryeministrit është de facto më i madh sesa edhe presidentët e viteve ’90. Kurba e pushtetit ka përcaktuar kurbën e marrëdhënieve dhe se në tri dekada ka vetëm një rast konsensual, – një dallim i madh nga praktikat e shumta konsensuale në Itali, Gjermani, Greqi dhe vende të tjera perëndimore të natyrës parlamentare.

*Marrë nga Instituti i Studimeve Politike – ISP

Flash Lajme