Ish-polici i antidrogës në zonën e Fierit dhe Vlorës para vitit 2014, flet për “Shekulli”-n pas gjyqit ndaj ish-ministrit Tahiri. Dëshmitë se sa lehtë kryhej trafiku i drogës pas ndërrimit të qeverive dhe bashkëpunimi i policëve në Vlorë me bandën Habilaj

Xhentila Gjoshi

Një ditë pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dënimin me 12 vjet burg për ish-ministrin Saimir Tahiri, ish-polici i antidrogës në zonën e Fierit dhe Vlorës para vitit 2014, Dritan Zagani shpjegon se si funksiononte çështja e trafikut. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Zagani shprehet se në QNOD që shërbente për kontrollin e mjeteve lundruese në det, gjatë vitit 2013 ishte funksionale. Por, pasi erdhi në pushtet qeveria e rilindjes thotë ai, radarët fikeshin me urdhër nga njerëz që kishin autoritetin e trafikut të drogës me bekimin e shtetit të atij momenti. Po ashtu, ai tregon edhe punonjës policie që ishin te afërt me vëllezërit Habilaj, i cili ka banuar në apartamentin bashkë me familjen në Vlorë të paguar nga ta.

Zoti Zagani, keni dijeni nëse funksiononte QNOD nga viti 2013 e më pas, ashtu siç edhe thotë ish-ministrja Kodheli në reagimin ndaj ish-ministrit Tahiri?

Lidhur me funksionimin ose jo të QNOD,  për sa kohë kam qenë në punë deri në Maj 2014 e dija se ishte në punë. Por pasi kam dalë nga arresti me burg në tetor të po atij viti dhe në vazhdim kam pasur informacione nga burimet e mia që herë pas here QNOD, fikej sipas kërkesës së njerëzve që kishin autoritetin e trafikut të drogës me bekimin e shtetit të atij momenti, dhe këtë unë e mësova pasi interesohesha për veprimtarinë e bandës Habilaj dhe lidhjet e tyre. E theksoj, në këtë kohë isha pa punë dhe me arrest shtëpie, por unë interesohesha me sa mundësi dhe lidhje kisha për aktivitetin e këtyre bandave në Vlorë, sepse ishin këta që dhanë porosinë te Saimir ministri, që unë të hiqesha nga “piaca” sepse siç thoshin isha me rrezikshmëri për ta dhe u kisha shkaktuar dëme gjatë kohës së punës time në Vlorë.

A kryhej lehtësisht trafiku i drogës në hapësirat tona detare?

Trafiku i drogës deri në vitin 2013, në hapësirën detare mori pothuaj fund si rezultat i masave të marra nga shteti në atë kohë, si dhe një rol të rëndësishëm në këtë bllokim ka luajtur edhe ligji i Moratoriumit për mjete detare që ishte në fuqi deri në ndërrimin e qeverisë në shtator 2013. Pra, deri në këtë kohë ishte e vështirë, por jo e pamundur, sepse edhe atëherë që flas kishim raste spontane të trafikut nëpërmjet mjeteve lundruese, por që duhet theksuar se puna ishte e organizuar në mënyrë të atillë që çdo mjet që konstatohej në det nga QNOD apo nga radarët tanë lokalë (sepse DRKM (Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe e Emigracionit) Vlorë kishte në dispozicion e në funksion edhe një rrjet radarësh lokal në disa pika kyçe si p.sh Himarë apo në Seman). Pra, çdo mjet që konstatohej, ose ndiqej e kapej nga mjetet tona së bashku me Guarda di Finazza në shërbim tek ujërat tona, ose jepej njoftimi për partnerët tanë në Itali dhe fundi dihej për atë kohe, p.sh. në 10 konstatime që kishin në atë kohë, 9 ishin automatikisht të kapur me apo pa ngarkesë në varësi se ku dhe si konstatohej mjeti lundrues klandestin. Ndërsa me ndërrimin e qeverisë me sa kam parë e mësuar unë, jo vetëm ishte gjëja më e thjeshtë trafiku nga deti, por u bë edhe si direktive e rilindjes, sepse policia jo që si ndalonte më, por ishte dhe pjesë në më të shumtën e këtij trafiku.

Ditën e martë, Tahiri mohoi akuzat për bashkëpunim me kushërinjtë e tij Moisi dhe Florian Habilaj. Në dijenitë tua, qëndron ky pretendim?

Që Tahiri të mohonte të gjitha lidhjet me vëllezërit Habilaj, kjo gjë mua nuk më habit aspak, sepse është diçka normale për një që është duke u mbytur e të kërkojë mundësi shpëtimi. Është humane kjo gjë dhe është më e fortë tek njerëz të kalibrit të tij që ia dinë vlerën lekut dhe trafikut që sjell shumë fitime të shpejta. Por në përpëlitjen e tij që të fshehë këtë të vërtetë ai është edhe qesharak. Them qesharak sepse tashmë janë të shumta faktet publike që vërtetojnë këtë lidhje, megjithë punën e dobët që ka bërë prokuroria për ta kopsitur me prova lidhjen e tij kriminale me trafikantët kushërinj. Unë personalisht di dhe kam deklaruar shumë gjëra që di për lidhjet e tij me këtë bandë trafikantësh, por asnjëherë nuk u mora seriozisht nga organi i akuzës se që të thirresha në dëshmi as që bëhet fjalë. Dhe e gjitha kjo për mua me apo pa dashje është një punë e dobët e hetimit nga ana e atyre që kishin në dorë të zbardhnin të vërtetën.

