Vesile Yavuz: Mjeti është gjetur në gjendje aktive, por bashkëshorti im nuk ka qenë brenda. Kërkoj ndihmë nga zyrtarët tanë të lartë të shtetit. Dua që i shoqi im të kthehet.

Bija ime pyet për babain e saj dhe unë nuk mund t’i them asgjë

Teksa kanë kaluar disa ditë nga gjetja e një jahti turk të braktisur në detin Adriatik, në Shëngjin, dhe dokumenteve të kapitenit Sezgin Yavuz, ende nuk është gjetur asnjë gjurmë mbi vendndodhjen e tij. Jahti me emrin “Atik Bey”, u gjet i braktisur disa ditë më parë në ujërat ndërkombëtare, 12 milje larg bregdetit të Shëngjinit, ndërsa gjatë kontrollit policor u gjetën dokumentet e kapitenit 31-vjeçar Sezgin Yavuz. Gati një javë më parë, Yavuz çoi në Shqipëri pronarin e jahtit, Nedim Akyüz, ndërsa më pas u nis për në Greqi, shkruan Anadolu Agency. Jahti u gjet në gjendje aktive nga ana e peshkatarëve, ndërsa më pas filloi hetim pas mungesës së kapitenit Yavuz, për të cilin policia fillimisht dyshoi se ishte pronari i mjetit lundrues. Vesile Yavuz, 26 vjeçe, bashkëshortja e kapitenit Sezgin Yavuz me banim në qytetin Fethiye në provincën perëndimore turke Muğla, e cila tashmë është tre muaj e gjysmë shtatzënë, në një prononcim për gazetarët tha se i shoqi i saj kishte dalë jashtë shtetit para dy muajve. Ndërsa një javë më parë ka marrë rrugën për t’u kthyer. Ajo rrëfeu se më 4 shtator ai i kishte telefonuar për t’i treguar se do të kthehej në Turqi dhe se mund t’i telefononte sërish pas dy ditësh. “Nuk më telefonoi më. Të shtunën u gjet mjeti lundrues. Mjeti është gjetur në gjendje aktive, por bashkëshorti im nuk ka qenë brenda. Ende nuk është gjetur. Kërkoj ndihmë nga zyrtarët tanë të lartë të shtetit. Dua që i shoqi im të kthehet. Bija ime pyet për babain e saj dhe unë nuk mund t’i them asgjë”, është shprehur Vesile Yavuz.

Verifikimet

Lidhur me zhdukjen e papritur të kapitenit turk në ujërat e Detit Adriatik, Prokuroria e Lezhës ka nisur hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Biznesmeni turk Nedim Akyuz, është pronar i mjetit lundrues që u gjet i braktisur rreth 12 milje larg portit të Shëngjinit. Prokuroria e Lezhës ka administruar dëshminë e dhënë nga vetë Akyuz ditën e martë para grupit hetimor si edhe bisedat e tyre telefonike dhe komunikimet me kapitenin e mjetit lundrues që rezulton i zhdukur, Sevgin Yavuz prej 2 Shtatorit. Hetimet e kryera nga autoritet turke, ka rezultuar se biznesmeni i njohur i tekstileve Akyuz dhe kapiteni i humbur Yavuz nuk rezultojnë të kenë precedentë penalë në shtetin e tyre të origjinës. Gjithashtu, burimet nga organi i akuzës bëjnë të ditur se po verifikohet nëse ndërmjet dy personave ka pasur më parë ndonjë konflikt, i cili mund të ndryshojë edhe rrjedhën e hetimeve për zhdukjen në mënyrë misterioze të kapitenit turk. Po ashtu, mësohet se hetimet po kryhen edhe për vërtetësinë e shkresave që kapiteni kishte kryer në portin e Tivarit në Malin e Zi. Ai kishte deklaruar se në bord ndodhej i vetëm dhe destinacioni final i tij do të ishte ishulli i Korfuzit në Greqi. Pavarësisht ecurisë së hetimeve, Nedim Akyuz pronari i mjetit lundrues, vlera e të cilit shkon afërisht 1 milion euro, kërkon ta marrë atë, pasi mund të dëmtohet edhe më tej gjatë qëndrimit në portet detare shqiptare. Por, Prokuroria e Lezhës ka refuzuar kërkesën Akyuz dhe nuk lejon largimin e mjetit pa u mbyllur më parë hetimet mbi zhdukjen në mënyrë të pashpjegueshme të kapitenit turk që dyshohet se ka humbur kontaktet në ujërat territoriale shqiptare.

Jahti

Jahti i biznesmenit turk u gjet më datë 6 shtator, rreth orës 21:00 të mbrëmjes, rreth 12 milje larg bregdetit të Shëngjinit në detin Adriatik. Ai është konstatur nga disa peshkatarë të zonës, të cilët pasi kanë vënë re që në ambientet e jahtit nuk kishte njeri dhe ai ishte i braktisur, kanë lajmëruar policinë. Policia Kufitare e Shëngjinit në bashkëpunim me forcat policore të stacionit Shëngjin dhe Kapitenerinë, transportuan këtë mjet për në Portin e Shëngjinit ku aktualisht ndodhet i bllokuar. Nga kontrolli i mjetit nuk është konstatuar asnjë person dhe asgjë e kundraligjshme brenda tij, përveçse disa dokumenteve me identitet S.Y., 31 vjeç, banues në Turqi, i cili dyshohet si pronari i tij. Në bashkëpunim me Interpol Tirana po vijojnë verifikimet në bashkëpunim me homologët si dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Hetimet

Policia dhe Prokuroria e Lezhës nisën gjithashtu verifikimet për biznesmenin turk Nedin Akyuz, njëherazi edhe pronari i jahtit luksoz tashmë i bllokuar nga grupi hetimor në portin e Shëngjinit. Burime pranë Policisë së Shtetit pohuan se pavarësisht dëshmive dhe pretendimeve që biznesmeni ka dhënë për hetuesit në lidhje me gjithçka dinte rreth lëvizjeve të kapitenit të jahtit, turkut Sevgin Yavuz si dhe bisedat e fundit që ka pas me të, hetuesit po verifikojnë ndonjë konflikt të mundshëm mes tyre. Të njëjtat burime sqaruan se deri më tani nga verifikimet e kryera, por edhe nga të dhënat që grupi hetimor ka siguruar nga policia turke, nuk rezulton se kapiteni Yavuz të ketë precedent penalë.

 

Flash Lajme