Deputetët e Komisionit të Sigurisë Kombëtare kërkojnë sqarime nga SHISH lidhur me deklaratat e presidentit Ilir Meta.

Presidenti bëri me dije në Komisionin Hetimor se ishte informuar nga shërbimet inteligjente lidhur me rrezikun e djegies së Kuvendit në 8 qershor.

Për këtë arsye Helidon Bendo, do të duhet të raportojë në Komisionin e Sigurisë mbi vërtetësinë e pretendimeve të Metës.

Bendo  do të flasë nëse ka qenë ai burimi i këtij informacioni dhe nëse ia ka vënë në dispozicion institucioneve të tjera.

Kërkesa, e firmosur nga disa deputetë, si Sadi Vorpsi, Xhemal Qefalia, Eljo Hysko dhe Myslym Murrizi, kërkohet të zhvillojë një seancë dëgjimore në Komisionin e Sigurisë.

Kujtojmë presidenti u pyet lidhur me këtë çështje gjatë konferencën e djeshme për media, ku ndër të tjera deklaroi: “Padiskutim që është e vërtetë, aq më tepër në këto momente mjaft të rëndësishme. Nuk mund të them diçka më shumë në respekt të ligjit. Ata i kanë të gjitha mundësitë të njihen me këtë informacion. Kam dërguar një kërkesë në Presidencë për tu njohur me këtë informacion, dhe kam kërkuar t’ia vejë në dispozicion Kuvendit të Shqipërisë. Informacioni është tërësisht i vërtetë, ju e dini se më parë vendi ka përjetuar konfrontime, ka patur plagosje. Kështu që nuk besoj se është diçka që ka ndodhur para 100 vjetësh.

Por ndoshta tani që kanë përfunduar pushimet duket sikur gjithçka ka qenë e qete dhe duket si shpikje e presidentit. Ajo që mund t’ju them me bindje, është se në këtë dokument do ti ndiqni të gjitha ato shqetësime, dhe do të kuptoni që ishte një situatë tërësisht e çmendur edhe më mirë nuk mundet ta përshkruante vete edhe raporti final i OSBE/ODIHR, ku veç të tjerash me një fjali e përshkruan atë situatë: ky antagonizëm, -shkalla më e lartë e është lufta pastaj- ishte tregues i mungesës së përgjegjësisë së përbashkët ndaj integritetit të procesit zgjedhor, dhe ndikoi negativisht në të drejtën e qytetarëve për të marrë pjesë në votime”.

Flash Lajme