Po ashtu, gjatë seancës ish-ministri u mundua të mbrojë edhe zyrtarët e policisë Jaeld Cela dhe Gjergji Kohila. Ishte i vendosur në pafajësinë e tyre.

Ai nuk zhveshi nga akuzat Çelën apo Kohilën me deklaratën e tij, por ai thjesht kërkoi të mbulojë ca të vërteta që tashmë janë të provuara dhe këtë ai se bëri se i qan zemra shumë për ish-vartësit që ai me dorën e tij i vuri në ato detyra, por e bëri tërë këtë diversion në të mirë për veten e tij. Sepse kur ata janë të akuzuar me prova si bashkëpunëtorë të bandës së kushërinjve, nuk duhet shumë që të lidhet automatikisht edhe ai vetë si kreu i këtij grupi të organizuar kriminal dhe për më tepër edhe me pushtet absolut siç ishin edhe faktet në atë kohë që Saja mbretëronte në Tiranë dhe në Vlorë, dërgonte njerëzit më të besuar në shërbim të kushove “biznesmen”.

Tahiri u shpreh se Moisi Habilaj ishte referuar në prokurori 4 herë dhe sipas tij nuk ishte i paprekshëm. Sa qëndron ky fakt?

Lidhur me këtë që ai thotë se është referuar në Prokurori kushëriri gjate mbretërimit të tij, ai thjesht tallet dhe kërkon të hedhë pak tymnaj në publik, sepse në aktet hetimore nuk ekziston asgjë e tillë dhe të jeni të sigurt nëse do kishte akte të tilla, Saja do t’i tundte si e ka zakon para gjithë opinionit si prove në favor të tij. Por të jeni të sigurt se ai thjesht përhap tym mediatik për vetëmbrojtje. Pastaj kush do t’ia hapte atyre këto hetime në Vlorë, këta që janë sot të implikuar dhe ishin të besuarit e Sajës, apo ai siç homologu im në Vlorë, Ermal Lulaj që ishte kokë e këmbë mik dhe shërbëtor i Habilajve, i cili jetonte edhe në një apartament pronë e tyre në Vlorë me familjen. Natyrisht edhe pa asnjë lloj pagese. Dhe ta mbyll këtë temë, nëse do kishte pasur të tilla do ishin të paktën në regjistra si te prokuroria ashtu dhe te policia si dokumente, edhe pse sipas Sajes prokuroria nuk i hetonte. Kjo është edhe më qesharake se lajthitjet e tjera që shqiptoi dje Saja i gjorë në prag të mbytjes përfundimtare.

Për këtë çështje, mendoni se Tahiri duhet të merrej i pandehur vetëm apo pas tij duhet të ishin edhe shumë zyrtarë të tjerë policie?

Lidhur me situatën e drogës që u krijua në vendin tonë pas shtatorit të 2013, dhe kryesisht pas ndërhyrjes në Lazarat, unë e kam thënë dhe po e përsërit që Tahiri ishte thjesht një unazë nga i gjithë zinxhiri kriminalo-politik që sundonte dhe sundon akoma në vendin tonë. Pra Tahiri ishte një nga hallkat e rëndësishme, por nuk ishte kurrsesi i vetmi apo edhe më kryesor, të gjithë e dinë që tek qeveria e rilindjes jo Tahiri por asnjë nga ushtarët me detyrë, nuk bën dot as edhe një gjë të vetme pa miratimin dhe bekimin e Edi Ramës kryeministër dhe krye gjithçka që ka ndodhur dhe po ndodh në vendin tonë këto kohë. Pra, duke filluar që nga kreu Rama e deri tek çdo funksionar i shtetit që nuk ka lënë asnjë gjurmë sa i përket luftës kundër drogës në këto kohë është përgjegjës njësoj si Tahiri para ligjit, por siç dihet atje ligji është plan i dytë dhe para tij shkojnë vetëm ca syresh sa për të mbuluar të vërtetat e mëdha që kanë ndodhur këto vite me drogën dhe trafikun e saj. Dua të shtoj se lidhur me situatën e drogës në vendin tonë, kryesisht flas për kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, nuk i kam kuptuar as sot akoma se kuptoj se si edhe Ambasadat e huaja, kryesisht ato të vendeve me peshë pse nuk janë prononcuar thuajse fare. Se kam kuptuar se si Rama dhe shpura e tij ka arritur që të blejë funksionarë burokratë që punojnë në Tiranë si përfaqësues të vendeve të tyre, apo ka qenë edhe një mbështetje politike nga vendet e tyre të origjinës duke na përdorur ne si parcelë eksperimentale për motive që unë s’mund t’i shpjegoj dot. Por qëndron fakti i heshtjes ndaj këtij fenomeni deri sa u mbyt Europa nga trafiku shqiptar dhe filluan ankesat direkt nga vendet EU, lidhur me këtë fenomen.

Flash Lajme