Intervista për gazetën “Shekulli” diplomati Agim Nesho komenton krizën politike në vend. Ai thotë se në mungesë të Gjykatës Kushtetuese nuk mund të shkarkohet Presidenti Ilir Meta. Nesho sugjeron, që rruga e vetme për zgjidhjen e krizës është ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar

Lindita Bushgjokaj

Diplomati dha analisti Agim Nesho, në një intervistë për gazetën “Shekulli” komenton situatën politike në vend. Një nga ngjarjet më kulminante të politikës është shkarkimi i Presidentit Ilir Meta nga maxhoranca, për zgjedhjet e 30 qershorit. Sipas diplomatit Nesho, PS po ndjek këtë politike për të ushtruar presion ndaj Presidentit me qëllim që të pranojë zgjedhjet socialiste të 30 qershorit.

Z Nesho, a mundet maxhoranca ta rrezojë Metën në mungesë të Gjykatës Kushtetuese?

Vendimet e Institucionit të Presidentit të Republikës mund të gjykohen vetëm nga Gjykata Kushtetuese, dhe sundimi i së drejtës është një nga kriteret që Shqipëria duhet të përmbushë në realizimin e integrimit të saj evropian. Sot Shqipëria është pa një gjykate kushtetuese funksionale dhe vendi është në një ngërç institucional. Mendoj që procedura që ka filluar parlamenti për të shkarkuar presidentin është një formë presioni për institucionin e Presidentit për të pranuar zgjedhjet e 30 Qershorit. Mendoj që Presidenti i Republikës ka respektuar interesin e populli dhe ka dashur një zgjidhje politike. Respektimi i Kushtetutës bëhet edhe duke respektuar frymën e saj dhe ekzistencën e pluralizmit politik. Asnjë nuk mund të pranojë që 30 vjet pas vendosjes së demokracisë ne të kthehemi tek zgjedhjet një partiake. Partitë politike ishin të ndara për zgjedhjet e 30 qershorit dhe Presidenti i Republikës si garantues i unitetit kombëtar bëri veprimin e duhur dhe të nevojshëm. Shumë mendojnë që Presidenti Meta mund të shpërndante dhe Parlamentin, i cili nuk ka arritur normën përfaqësuese të 140 deputetëve apo të insistonte në nj zgjidhje të detyrueshme. Por ai veproi me maturi për të shmangur një konflikt të panevojshëm. Komisioni hetimor ishte qesharak dhe legjitimitetin ja dha vetëm prania e Presidentit që e trajtoi institucionin me respektin që duhet të ketë në kushte normale. Çdo veprim që normalitetin e trajton me seriozitetin institucional, më qëllimin e respektimit të institucioneve, çon në konfuzion. Vazhdimësia e procesit të shkarkimit të presidentit, për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, do të jetë fundi i veprimtarisë së këtij parlamenti, militantëve që qëndrojnë në llogore si dhe dështimi i politikave të Rilindjes.

Partia Demokratike po përgatit dy platforma për zgjidhjen e krizës. Si e gjykoni strategjinë që po ndjek z.Basha me fillimin e këtij sesioni parlamentar?

Opozita Shqiptare dhe udhëheqësi i saj Lulzim Basha për mëse një vit kanë arritur të sensibilizojnë opinionin publik që Shqipëria ka nevojë për një zgjidhje të re politike. Për të qenë në ofertën e saj, opozita, në një situatë in extremis, doli edhe nga parlamenti për të sensibilizuar opinionin ndërkombëtar se Shqipëria është një rast i shtetit të kapur, të krimit të lidhur me politikën, të një korrupsioni jo vetëm të pakontrolluar por të përkrahur nga pushteti. Shpejtësia me të cilën opozita kërkonte ndryshimin si dhe dalja nga parlamenti krijuan një diskordancë me faktorin ndërkombëtar që mund të mundësonte zgjidhje të njëjta në të gjitha vendet ballkanike, si Serbi, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovinë, dhe mund të sillte një destabilitet me përmasa të pakontrollueshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë të qartë situatën në vend, por janë të ndarë dhe të pasigurte për mënyrën e zgjidhjes për të mos krijuar probleme. Kjo situatë si dhe mesazhet e Perëndimit kanë bërë që lideri i opozitës të mendojë, së pari për platformat alternative të pushtetit të ri sesa të investohet në nxitjen e protestave dhe rrëzimin e pushtetit të korruptuar. Rruga institucionale dhe prodhimi i alternativave qeverisëse tregon forcë dhe siguri, por garantojnë edhe ndryshimin e elitave politike në një proces normal. Ne shqiptarët, kur mbushet kupa, kërkojmë ndryshime të menjëhershme dhe këtë shprehi të reflektimit politik na e kanë shtyrë dhe liderë karizmatikë dhe të fortë që kanë qeverisur Shqipërinë. Basha është një lider i ri, i edukuar në perëndim, njohës i mirë i ligjit dhe marrëdhënieve ndërkombëtare që do të mundësojë ndryshimin e madh në psikologjinë politike shqiptare të perceptimit perëndimor të liderit për ne dhe jo të liderit lindor mbi ne dhe jashtë shtetit ligjor. Është një betejë që mendoj se ka ardhur koha të luftohet. Raporti i OSBE/ODHIR-it për zgjedhjet e 30 qershorit ishin shumë kritik. Që në fillim përfaqësuesit ndërkombëtarë vunë në dijeni faktin që zgjedhjet e 30 qershorit ‘nuk kishin marrë ne konsideratë interesin qytetar’.  Në thelb raporti tregon se këto zgjedhje janë jashtë standardeve të një shteti demokratik. Ai vuri në pah disbalancat e pushtetit politik në Shqipëri dhe veprimin e tyre edhe në një element bazë të demokracisë siç janë zgjedhjet.

Në kushtet e krizës politike dhe institucionale në vend, si parashikohen zgjedhjet e 13 Tetorit?

Ne nuk mund të parashikojmë se çfarë mund të ndodhë në 13 tetor, në një vend ku institucionet nuk respektohen. Por kjo lind nevojën që një zgjidhje politike të gjendet nga palët dhe faktori ndërkombëtar sa më parë.

Si po ecën Reforma në Drejtësi?

Reforma në drejtësi po ecën përpara pavarësisht që ka forca politike të cilat duan ta kenë nën kontroll këtë proces. Ndërkombëtarët, të cilët janë pjesë e ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë, mendojnë se ky është procesi më i drejtë për të kufizuar e ndaluar një pushtet të korruptuar dhe regjimet autokratike të Europës Lindore. Populli Shqiptar mendon se kjo është shpresa e fundit ndaj regjimeve kleptokratike që anashkalojnë ligjin dhe shtetin ligjor. Reforma është e domosdoshme dhe ne do përjetojmë paradokset ku ata që bërtasin më shumë për reformën do të jenë ‘peshqit’ e parë të saj. Kjo do ti japë besueshmëri dhe legjitimitet reformës në drejtësi, e cila nuk mund të përdoret nga një krah politik për interesa politike.

Flash Lajme