U përkujtua sot 21-vjetori i vrasjes së ish-deputetit dhe ish-liderit të lëvizjes studentore Azem Hajdari.

Homazhet bën bashkë kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe deputeten Rudina Hajdari, e bija e Azem Hajdarit.

Ditën e homazheve e nisi Presidenti i Republikës, Ilir Meta, duke vendosur një kurorë me lule tek memoriali i tij në rrugën “Abdi Toptani” në kryeqytet.

Mandej ishte kreu i PD-së Basha dhe ish-kryeministri Berisha, së bashku me bashkëshorten e Azem Hajdarit dhe fëmijët e tij që bënë homazhe para bustit.

Në homazhe ishte i pranishëm dhe kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, si dhe përfaqësues të mazhorancës si Mimi Kodheli, Vasilika Hysi dhe Ervin Bushati.

Kujtojmë që Azem Hajdari u vra më 12 shtator 1998 së bashku me shoqëruesin e tij Besim Çerja.

Fjala e kreut të PD-së Lulzim Basha

Sot shqiptarët nderojnë Azem Hajdarin, liderin e lëvizjes studentore të ’90, që u vra mizorisht nga kriminelët e veshur me uniformën e shtetit.

Amaneti dhe sakrifica e Azem Hajdarit janë përjetë shembull frymëzimi për të çuar deri në fund idealin e një Shqipërie europiane dhe demokratike, ku qytetarët janë zotë të fateve të tyre me një politikë të ndarë nga krimi, ku kriminelët të jenë para drejtësisë dhe pas hekurave dhe fatet e vendit të merren me përgjegjësi të plotë nga ata që shqiptarët i gjykojnë me votë të lirë dhe të ndershme.

Sot në këtë 21 vjetor akoma është aktuale plaga e hapur, krimi vijon që të ketë mbrojtjen dhe postet shtetërore.

E sotmja është po kështu edhe një thirrje për bashkim mes të gjithë shqiptarëve të ndershëm, demokratëve dhe socialistëve të ndershëm që kurrë nuk e kanë pranuar politikën e lidhur me krimin dhe vjedhjen me ligj si politikën e vetme për t’u bërë bashkë për të hapur rrugën e Shqipërisë si gjithë Europa.

Ka ardhur koha që rinia shqiptare ta mbyllë tranzicionin dhe të hapë rrugën e vlerave, demokracisë, lirisë dhe barazisë para ligjit. Ky është nderimi më i madh për Azem Hajdarin dhe qindra të tjerë.

Flash Lajme